Patriot dhe xhentëllmen. Portret i Xhon Kerrit
30 Tetor 2004
"Emri im është Xhon Kerri. Jam gati për shërbim". Xhon Kerri salutoi ushtarakisht, kur ai u prezantua si kandidat i demokratëve në korrik. E kaluara e tij si oficer i dalluar dhe dekoruar në Luftën e Vjetnamit përshkon si fill i kuq të gjithë fushatën zgjedhore të tij. Ajo synon të theksojë cilësitë drejtuese të Kerrit dhe patriotizmin e tij. Demokrati e thekson qëllimisht imazhin e tij si hero i luftës, me qëllim të vënies kundra imazhit të Bushit si president i vetëemëruar lufte. Politika e tij në Irak kritikohet nga Kerri gjithnjë e më ashpër:
"Ne e dimë tanimë që për vendin tonë dhe trupat tona ka më pak siguri pasi ky president nuk i ka bërë detyrat e tij si duhet në rastin e Irakut. Inkompetenca e pabesueshme e këtij presidenti rrezikon jetën e ushtarëve tanë dhe të vendit tonë"
Edhe për Kerrin lufta kundër terrorizmit qëndron e para në listën e prioriteteve, por ai nuk e sheh në Irak fushëbetejën kundër terroristëve dhe futjen në luftë në mënyrë të njëanshme të amerikanëve ne Irak, Kerri nuk e vlerëson si strategji të sukseshme.
Xhon Kerri mori pjesë në luftën në Vjetnam në vitin 1968, por tek ky hap nuk e shtyu entuziazmi i tij për luftën, por nderimi i tij për figurën e Xhon Kenedit, inicialet e emrit të të cilit mban edhe emri Xhon Kerri. Ai ka marrë pjesë në të njëjtat qarqe si Xhon Kenedi. Madje Kenedi e ka ftuar njëhere edhe Kerrin për lundrim me varkë. Por ndryshe nga Kenedi, Xhon Kerri ka rrënjë të përhapura gjeografike. Ai është rritur në një sërë shtetesh në dy kontinente. Kerri i përket një familjeje aristokratike si Bush, këto janë familje të cilat pas kohës së pavarësisë në Amerikë kanë pozicione të rëndësishme në politikën amerikane.
Por ndryshe nga Bushi, i cili i mëshon imazhit të tij si i afërt me popullin, Xhon Kerri duket si një xhentëllmen që njeh botën, që flet rrjedhshëm frëngjisht dhe zotëron finesën e të sjellurit. Pasurinë e tij të tanishme ai ja dedikon gruas së tij, trashëgimtare e një pasurie miliardash nga koncerni i Ketchup. Por pamja aristokratike e një burri 1.93 i gjatë, gjithmonë i veshur perfekt i jep Kerrit edhe një nuancë të njeriu gati të paafrueshëm. Kritikët e Kerrit e akuzojnë atë për arrogancë dhe mungesë të popullaritetit tek njerëzit. Por ajo që e bën Kerrin të dashur për njerëzit është besueshmëria dhe përvoja e tij. Kerri është angazhuar herët në politikë, krahas përvojës së tij si avokat dhe prokuror. Në vitin 1982 ai u zgjodh si demokrat, zëvendësguvernator në Masaçusets. Në vitin 1984 për herë të parë si përfaqësues i vendlindjes se tij, ai zuri një vend si senator. Në këtë pozicion Kerri u zgjodh për vite me radhë.
Kerri njihet si propangues i opinionit politik për kontrollin e fortë të armëve dhe tregtisë së tyre. Si senator ai është për krijimin e një sistemi të përgjithshëm të siguracionit shëndetësor, për reforma në arsim, mbrojtjen e mjedisit. Këto tema ai i ka kthyer në fushatë zgjedhore. Zgjedhësit do të vendosin në dy nëntor nëse Kerri me programin e tij do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë.