Projektrezoluta për Lindjen e Mesme | Studimi në Gjermani | DW | 07.08.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Projektrezoluta për Lindjen e Mesme

Tema që dominon në komentet e shtypit të sotëm gjerman është projektrezoluta për Lindjen e Mesme e hartuar pas ec e jakeve me ditë të tëra mes SHBA dhe Francës në Këshillin e Sigurimit. Në përgjithësi komentet janë kritike.

Gazeta e Mynihut "Abendzeitung" shkruan: "Rezoluta e OKB-së përmban fjali jo konkrete si: "Këshilli i Sigurimit kërkon që t´u jepet fund armiqësive, në rradhë të parë mbi bazën e ndërprerjes së menjëhershme të sulmeve të Hisbollahut dhe ndërprerjen e menjëhershme të operacioneve ofensive të Izraelit." Por Izraeli nuk e ndjen veten të prekur prej eufemizmit "operacionet ofensive", sepse ky vend pretendon që po kryen një luftë vetëmbrojtjeje kundër terroristëve. Edhe reagimet refuzuese nga Libani të lënë të nënkuptosh, se rezoluta s´do të çojë në fundin e gjakderdhjes."

Ndërsa "Tagesspiegel" e Berlinit mendon: "Ende është krejtësisht e paqartë, se si do të jetë "zgjidhja afatgjatë", për të cilën bëhet fjalë në projektrezolutë. Pra ende pritet një akt i vërtetë i forcës diplomatike nga OKB-ja: që presupozon një marrëveshje për dërgimin e një trupe ndërkombëtare në Liban, si dhe për prejardhjen e saj, mandatin e në radhë të parë për afatin kohor të një misioni të tillë."

Komentatori i "Kölnische Rundschau" shpreh këtë opinion: "Lufta do të marrë fund, nëse palët i ndan trupa e paqes. Por për mision mjaft të rrezikshëm, dhe të komplikuar në aspektin politik dhe ushtarak mungon një mandat i përkufizuar qartë prej OKB-së. Pjesë të mëdha të popullsisë libaneze, që e shohin veten të pafajshëm dhe të përballur me bombardimet që po shkretojnë vendin, s´do të kenë mirëkuptim për taktikën e shtyrjes së Uashingtonit."

Tjetër pozicion ka e përditshmja "Süddeutsche Zeitung": Uashingtoni deri tani në OKB ka vepruar vetëm si frenues, kur ka qenë fjala për të ushtruar kritikë ndaj Izraelit. Megjithatë ndërkaq duhet që edhe Xhorxh Bushi ta kuptojë, se Izraeli nuk mund të fitojë ndaj milicëve të Hisbollahut me mjetet ushtarake që ka zgjedhur, megjithatë ai mund të ndalojë sulmet edhe më të fuqishme, pasi të kenë humbur jetën shumë civilë. Ndaj Franca kërkonte uljen e menjëhershme të armëve dhe më pas të farkëtohej një marrëveshje politike. projektrezoluta e tanishme është një kompromis, për të cilin kanë lëshuar pe të dyja fuqitë e mëdha diplomatike. Ndaj ky dokument, që duhet të miratohet nga Këshilli i Sigurimit, lë shumë çështje të hapura."

Në të përditshmen tjetër "Fränkische Tag" që del Në Bamberg lëxojmë: "Projekti francezo-amerikan i një rezolute të OKB-së s´është gjë tjetër veçse një tekst tipik plot kundërthënie. Pas palëve të luftës në Këshillin e Sigurimit qëndrojnë fuqitë e mëdha, që ndjekin interesat e tyre të vjetra në Lindjen e Mesme dhe që këto duan t´i gjëjnë edhe në rezolutën e përbashkët."

Ja dhe një vlerësim nga gazeta "Landeszeitung" e Lyneburgut: "Amerikanët po e humbasin gjithnjë e më shumë durimin, sepse i duhet të konstatojnë, që Izraeli siç duket s´mund t´i gjunjëzojë milicët pro-iranianë të Hisbollahut në Liban. Izraeli rezervohet të përdorë mjete edhe më të ashpra në Liban për shkak se një numër më i madh viktimash civile, dhe për shkak të qëndrimit antizraelit në mbarë botën. Prandaj është shumë interesante që amerikanaët kanë ndikuar në projektin e rezolutës dhe i kanë bërë të qartë aleatit të tyre Izraelit se ka ardhur momenti për të lënë armët. Megjithatë vështirë të shpresosh për një paqe të shpejtë. Siria nxiton që të quajë projektrezolutën "plan për luftë".

Dhe së funddi një citat nga artikulli i gazetës "Recklinghasener Zeitung": Projektrezoluta franceze për Këshillin e Sigurimit nuk është më shumë se sa një fije shprese. Derisa këshilli të marrë një vendim, lufta vazhdon me intensitet në rritje. Amerikanët, sirianët dhe iranianët nga motive krejtësisht të ndryshme nuk janë të interesuar për një fund të shpejtë të luftës. Uashingtoni do që t´i japë kohë Izraelit dhe t´i heqë bazën materiale Hisbollahut në Liban. Në mënyrë të veçantë Teherani e shfrytëzon luftën për të tërhequr vëmendjen nga plane te tij atomike."

  • Data 07.08.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AroZ
  • Data 07.08.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AroZ