151209 Kopenhagen Klima Jugend
16 Dhjetor 2009“Ne jemi organizuar në grupe pune dhe shikojmë se çfarë mund të bëjmë. Por jemi shumë të dëshpëruar, që nuk mund të futemi në Qendrën Bella. Disa prej nesh kanë udhëtuar me mijëra kilometra larg, kemi punuar shumë për të ardhur këtu, kemi lënë pas dore studimet dhe kemi kursyer së bashku. Në qoftë se nuk na duan këtu, atëherë është dashur të na thonë para një ose dy muajsh. Thjesht: na vjen keq, por nuk ka vend të mjaftueshëm, nuk mund të futeni brenda.“
Në Kopenhagë kanë ardhur për të shprehur shqetësimet e të rinjve.
Ruchi Jain nga Mumbai i Indisë dhe shumë të rinj të tjerë janë të zhgënjyer me samitin. Ata punojnë për organizatën 350.org në Indi dhe angazhohen më shumë se një vit në lëvizjen e të rinjve për klimën. Megjithatë OKB-ja dhe organizatorët danezë të samitit nuk kanë llogaritur me një numër kaq të madh të njerëzve. Në Qendrën Bella duan të futen më shumë se 45.000, ndërkohë që atje ka vend vetëm për 15.000. Javën e fundit kërkesat janë kaq të mëdha, sa që është dashur të kufizohet shumë numri i atyre, që mund të futen në sallën e konferencës. Pritjet nga samiti i klimës janë shumë të larta, pohon Zenabou Segda nga Burkina Faso:
“Ne kemi ardhur në Kopenhagë me plot shpresa. Shpresojmë se Afrika do të përfitojë nga një marrëveshje fer, sepse Afrika është kontinenti më i dobët.“
Viktimizimi i të rinjve ëshë shumë i madh, aq sa edhe pritjet. Augustine Njaamnshi nga Kameruni tregon se nëna e tij e ka pyetur, çfarë është Kopenhaga, është ky një prodhim?
“I kam thënë: "Jo nuk është ndonjë prodhim, por do të bëhet, sepse mund ta ndryshojë jetën tonë." Kopenhaga është shpresa jonë, prandaj flasim kaq shumë. Kopenhaga është një prodhim, të cilin ende nuk e kemi parë, por mund ta ndryshojë jetën tonë dhe më pas mund të flasim, nëse Kopenhaga është e mirë, apo jo.“
Zëri i rinisë duket gjithnjë e më i rëndësishëm.
Në kohën, kur negociatat janë futur në fazën përfundimtare, zëri i rinisë duket gjithnjë e më i rëndësishëm, por shumë prej tyre kanë mbetur jashtë. Udhëheqësi i delegacionit Greenpeace, Martin Kaiser, nënvizon rolin e veçantë të rinisë.
„Kjo me të vërtetë është freskuese dhe po jep rezultate, sepse secili negociator e sheh se edhe vetë është një njeri, që eventualisht ka dhe fëmijë, pra një përgjegjësi edhe më të madhe. Është me rëndësi që të dëgjohet zëri i brezit të ri, i cili ka më shumë se ne të bëjë me pasojat e ndryshimit të klimës.“
Delegacionet duhet të mësojnë nga rinia, se si duhet të sillemi mes vete, thotë Ruchi Jain nga Mumbai. Organizatat e rinisë kaherë kanë rënë dakord sa i përket mbrojtjes së klimës.
“Më e mira është që ne kemi krijuar rrjete, që funksionojnë mirë në mbarë botën. Tani funksionojmë si një lëvizje globale dhe mes nesh nuk ka dallime.“
Për një ushqim në konferencë, Augustine Njaamnshi nga Kameruni duhet të paguajë kaq shumë para, sa do të mjaftonin për të ushqyer familjen dy ditë të tëra. Për të kursyer, në ditë ha vetëm një herë. Por as kjo nuk është më e keqja. Më e keqja është që nga bisedimet deri tani është arritur shumë pak. Çfarë do t'i thotë nënës, kur të kthehet, në qoftë se nuk ka lajme të mira?
“Kur të kthehem do të më pyesë: "A ma ke sjellur Kopenhagën?" Nuk e di çfarë të përgjigjem. Është kaq frustruese dhe për keqardhje, gati i kam humbur shpresat.“
Autor: Helle Jeppesen/Bahri Cani
Redaktoi: Angjelina Verbica