1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Portret i socialdemokratit Klaus Voverajt

Marsel Fyrstenau14 Shtator 2006

Më 17 shtator në kryeqytetin gjerman zhvillohen zgjedhjet për parlamentin e ri i cili në Berlin quhet ndryshe Shtëpia e Deputetëve. Që prej vitit 2001 në krye të senatit të Berlinit ndodhet socialdemokrati Klaus Voverajt

https://p.dw.com/p/AqzR
Fotografi: AP

Klaus Voverajt ishte gjithnjë më i riu dhe megjithatë shumicën e rasteve i pari. Katër vllezërit dhe motrat e tij janë më të mëdha se ai në moshë. Për shkak se familja u rrit pa baba, atij iu desh të mësojë herët t'i dal zot vetes. Për dallim nga fëmijët e tjerë të familjes ai pati mundësinë që të shkojë në gjimnaz dhe më vonë të studiojë. Kjo u bë e mundur pasi politika arsimore socialdemokrate e drejtuar nga Villi Brandt u ofronte këtë shans edhe fëmijëve të familjeve të varfëra. Andaj Voverajt shihet ndryshe si një prej shumë pasardhësve politikë të bartësit të çmimit Nobel për paqe i cili nga viti 1957 deri në vitin 1966 ishte edhe vet kryebashkiak i Berlinit.

Politika çtensionuese e Lindjes e Brandit e ka fascinuar atë shumë herët, thotë juriisti Voverajt i cili në vitin 1984, atëherë në moshë 30 vjeçare u caktua drejtues i Këshillit të qytetit për arsimin popullor dhe kulturë në Lagjen Tempelhof, ku edhe banonte. Me fillimin e të 40-ve ai kalon në politikën e landit, në vitin 1999 zgjidhet kryetar i grupit parlamentar dhe pas shpërbërjes së koalicionit mes social dhe kristiandemokratëve, kryebashkiak i Berlinit.

Para se të pranojë postin e ri, në një kongres të jashtëzakonshëm të Partisë Socialdemokrate ai e bëri publike atë çfarë politikisht cilësohet si 'orientim seksual': "E di se unë jam një person i jetës publike. Dhe unë e di po ashtu saktë se jeta ime private tani do të jetë vetëm publike. Por në mënyrë që mos të ketë keqkuptime, të dashura shoqe dhe shokë, ju them ju dhe atyre që nuk e kanë ditur: unë jam homoseksual dhe kjo është mirë kështu, të dashura shoqe dhe shokë".

Kjo deklaratë e tij hasi më shumë në simpati sesa në refuzim edhe jashtë radhëve të partisë së tij.

Berlini është zhytur në borxhe dhe vuan nga zhvillimi i dobët ekonomik dhe papunësia e lartë. Por kjo nuk paraqet ndonjë problem për artistin Klaus Voverajt kryefjala e të cilit është: i varfër por sexy.

Megjithatë përkundër problemeve të shumta kryebashkiaku i Berlinit mund të krenohet edhe me sukseset e arritura. Nuk është rastësi që kryeqyteti gjerman ndërkohë është kthyer në një ndër metropolet më të vizituara nga të huajtë. Natyrisht në Evropë, ku aktualisht prijnë Londra dhe Parisi. Së voni Voverajt doli edhe me një projekt të ri për kryeqytetin Berlin: "Një metropol ndërkombëtar, një kryeqytet i një prej vendeve më të mëdha në Evropë natyrisht që duhet të ketë kartvizitë e tij. Dhe kjo është gjithmonë një aeroport. Ne nuk ndërtojmë një pallat mermeri por nuk ndërtojmë as kasolle. Por një aeroport të arsyeshëm, funksional me një arkitekturë të mirë. Dhe ky aeroport do të jetë kartvizita e Berlinit ashtu si stacioni i ri hekurudhor".