1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Politika e re energjetike e Be-së dhe debati për energjinë në Gjermani

11 Janar 2007
https://p.dw.com/p/ArmA

Komisioni Evropian paraqiti të mërkurën propozimet për një politikë të përbashkët energjetike. Sipas saj vendet e BE-së duhet të bëhen të pavarura nga importimi i energjisë nga Rusia. Komisioni synon që të reduktojë edhe më tej nivelin e shkarkimit të gazrave ndotëse si edhe të rrisë konkurencën në tregun energjetik. Plani për ndarjen e koncerneve energjetikë në prodhues rryme dhe administrues rrjeti elektrik është rrefuzuar nga ana e Berlinit. Edhe komentet e gazetave gjermane janë skeptikë në këtë çështje:

HAMBURGER ABENDBLATT shkruan:

"Synimi është për t'u përshëndetur. Por rruga drejt tij nuk duket shumë bindëse. Kush do t'i administrojë rrjetet? Shumë shtete do të rrefuzojnë duke u falenderuar duke pasur parasysh investimet e nevojshme. A nuk është kjo në kundërthënie me mbrojtjen e pronës private që është ankoruar në kushtetutën gjermane? Ajo që mbetet është një këshillë ndaj shteteve, që t'i shfrytëzojnë më me forcë se deri tani mundësitë ekzistuese të kontrollit dhe ndërhyrjes, e t'u japin fund rritjeve të vazhdueshme të tatimeve. Sepse edhe ato japin ndihmesën e tyre në rritjen e faturave të rrymës dhe gazit."

MITTELBAYERISCHE ZEITUNG nga Regensburgu mendon:

"Parlajmërimi që meriton lëvdatë për reduktimin me një të pestën e shkarkimit të dioksidit të karbonit deri në vitin 2020 duhet të shikohet i lidhur me realitetin. BE-ja është padyshim pararojë në çështjen e mbrojtjes së klimës. Edhe protokollin e Kyottos e ka nënshkruar. Por që tani mund të shihet se ajo nuk mund t'u përmbahet as qëllimeve të vëna deri në vitin 2012. Këtë e pranon edhe vetë komisionerja. Prandaj, më të nevojshme se parlajmërimiet, janë veprat."

Gazeta e Potsdamit MÄRKISCHE ALLGEMEINE konstaton:

"Vetëm një Europë e Bashkuar ka shans të mbijetojë në këtë Monopoly me pushtetin tregut dhe peshën e saj politike ndaj Kinës, SHBA-ve dhe Rusisë. Fatkeqësisht pikërisht këtu po dëshmohet përçarja e Evropës. Prandaj edhe politika e re e Brukselit për energjetikën do të mbetet një tigër prej letre. As evropianët nuk do të bien dakord për qendrimin e tyre në lidhje me energjinë bërthamore, e as gjigantët e rrymave nuk do ta lejojnë veten të shkatërrohen nga BE-ja. Dhe as strategjia e qartë ndaj Rusisë nuk duket ende në horizont."

MANNHEIMER MORGEN bën këtë përmbledhje:

"BE-ja tani do të duhet të dëshmojë, se a është me të vërtetë në gjendje të krijojë një politikë të përbashkët energjetike (të jashtme). Sigurisht që duhet folur si për llampa kursyese ashtu edhe për burime alternative, por në planin afatmesëm e -gjatë Evropa ka nevojë për furnizues të besueshëm. Dhe të tillë, kjo duhet thënë njëherë qartë, nuk ka (me përjashtim të vetë anëtarëve, siç është Britania e Madhe). Evropa ka nevojë për një politikë të përbashkët energjetike, ku nuk ka vend për xhelozira kombëtare."

Në mbledhjen e kabinetit të mërkurën, kancelarja gjermane Angela Merkel, u prononcua pro planit të koalicionit për përfundimin e prodhimit të energjisë atomike. Ajo tha se do t'i mbetet besnike marrëveshjes, por shtoi se se kjo nuk do të thotë që të mos mendohet më për këtë çështje.

AACHENER NACHRICHTEN komenton:

"Çfarë tha para ca kohësh kancelarja? Nuk ka kuptim që të rigjallërosh çdo mëngjes temën e mbylljes së impianteve atomikë. Nuk do të ishte keq që edhe ajo vetë ta zbatonte këtë këshillë. Por ajo në të vërtetë është duke ushtruar sparkatën në politikën bërthamore: ecstasy për idhtarët e energjishë bërthamore në union dhe valium për partnerët socialdemokratë. Epo, çfarë atëherë? Kancelarja, e cila vetë është mbrojtëse e hapur e energjisë bërthamore, mendon se me këtë "edhe ashtu edhe kështu" do ta kalojë edhe atë pjesë të periudhës legjislative që i ka mbetur."

KIELER NACHRICHTEN në të kundërt konstaton:

"Është (...) e kuptueshme që kancelarja nga njëra anë premton besnikëri ndaj marreveshjes, në lidhje me përfundimin e prodhimit të enerjgisë atomike, dhe që në anën tjetër kërkon që të mos ndalohen mendimet. Nuk do t'i bënte keq pertnerit qeverisës që edhe ai të mos e trajtonte më si tabu çështjen e energjisë atomike."

Edhe FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG e lë të hapur opcionin e enerjgisë atomike dhe e sqaron këtë me një shembull:

"Për këdo që ka dëshirën ta dëgjojë, (ministri) Gabriel llogarit, që "nga viti 2020", kur të jetë hequr nga përdorimi centrali i fundit bërthamor, prodhimi i burimeve "të lehta" energjetike që do të jenë instaluar deri atëherë do të jetë shumë më i madh. (...) Kjo do të thotë: Në rast se në Gjermani fillon një krizë e përhershme vere, sasia e rrymës do të duhej të vinte menjëherë nga centralet e gazit, në qoftë se do të ketë gaz. ... Është e vërtetë që zonja Merkel është zotuar në marrëveshjen e koalicionit, se nuk do ta trazojë planin për mbylljen e centralëve bërthamorë, por si kancelare ajo ka për detyrë edhe të flasë për fakte, që në kohën kur është bërë marrëveshja, nuk ishin kaq të qarta."