Pedofili Mark Dytru merr fjalën në proces për të akuzuar të pandehurit e tjerë | Bota | DW | 03.03.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Pedofili Mark Dytru merr fjalën në proces për të akuzuar të pandehurit e tjerë

Më në fund pedofili Mark Dytru mori fjalën në procesin që po zhvillohet ndaj tij në Arlon të Belgjikës dhe akuzoi rëndë tre të akuzuarit e tjerë, që janë ulur me të përpara bankës së drejtësisë. Dytru tha se e konsideron veten si viktimë të një komploti të madh.

Pamje nga salla ku po zhvillohet gjykimi i Dytrusë në Arlon të Belgjikës

Pamje nga salla ku po zhvillohet gjykimi i Dytrusë në Arlon të Belgjikës

Kur kryetari i trupit gjykues të përbërë nga gjygjtarë dhe ndihmësgjygjtarë i bënte pyetje, Mark Dytru tregonte vazhdimisht me gisht në drejtim të të akuzuarit Mishel Niul, që ishte ulur tri karrige më tej. Të akuzuarit janë në sallë në kafazë prej xhami antiplumb. Prokuroria e akuzon Dytrunë se ka kidnapuar gjashtë vajza, ka vrarë dy prej tyre dhe se mban përgjegjësi për vrasjen e dy viktimave të tjera, tha se nuk ka fare të bëjë me këto vrasje dhe akuza. Ai pranoi se ka kidnapuar në vitin 1995 17-vjeçaren Ana dhe 19-vjeçaren Efje, por se të gjitha këto i ka bërë me porosi të tregëtarit nga Brukseli Mishel Niul, të cilin Dytru e quajti si kapon e një rrjeti që xhiron filma pornografikë me fëmijë dhe të mitur.

Dytru i përsëriti edhe një herë akuzat e tij të mëparshme ndaj dy punonjësve të policisë belge, të cilët sipas tij kishin luajtur rol në kidnapimin e fëmijëve. Njëri prej tyre madje kishte keqtrajtuar fizikisht njërën prej vajzave së bashku me Mishel Lëlievrë, i cili gjithashtu gjendet në bankën e të akuzuarve. Mark Dytru tha se nuk do t'i përmendte emrat e dy bashkëautorëve të mundshëm nga radhët e policisë belge. Në vijim të dëshmisë së tij e cila zgjati disa orë Dytru ngarkoi me përgjegjësinë e vrasjes së dy vajzave, Efje dhe Ana, të akuzuarin Mishel Lëlievrë si dhe një person tjetër, Bernhard Weinstein. Prokuroria e akuzon Dytrunë edhe për vrasjen e Bernhard Weinstein, gjë që Dytru në fillim e kishte pranuar, kurse tani përpara gjykatës e hodhi poshtë.

Mark Dutru thotë se nuk ka pasur asnjë lidhje me rastin e viktimave të para të kidnapuara në vitin 1995. Sipas tij që të dyja vajzat i kishte gjetur papritur në kuzhinën e shtëpisë së tij. Ato i kishin kidnapuar i pandehuri Mishel Lëlievrë, ish-gruaja e tij Mishelë Martin si dhe i akuzuari Mishel Niul. Dytru tha se për t'i mbrojtur i kishte strehuar të dyja vajzat në një kthinë të qilarit të shtëpisë, ku vajzat pasi ishin përdhunuar disa herë me radhë kishin gjetur vdekjen nga uria. Dytru pretendon se përgjegjësinë për vdekjen e vajzave e mban gruaja e tij, e cila nuk u kishte dhënë vajzave për të ngrënë edhe pse ai i kishte thënë që ta bënte këtë. Ai thotë se gjatë kësaj periudhe, ai vetë ka qenë për tre muaj në burg, sepse kishte vjedhur një makinë.

Duket se taktika e Dytrusë është që të pranojë vetëm ato pika të padisë, të cilat mund të vërtetohen përmes dëshmitarëve. Për të gjitha pikat e tjera, ku prokuroria nuk ka dëshmi tepër të qarta, ai mundohet t'ua hedhë fajin të tjerëve. Tre avokatët e tij po përpiqen të vërtetojnë se Dytru ishte vetëm një vegël në duart e një rrjeti të tërë pedofilësh. Ndërmjetësi sipas tij ka qenë tregëtari nga Brukseli Mishel Niul, gjë që avokati i këtij të fundit e hedh poshtë me forcë.

Marrja në pyetje e dëshmitarëve do të vazhdojë deri në mesin e muajit maj. Pas kësaj 12 anëtarët e trupit gjykues, gjasrhtë bura dhe gjashtë gra, do të marrin vendim, nëse Dytru dhe të tjerët janë të fajshëm apo jo. Në rast se trupi gjykues mendon se ata janë fajtorë, të akuzuarit i pret dënimi me burgim të përjetshëm.

  • Data 03.03.2004
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArTs
  • Data 03.03.2004
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArTs
Reklamë