Roli global i SHBA kërkon zhvendosjen e trupave amerikane në botën e jashtme | Politika | DW | 04.12.2003
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Roli global i SHBA kërkon zhvendosjen e trupave amerikane në botën e jashtme

Uashingtoni nis tratativat me partnerët

Kur bëhet fjalë për angazhimin e përbotshëm të ushtrisë së SHBA, mendimi i ushtarakëve amerikanë dhe i strategëve të Pentagonit nuk njeh asnjë tabu. Që prej fundit të Luftës së Ftohtë dhe aq më tepër që prej atentateve të 11 shtatorit 2001, skenarët e kërcënimit kanë ndryshuar duke krijuar si përgjigje plane të reja ushtarake. Sekretari i shtetit përgjegjës për planifikimin strategjik në ministrinë amerikane të mbrojtjes, Daglas Feith mbajti dje në Uashington një fjalim parimor, prej ku mund të kuptoje mënyrën e re të të menduarit në Pentagon.

Në të ardhmen, njësi të vogla dhe që mund të zhvendosen lehtë kudo në glob do të zëvendësojnë kontigjentet e mëdha dhe të palëvizshme të trupave të epokës së Luftës së Ftohtë. Ushtarët duhet të jenë në gjendje të veprojnë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe pa shpenzime të mëdha atje ku terroristët ose të ashtuquajtura shtete gangstere kërcënojnë me armë të shkatërrimit në masë sigurinë e SHBA ose të partnerëve të aleancës me SHBA. Daglas Feith deklaroi:

"Prania jonë e ardhshme në botën e jashtme do të jetë më e lëvizshme dhe do t'u përshtatet rrethanave të ndryshuara. Trupat tona do të jenë stacionuar atje prej ku mund të arrijnë shpejt vatra potenciale të krizës. Në Luftën e Ftohtë shtrohej cështja e garantimit të sigurisë së rajoneve të vecanta, kurse tani ne duhet të përballemi me rreziqe globale."

E thënë më konkretisht, me më pak ushtarë, por me teknologji gjithnjë e më moderne, ushtria amerikane do t'i përgjigjet rolit të saj si polic botëror. SHBA do të përshtatin me këtë rol aleancat e tyre të vjetra dhe do të shtojnë aleanca të reja. Marrëveshje bilaterale me shtete të veçanta do t'i bëjnë ushtarët amerikanë imunë nga përndjekja e gjykatave ndërkombëtare. Stacionime të mëdha trupash me mijëra ushtarë plus anëtarët e familjeve të tyre janë vetëm një barrë në këtë orientim të ri strategjik. Në të ardhmen, pjesët e trupave do të zhvillojnë rotacione nga njëri vend në tjetrin - trupa të shpejta ndërhyrjeje që vijnë vërdallë, mbajtja e të cilave nuk kushton shumë dhe që mund të luftojnë kudo.

Kjo do të ketë pasoja edhe për stacionimin e trupave amerikane në Gjermani, ku aktualisht janë stacionuar rreth 70 mijë ushtarë amerikanë:

"Ne do ta përshtatim prezencën e trupave tona në çdo rajon. Pra edhe në Gjermani. Dhe në cilëndo formë që të jenë këto përshtatje, prej tyre do të preket infrastruktura ushtarake, kjo është e vetëkuptueshme"

Feith bëri të ditur se së bashku me sekretarin e shtetit, Mark Grosman nga Ministria e Jashtme amerikane do të zhvillojnë negociata në Gjermani që javën e ardhshme.

Në RFGJ është stacionuar pjesa më e madhe e rreth 100 mijë ushtarëve amerikanë në Evropë. Para së gjithash në Landin e Rajnland-Pfalcit dhe në Bavari, SHBA kanë një sërë bazash ushtarake të cilat kërcënohen nga reforma strukturore e ushtrisë amerikane. Vetëm në rajonin e Kajzerslautenit jetojnë mbi 40 mijë ushtarë amerikanë me familjet e tyre. Shumë vende pune varen nga prania ushtarake amerikane.
  • Data 04.12.2003
  • Autor Daniel Sheshkevic
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqw3
  • Data 04.12.2003
  • Autor Daniel Sheshkevic
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqw3