Presidenti i ri (dhe i vjetër) i Rusisë quhet Vladimir Putin | Politika | DW | 15.03.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Presidenti i ri (dhe i vjetër) i Rusisë quhet Vladimir Putin

Konfirmim për Putinin - Megjithë zgjedhjet jodemokratike rezultati i zgjedhjeve pasqyron aprovimin e zgjedhësve për presidentin

Vladimir Putin dhe gruaja e tij Ludmilla sapo kanë votuar për presidentin e Rusisë, 14 mars 2004

Vladimir Putin dhe gruaja e tij Ludmilla sapo kanë votuar për presidentin e Rusisë, 14 mars 2004

Atje ku ai ka të drejtë, ka të drejtë:"zgjedhjet janë një nga arritjet më të rëndësishme të demokracisë", këtë e deklaroi vetëm pak kohë më parë presidenti i Rusisë, Vladimir Putin. Sa keq që atij i mungon dëshira për ta ndjekur mesazhin e tij. Sepse për një zgjedhje të vërtetë nuk mund të bëhet fjalë. Fituesi kishte shumë muaj që dihej.Konkurentë seriozë as nuk kishin mundësi që të prezantoheshin si alternativë në mediet e kontrolluara nga shteti. Ai që mund të bëhej i rrezikshëm për kandidatin Putin, si për shembull sipërmarrësi Mihail Kodorovski -përfundoi pa e zgjatur në burg.

Jo, për zgjedhje të vërteta nuk mund të bëhet fjalë në Rusi. Si rrjedhojë, Rusia nuk është as demokraci e vërtetë. Ajo që ndodhi në kabinat e votimit midis Kaliningradit dhe Vladivostokut dje ishte në rastin më të mirë një referendum. Popullit iu dha shansi që të vetmit kandidat serioz t'i tregojë me një kryq në fletën e votimit se ai është i vetmi kandidat serioz.

Telegramet e urimit të burrave perëndimorë të shtetit drejtuar presidentit të vjetër dhe të ri Putin me siguri që do ta anashkalojnë këtë mangësi të zgjedhjeve presidenciale. Në fund të fundit atyre do t'u duhet të bashkëpunojnë edhe në të ardhmen me shefin e Kremlinit.

Shumica e rusëve nuk do ta ketë pasur të vështirë të votojë për Putinin. Nga njëra anë, televizioni rus dhe radioja shpalosën javët e kaluara fishekzjarre të tëra lëvdatash. Kulti i personit që lulëzon për presidentin e shtetit në qytetin e tij të lindjes Shën Petersburg të kujton ditët e shkuara të kohës së Brezhnjevit dhe i bën të buzëqeshin vëzhguesit perëndimorë.

Nga ana tjetër, shumë rusë të moshuar ndiejnë mirënjohje të vërtetë për politikanin atlet në Moskë. Ai është kujdesur që në shtetin gjigant pensionet dhe rrogat të paguhen sërish me përpikmëri. Shumica e rusëve jetojnë nën Putinin më mirë se nën sundimtarin e Kremlinit, mik të vodkës, Boris Jelcin. Shanset nuk janë të këqia që edhe në të ardhmen ekonomia ruse të bëjë hapa përpara.Kjo ka të bëjë para së gjithash me çmimin e lartë të naftës dhe të gazit natyror. Tregjet në zhvillim Kina dhe Indi po përjetojnë një bum të vërtetë.Qindra mijëra automjete, që lejohen atje cdo vit për qarkullim, kanë nevojë për benzinë. Dhe atë do të ofrojë Rusia.

Të ardhurat e shtetit Putini do t'i investojë në modernizimin e vendit. Kjo është e mençur dhe meriton mirënjohje. Shuma të mëdha parash do të gëlltisë rindërtimi i infrastrukturës së rrënuar vecanërisht në rajonet jashtë Moskës dhe Shën Petersburgut.

Investime kërkohen para së gjithash në arsim dhe shëndetësi. Qeveria ruse e ka injoruar për një kohë shumë të gjatë zgjerimin e rrezikshëm të epidemisë së Sida-s.

Moska do t'i paguajë edhe në të ardhmen me përpikmëri borxhet që u ka kreditorëve perëndimorë. Sipërmarrje të kontrolluara nga shteti do të fitojnë pjesë në industritë me rëndësi strategjike në shtetet e tjera të Bashkësisë së Shteteve të Pavarura. Në këtë mënyrë përpiqet Moska që ta zgjerojë ndikimin e saj në "botën e jashtme të afërt".

Presidenti i ri dhe i vjetër nuk mban vetëm përgjegjësi për Rusinë. Të bën përshtypje se si shtete të tjera të Bashkësisë së Shteteve të Pavarura ndjekin nganjëherë shembullin e keq të Moskës. Nëse Putini p.sh. vë nën kontrollin e tij mediet, kjo gjen menjëherë imitues në Ukrainë ose Bjellorusi.

Për Gjermaninë dhe perëndimin Rusia nën Putinin është një partner i parashikueshëm në veprimet e tij, edhe nëse jo ku mund të mbështetësh, dhe aspak një partner i rehatshëm. Shumica e rusëve nuk ndihen vërtet të lidhur me bashkësinë perëndimore të vlerave. Ende jo.

  • Data 15.03.2004
  • Autor Miodrag Soriç
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqvc
  • Data 15.03.2004
  • Autor Miodrag Soriç
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqvc