1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reformimi i Kombeve të Bashkuara

Thomas Reinke4 Qershor 2005

Reformimi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara është më shumë sesa reformim i Këshillit të Sigurimit. Jean Ping, presidenti i Asamblesë së Përgjithshme, i kushtoi mjaft rëndësi dje këtij konstatimi kur paraqiti rezolutën për përtëritjen e organizatës botërore. Bazë për këtë janë propozimet për reforma të Kofi Annan-it, të cilat Sekretari i Përgjithshëm i ka paraqitur në mars të këtij viti. Një informacion nga Thomas Reinke.

https://p.dw.com/p/Ar3X
Fotografi: AP

Projekti përfundimtar ka tani mundësi të mira - shprehu bindjen e tij presidenti i Asamblesë së Përgjithshme Jean Ping:

"Në gjithë botën ka shpresë se gjërat po lëvizin. Opinioni publik do t'i detyrojë qeveritë të marrin vendime. Besoj se reforma do të jetë ambicioze, por jo jorealiste."

Zhvillimi, siguria dhe të drejtat e njeriut: këto mbeten piketat e reformës së përgatitur për katër muaj nga një komision ekspertësh. Përgjithësisht i padiskutueshëm është pakësimi i administratës së shpesh të kritikuar të OKB-së, si dhe ngritja e një komisariati të ri më të vogël për të drejtat e njeriut në vend të komisionit të diskutueshëm për të drejtat e njeriut me qendër në Gjenevë. Veç kësaj do të ketë një instancë për bashkërendimin e misioneve të paqes. Edhe ndihma për zhvillim në mbarë botën do të përmirësohet; megjithatë ndryshe nga ç'kërkonin shumë kombe, nuk përcaktohet një përqindje e caktuar e prodhimit përkatës të brendshëm bruto si ndihmë për zhvillim.

Përveç ndryshimeve organizative dhe strukturore do të ketë edhe saktësime përmbajtësore. Në shekullin XXI Kombet e Bashkuara kanë nevojë për përkufizim të qartë të termave si "dhunë ushtarake legjitime", "gjenocid" apo "terrorizëm".

"Rezoluta e dënon terrorizmin dhe mbështet synimin e zhdukjes së të gjitha formave të tij. Po ashtu deri vitin e ardhshëm do të miratohet një konventë antiterrorizëm."

Por në thelbin e reformës, në zgjerimin e Këshillit të Sigurimit ka një mungesë në projektrezolutën e Asamblesë së Përgjithshme. Duke qenë se nuk ka pajtim mbi propozimet për më shumë anëtarë të përhershëm ose jo të përhershëm, teksti përmban vetëm një kërkesë të vagullt që inzstanca e OKB-së t'u përshtatet realiteteve të tashme. Megjithatë Jean Ping është i bindur se në këtë fushë megjithatë nuk do të ketë zvarritje.

"Ende nuk e dimë me saktësi se ç'do të ndodhë, por jam i sigurt se së shpejti zhvillimet në këtë çështje do të përshpejtohen. Dhe mendoj se nuk duhet përjashtuar edhe një zgjidhje me mirëkuptim."

Optimizëm përhap edhe edhe ambasadori gjerman në OKB, i cili pas skenës kërkon mbështetje për një rezolutë tjetër, e cila do ti hapë rrugën për një vend të përhershëm Gjermanisë dhe kandidatëve të tjerë. Gunter Pleuger-it nuk i bëjnë shumë përshtypje rezervat e Kinës ndaj Japonisë konkurrente e në këtë mënyrë ndaj krejt modelit. Rëndësi ka shumica prej dy të tretave në Asamblenë e Përgjithshme, e kjo është krejtësisht e arritshme.

"Nuk kemi dëgjuar ende gjë për rritje të rezistencës. Nga kontakti i vazhdueshëm me të gjithë anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme dhe me kryeqytetet kemi pikërisht rezultatin e kundërt. Ajo që rritet është mbështetja për rezolutën tonë."

Tani anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme kanë dy javë kohë për ta kontrolluar projektrezolutën. Pastaj do të fillohet me këshillimet përfundimtare, në të cilat mund të futej edhe plotësimi i favorizuar prej Gjermanisë. Hapësira kohore mbetet e ngushtë: Deri në samitin e OKB-së në shtator do të paraqitet një tekst i pjekur për vendim; por pjesë të veçanta edhe mund të shkëputen e të miratohen më vonë, për shembull zgjerimi i Këshillit të Sigurimit.