Projektligji i shërbimeve - pro apo kundër Evropës sociale? | Politika | DW | 05.04.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Projektligji i shërbimeve - pro apo kundër Evropës sociale?

Komisioni i BE-së prezanton në Strasburg projektligjin e ri për sektorin e shërbimeve. Pritet që tregjet e BE-së të hapen për sektorin e shërbimeve duke shfuqizuar një sërë pengesash burokratike

default

Komisari i BE-së Frits Bolkestein ishte ai që inicioi gjatë periudhës së komisionit të fundit të BE-së rregulloren për sektorin e shërbimeve në radhët e BE-së. Që prej asaj kohe kjo rregullore quhet edhe rregullorja Bolkenstein. Bolkenstein është shndërruar në Francë thuajse në një mallkim apo fjalë fyese, sepse kjo rregullore barazohet me humbjen e vendeve të punës dhe me dumpingun social. Rezistencë ndaj këtij ligji pati edhe në Gjermani dhe në shtetet e tjera anëtare të BE-së. Ndërkohë Frits Bolkestein ka kohë që nuk është më në këtë post dhe rregullorja për shërbimet ka kaluar disa prova zjarri. Nën trysninë e sindikatave Parlamenti Evropian i hoqi asaj dhëmbët më të mprehtë.

Pikërisht ky është edhe versioni që ka pranuar tani komisari përgjegjës për tregun e brendshëm të BE-së, Charlie McCreevy: "Vendimi për të mos i ndërvarur më prej njëra-tjetrës ligjin për punësimin dhe rregulloren për sektorin e shërbimeve është një ndër ndryshimet më të rëndësishme. Atmosfera e diskutimeve është tani më e mirë dhe ne mund t'i lëmë pas armiqësitë për shkak të gjoja uljes së standardeve sociale. Frikëra të tilla kanë qenë gjithmonë të gabuara, por edhe tepër kokëforte gjë që i ka helmuar debatet." - thotë Charlie McCreevy.

Socialistët e përfaqësuar në parlamentin evropian e konsiderojnë rregulloren e re si një hop drejt një Evrope sociale. Liberalët kritikojnë nga ana e tyre përjashtimet e shumta që janë përfshirë në këtë rregullore, që kanë të bëjnë me firmat e policisë private, ato që ofrojnë punëtorë me orë, sallonet e lojrave të fatit, të gjithë sistemin shëndetësor si dhe sferat e shërbimeve publike, si p.sh. pastrimi i qyteteve apo plehërave. Rregullorja e re i lejon çdo firme të BE-së që të ofrojë shërbimet e saj në të gjitha vendet e tjera anëtare, në rast se kjo firmë është e regjistruar në vendin ku ka selinë.

Sa i përket zbatimit konkret të një porosie të caktuar në një vend tjetër, firma duhet të veprojë sipas dispozitave të atij vendi, pra ku ushtrohet veprimtaria. Britania e Madhe si dhe disa nga vendet nordike dhe sidomos vendet evropianolindore të BE-së e konsiderojnë këtë rregullore si tepër restriktive. Deputeti i djathtë polak Adam Bielan i akuzoi shtetet e vjetra anëtare të BE-së se ato kanë rënë dakord pa të drejtë: "Projektligji i ri është një përzierje rregulloresh joprecize dhe dykuptimëshe, të cilat mund keqpërdoren sidomos prej atyre vendeve që janë kundër lirisë së sektorit të shërbimeve."

Pengesa tjetër që i duhet të kalojë projektligji është në fillim të pranverës. Ministrat përkatës të 25 vendeve anëtare duhet ta miratojnë këtë kompromis. Komisioni i BE-së mendon se prej liberalizimit të sektorit të shërbimeve mund të krijohen rreth 600.000 vende të reja pune. Rreth 70% e të ardhurave ekonomike në BE sigurohen prej sektorit të shërbimeve.

  • Data 05.04.2006
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqqU
  • Data 05.04.2006
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqqU