1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rasti shqetësues i embargos së armëve

Georg Schwarte15 Prill 2005

Pozicioni i Amerikës ndaj politikës gjermane dhe evropiane kundrejt Kinës

https://p.dw.com/p/ArPj
Kancelari gjerman Gerhard Schröder në seancën e djeshme të parlamentit gjerman mbi politikën e qeverisë së tij ndaj Kinës
Kancelari gjerman Gerhard Schröder në seancën e djeshme të parlamentit gjerman mbi politikën e qeverisë së tij ndaj KinësFotografi: AP

Kongresmenët amerikanë janë bashkuar me kritikën e ashpër të qeverisë në Uashington kundër heqjes së mundshme të embargos së armëve ndaj Kinës. Nëse Bashkimi Evropian do të heqë vërtet sanksionet, ShBA duhet të rikonsiderojnë marrëdhëniet e tyre të sigurisë me Evropën tha dje kryetari i komisionit për marrëdhënie ndërkombëtare në dhomën e përfaqësuesve Henri Hajd.

Filip Gordon është në fakt mik i evropianëve. Si drejtor i qendrës për studime amerikano-evropiane ai flet spanjisht, gjermanisht, frengjisht dhe italisht. Ai ka jetuar dhe punuar në Bon, i njeh gjermanët. Por përse kancelari gjerman Shrëder kërkon pikërisht tani heqjen e embargos së armëve kundër Kinës? Filip Gordon është i mendimit se nuk kemi të bëjmë më me një fakt shqetësues, e gjitha kjo ka potencialin të bëhet një nga krizat më të mëdha në marrëdhëniet gjermano-amerikane. "Që tani kemi të bëjmë me një krizë politike. Çdo politikan që viziton aktualisht Uashingtonin konstaton se tema "Kinë" është në krye të listës", thotë Gordon.

Ministrja e jashtme e ShBA, Raj, bëri të ditur e pezmatuar se dhënia fund embargos është sinjal i gabuar në momentin e gabuar. Shefi i shërbimit sekret Porter Gos paralajmëroi ndaj rreziqeve të mëdha për trupat amerikane në rajon dhe presidenti Bush - pa përmendur shprehimisht kancelarin gjerman Shrëder - bëri të ditur publikisht se ç'mendonte për dhënien fund embargos:"Vendi ynë është shumë i shqetësuar se me livrimet e armëve Kinës ekulibri në rajon e veçanërisht përsa i përket Taivanit do të dalë jashtë kontrollit".

Edhe në Uashington është marrë vesh se kancelari gjerman Shrëder ka deklaruar që Gjermania nuk dëshiron, nuk mundet dhe nuk do t'i shesë Kinës armë luftarake. Por në ShBA shqetësimi është një tjetër:transferimi i teknologjisë përmes produkteve të ashtuquajtura me përdorim të dyfishtë. Psh, pjesë avionësh, teknikë komjuterike, sisteme të kontrollit ajror civil. Fakti që pikërisht kancelari gjerman dhe presidenti francez Shirak kanë udhëtuar kohët e fundit nëpër Kinë të shoqëruar nga delegacione me përfaqësues të ekonomisë, për amerikanët tregon qartë një gjë: Gjermania kërkon të bëjë biznes dhe këtë në kurriz të ShBA. "Lind përshtypja se Franca dhe Gjermania sillen miqësisht në mënyrë që kontratat dhe paratë të shkojnë në Paris dhe Berlin e jo në vende të tjera" - shprehet Filip Gordon.

Plagët nga konflikti për luftën në Irak nuk janë mbyllur ende e tani ka lindur rreziku i hapjes së të tjerave më të thella. Kongresi amerikan i cili një vit më parë gjithë vëmendjen e kishte drejtuar ndaj zgjedhjeve në vend dhe luftës në Irak ashtu si opinioni publik në ShBA ka kuptuar tani se çfarë kërkon vërtet kancelari gjerman. Dhe shumë janë të shqetësuar!
"Edhe vetë përfytyrimi se ushtarët amerikanë mund të ndeshen një ditë me një armik të armatosur me armë evropiane është tepër shqetësues" - paralajmëron Gordon.

Pentagoni sheh me shqetësim se buxheti kinez për mbrojtjen është dyfishuar gjatë pesë viteve të fundit. Vetëm vitin e kaluar ai u rrit me 13%. Kërcënimi i fundit kundër Taivanit për përdorimin e dhunës ushtarake nga Kina nëse ishulli shapll pavarësinë është për Uashingtonin një arsye më shumë për ta konsideruar tepër të pavënd propozimin e Shrëderit për heqjen e embargos dhe momentin për ta bërë atë.
Eksperti për Evropën Filip Gordon mendon se fakti që Shrëder dhe Shirak, dy kundërshtarët më të mëdhenj të luftës në Irak, kërkojnë tani të dalin kundër politikës amerikane ndaj Kinës do të jetë me pasoja: "Ka shumë të ngjarë që kjo gjë të dëmtojë Gjermaninë dhe Francën, pasi me ose pa të drejtë opinioni amerikan do të bëjë përgjegjës Shrëderin dhe Shirakun."

Shrëderi, vazhdon eksperti amerikan, duhet të vë re që tani se çfarë shqetësimi ka shkaktuar në ShBA. Amerikanët mendojnë se kancelari gjerman ka nënvleftësuar atë që mund të ndodhë nëse hiqet embargoja e armëve kundër Kinës. Intepretimi që opinioni amerikan i bën mesazhit të Shrëderit nuk është aspak i mirë për Gjermaninë: "Sinjali që Gjermania i jep Kinës është: ju jeni një supërfuqi në rritje. Jeni të pasur. Ju e dini këtë. Edhe ne e dimë dhe veprojmë sipas dëshirës suaj" - shprehet eksperti amerikan për politikën evropiane Filip Gordon.