Reshjet e fundit në qarkun e Shkodrës kanë rënduar situatën
7 Janar 2010Vazhdon evakuimi i banorëve të zonave të përmbytura në rrethin e Shkodrës. Mbi 230 familje të komunave të prekura dhe 40 të tjera të komunitetit rom të qytetit, janë evakuaar sot për në vendstrehimet e përcaktuara nga shtabi i emergjencave. Për t'u ardhur në ndihmë banorëve të këtyre zonave, u krijua edhe Komiteti i Emergjencave Civile, i cili po e ndjek nga afër gjëndjen në terren, ndërkohë që 2 prej komunave, ajo e Anës së Malit dhe e Dajçit, janë shpallur sot zona të evakuimit. Banorët shprehen të kënaqur nga menaxhimi i situatës dhe në bashkëpunim me forcat e ushtrisë, po punojnë intensivisht për largimin e njerëzve dhe gjësë së gjallë nga vatrat e tyre.
Për të parë dhe vlerësuar situatën e krijuar në rajonin e nënshkodrës, kishte ardhur edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili bëri thirrje për evakuimin e popullatës në kohë, në mënyrë që mos të ketë pasoja në njerëz, nëse kjo gjëndje do të vazhdojë më tej.
Forcat e ushtrisë dhe të policisë janë në gatishmëri të plotë, duke marrë pjesë në evakuimin e banorëve dhe gjësë së gjallë, të zonave të përmbytura, por edhe në përforcimin ne argjinaturave të dëmtuara nga përmbytjet.
Ndërkaq, Karitasi Shqiptar në bashkëpunim me Famullinë e Dajçit të Bregut të Bunës, po shpërndajnë ndihma ushqimore, medikamente e veshmbathje dhe po japin asistencë shëndetësore për banorët e këtyre fshatrave.
Autor: Leka Plani/ Shkodër
Redaktoi: Auron Dodi