1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria zgjat mandatin e misionit të Bundesverit "Enduring Freedom" në Afganistan

Nina Verkheuzer2 Nëntor 2005

Në luftën kundër terrorizmit këtej e tutje duhet të marrin pjesë maksimumi 2.800 ushtarë gjermanë nga 3.100 trupa të angazhuara deri më sot. Faktikisht janë rreth 250 ushtarë më pak të dislokuar në Kepin e Afrikës dhe në Afganistan.

https://p.dw.com/p/Ar2N
Ushtarë të Bundesverit
Ushtarë të BundesveritFotografi: dpa

Ministrat e qeverisë së socialdemokratëve dhe ekologjistëve që vazhdojnë të ushtrojnë detyrat qeveritare edhe pse zyrtarisht e kanë dorëzuar mandatin, duhet të mblidhen të raste të veçanta për të marrë vendime. Zgjatja e mandatit për misionin e Bundsverit "Enduring Freedom" ishte një rast i tillë. Mandati i mëparshëm skadon më 12 nëntor, ndaj duhej marrë një vendim, pasi bisedimet për krijimin e koalicionit qeveritar vazhdojnë. Për këtë arësye ministrat e kabinetit të mëparshëm qeveritar u mblodhën të mërkurën dhe vendosën ta shtyjnë edhe një vit mandatin për këtë mision.

Operacioni "Enduring Freedom" filloi pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, kur SHBA dhe një sërë shtetesh të tjera nisën luftën kundër organizatës terroriste Al Kaida. Kontributi gjemran është përqëndruar në njësitë e flotës detare në kepin e Afrikës, atje patrullojnë 250 ushtarë të marinës për të penguar turet e transportit të terroristëve. Përveç kësaj gati 100 forca speciale marrin pjesë në misionin e Afganistanit. Detyra e tyre, lufta kundër Talibanëve dhe Al Kaidës është ndryshe nga ajo e 2.000 ushtarëve gjermanë të inkuadruar të trupën ndërkombëtare ISAF për ruajtjen e stabilitetit. Qeveria e socialdemokratëve dhe ekologjistëve ka insistuar gjithmonë që këto misione të kenë komanda të ndara, edhe pse SHBA preferojnë bashkimin e tyre. Ministri i mbrojtjes Peter Shtruk nuk jep deklarata mbi numrin dhe detyrën e saktë të forcave speciale në Afganistan, kjo sipas tij bëhet për arësye sigurie.

Tani që kabineti i vjetër qeveritar e shtyu për një vit mandatin e Bundesverit, duhet të pritet edhe aprovimi në Bundestag. Ndonëse parlamenti është konstituuar pas zgjedhjeve të 18 shtatorit, komisionet parlamentare ende nuk janë në gjendje të fillojnë punën. Në seancën e ardhëshme ditën e martë pritet që të votohet për mandatin e Bundesverit në një procedurë të përshpejtuar. Me fillimin e këtij misioni përpara katër vjetësh kancelari Gerhard Shrëder votimin në parlament e kushtëzoi me çështjen e votëbesimit. Këtë ai e bëri për t´i bërë ballë kritiëve brenda radhëve të partisë socialdemokrate. Qysh atëherë mandati është zgjatur tri herë. Edhe kësaj radhe konsiderohet mëse i sigurt aprovimi në Bundestag, edhe pse partia e majtë ka deklaruar, se do ta refuzojë këtë mision. Kjo parti kërkon tërheqjen e menjëhershme të Bundesverit nga Afganistani.