1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rojtare e markës gjermane

Michael Brocker1 Gusht 2007

50 vjet më parë u themelua Banka Kombëtare Gjermane, Bundesbank

https://p.dw.com/p/BOdd
Ndërtesa e Bankës Qendrore Gjermane, Bundesbank, në Frankfurt mbi Main.Fotografi: Deutsche Bundesbank

'Made in USA' - të prodhuara në SHBA ishin kartmonedhat e para në Deutsche Mark (marka gjermane) pas luftës; sepse në fund të viteve dyzet shtypshkronjat gjermane nuk ishin ende në gjendje të shtypnin para. Kartmonedhat në marka 'made in Germany' dolën më vonë. Më vonë doli në skenë edhe një institucion, i cili është pjesë e shtetit sovran me emrin RFGJ: Banka Kombëtare - Bundesbank. Ajo u themelua më 26 korrik 1957 dhe disa ditë më vonë, më 1 gusht nisi punën. Pra këto ditë banka feston një jubile të madh. Një retrospektivë, e cila kujton fillimisht fjalë që shkruheshin më parë me shkronja të vogla në kartmonedha.

"Kush imiton ose falsifikon apo sjell në qarkullim para të imituara ose falsifikuara dënohet me burg." Kjo fjali shkruhej më parë me shkronja të vogla në kartmonedhat e markës gjermane. Vallë u bënte përshtypje falsifikuesve? Ka të ngjarë që jo, por një kërcënim i tillë qëndronte për vite me radhë në kartmonedha dhe për këtë kishte arsye të forta, sepse marka nuk ishte monedhë dosido, ajo ishte shumë më tepër.

'Marka e qëndrueshme u kthye në shtyllë bazë për qëndrueshmërinë e shoqërisë në demokracinë liberale; sepse marka e qëndrueshme nxiti formimin e elementëve të rëndësishëm për një shoqëri civile. Pa monedhë të qëndrueshme është e vështirë të zhvillohen pavarësia dhe vetëpërgjegjësia.' Kështu e formuloi 1999-ën Hans Tietmeyer, ish-president i bankës. Atëherë gjermanët festonin 50-vjetorin e markës dhe ishin shumë krenarë për monedhën më të qëndrueshme që kishin pasur ndonjëherë.

Deutsches Kleingeld
Monedha të Markës gjermaneFotografi: AP

Ky zhvillim nuk ishte i vetëkuptueshëm. Parakushtet u krijuan vetëm pas dy luftërash botërore, hiperinflacionit të viteve njëzet dhe reformës monetare, siç tregon edhe ky raport televiziv i vitit '48: 'Pak pas reformës monetare kamera del në tregun e përjavshëm dhe kap pamjet që deri pak kohë më parë ngjanin si mirazhe: perime sa të duash, gjithçka e freskët dhe për tu zgjedhur. Mall i cilësisë më të mirë. Pyet për çmimin, blen dhe largohesh i kënaqur për në shtëpi. Papritur ka gjëra për të cilat deri tani vetëm përshpëritej, gjëra që shiteshin vetëm nën banak...'

Mrekullia ekonomike - Marka, monedha më e qëndrueshme gjermane

Raftet e mbushura ishin një shenjë e jashtme për ndryshimin e kursit në politikën ekonomike dhe atë monetare. Në vende të tjera evropiane habiteshin për hovin e furishëm ekonomik të Republikës Federale dhe kishin pak zili. Por kësaj i paraprinë vendime strukturore për paranë në vendin e mrekullisë ekonomike, Gjermaninë Perëndimore.

Paraja e pasluftës u nxorr fillimisht nga 'Banka e landeve gjermane', pasi Republika Federale u themelua në 1949-ën dhe aleatët i dhanë që në fillim rëndësi maksimale organizimit të decentralizuar, federalist të shtetit të ri edhe në sektorin bankar. Megjithatë, tani dhe në të ardhmen nuk vendos më banka për normën e intersit dhe ekuivalencën monetare, sepse marka i takon historisë; ne paguajmë me euro.