1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ringjallje e qëndrueshme e ekonomisë gjermane!

Briggite Scholte3 Janar 2007

Në nëntor të vitit të kaluar numri i të papunëve në Gjermani për herë të parë prej vitesh ka rënë nën nivelin e katër milionëve. Parë nga prognozat e tanishme, ky nivel do të mbetet për një kohë të gjatë

https://p.dw.com/p/AqnX
Fotografi: AP

Viti 2006 ka shënuar një kthesë në tregun e punës. Mesatarisht rreth 39,1 milionë gjermanë kishin vende pune, që do të thotë 258.000, respektivisht 0,7 përqind, më shumë se një vit më parë. Në këtë mënyrë numri i të punësuarve ka arritur nivelin e vitit 2002. Zyra gjermane e statistikave kumtoi se shkaqet kryesore për këto lëvizje pozitive janë përmirësimi i gjendjes në sipërmarrje, por edhe kampionati botëror në futboll.

Peter Meister ekspert i tregut të punës pohon se kampionati megjithatë nuk ka ndikuar drejtëpërsëdrejti në shtimin e qëndrueshëm të vendeve të punës: "Kampionati botëror me siguri që ishte një faktor i ringjalljes, por ai ka mundësuar hapjen e përkohshme të vendeve të punës. Shkaku kryesor është rritja ekonomike prej 2,5 përqind, që është shumë më shumë se është pritur. Ky është edhe shkaku kryesor i rritjes së numrit të të punësuarve dhe atyre që kanë një siguri sociale. Elementi tjetër pozitiv është që numri i të papunëve është zvogëluar jo për shkak të punës së quajtur mini- job, pra punë me të ardhura minimale, por me hapjen e vendeve të rregullta të punës", pohon ai.

Në vitin 2006 janë shtuar edhe vendet e punës me të ardhura minimale. Meister mendon se këto vende mund të paraqesin një bazë të mirë për punësime të përhershme: "Të sigurt janë edhe shumë prej atyre që kanë gjetur një punë të dytë, më të ardhura minimale. Kjo me siguri që nuk mund të jetë shpresa kryesore për zgjidhjen e krizës në tregun të punës, por paraqet një shenjë shpresëdhënëse për punësimin më të lartë. Vende të reja pune po hapen edhe në bujqësi, ndërkohë që është rritur numri i punësimeve edhe në shërbime të ndryshme", shpjegon Meister.

Rezultate po japin edhe ndryshimet strukturore në ekonominë gjermane. Në sektorin e shërbimeve, momentalisht punojnë tri të katërtat e të regjistruarve, ngjashëm sikur me periudhën para 15 vjetësh. Numri i përgjithshëm i të punësuarve në bujqësi, ekonominë pyjore dhe prodhime të ndryshme është zvogluar. Ndërkohë që është rritur numri i punonjësve të pavarur për gati një përqind, që do të thotë se aktualisht në Gjermani ka rreth 4,4 milionë punonjës të pavarur. Gjendjen në tregun e punës me siguri që e kanë ndihmuar edhe masat e shtetit që ekonomia të ketë duart më të lira në marrjen e vendimeve.