Presidenti amerikan Bush siguroi kryeminstrin italian Berlusconin se SHBA-të do të ndërmarrin hetime të hollësishme për zbardhjen e incidentit, ku u plagos Giuliana Sgrena
5 Mars 2005Më vjen keq për këtë incident i tha gjatë një bisede telefonike presidenti amerikan George W. Bush kryeministrit italian Silvio Berlusconi. Bushi e mori në telefon Berlusconin nga avioni presidencial Air Force One dhe foli me të pesë minuta. Sipas një zëdhënësi të Shtëpisë së Bardhë Bushi e siguroi Berlusconin se SHBA-të do të ndërmarrin hetime të hollësishme për ta zbardhur këtë incident.
Në sqarimet e para ushtria amerikane theksoi se shoferi i automjetit ku gjendeshin gazetarja italiane, e cila u plagos në shpatull dhe punonjësi i sigurimit që gjeti vdekjen, nuk kishte zbatuar urdhërin për të ndaluar në një pikë kontrolli. Pas kësaj ushtarët e pikës së ë kontrrollit kishin qëlluar ndaj motorrit të automjetit. Patrulla që gjendej në perëndim të Bagdatit kishte vërejtur se makina po ecte me shumë shpejtësi dhe ishte përpjekur t'i jepte makinës me dorë, dritë dhe me të shtëna në ajër shenjë sinjal për të ndaluar. Pastaj kishin qëlluar, sepse nuk e dinin se në atë automjet gjendej gazetarja italiane.
Pas këtij incidenti Berlusconi thirri ambasadorin amerikan në Romë dhe i kërkoi atij sqarimin e ngjarjes dhe gjetjen e përgjegjësve. Takimi zgjati rreth një orë.
Ekspertët mendojnë se incidenti nuk do t'i dëmtojë marrëdhëniet mes Italisë dhe SHBA-ve dhe nuk do të çojë në tërheqjen e trupave italiane prej Irakut. Por ky incident do ta shtojë frymën e antiamerikanizimit në radhët e popullit italian, tha James Waltson, profesor në Universitetin Amerikan në Romë.
Ushtria amerikane sqaroi se ushtarët e pikave të kontrrollit në Bagdat në rast se shikojnë se ndonjë makinë nuk ndalon apo nuk reagon ndaj shenjave me dorë për të ulur shpejtësinë dhe frenuar, atëhere paralajmërojnë me të shtëna në ajër. Në rast edhe ndaj kësaj automjeti nuk reagon atëhere hapin direkt zjarr ndaj tij dhe kjo ndodh si rregull rreth dy herë në javë.
Ekspertët medojnë se incidenti shkaktuar prej goditjes së gazetares italiane në Bagdat do të shtrojë për diskutim shumë çështje, si p.sh ajo rreth rregullave të sjelljes së ushtarëve amerikanë në Irak. Deri tani ushtria amerikane nuk ka publikuar ndonjë statistikë se sa shpesh ushtarët amerikanë kanë hapur zjarr ndaj automjeteve me të cilat udhëtonin njerëz të pafajshëm. Incidente të tilla dihet se ka pasur, sepse ato i kanë fotografuar fotoreporterët dhe gazetarët.