1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

31 Tetor 2003

Tema qendrore të cilat trajtohen në shtypin e sotëm gjerman janë Lindja e Mesme, kriza në Irak dhe koncepti i taksave i Unionit CDU-CSU i prezantuar nga zëvendësshefi i grupit parlamentar të Unionit, Friedrich Merz.

https://p.dw.com/p/As4g


Fillimisht me Lindjen e Mesme.

Shefi i përgjithshëm i ushtrisë izraelite Moshe Jaalon ka akuzuar qeverinë e tij për gabime dhe lëshime të rënda në politikën ndaj palestinezëve. Sipas tij veprimet e ashpëra në rajonet palestineze dëmtojnë rëndë interesat e Izraelit. Nga ana tjetër presidenti Jaser Arafat vetëm sa është forcuar prej se qeveria izraelite ka provuar ta largoj atë nga posti i presidentit. Në të njëjtën kohë politika izraelite ka bërë që ish-kryeministri palestinez Mahmud Abaz të dështoj në kryerjen me sukses të detyrës së tij. Lidhur me këtë Süddeutsche Zeitung e Mynihut shkruan:

"Edhe pse pakënaqësia në radhët e kampit të djathtë është e madhe kjo nuk do të arrij të ngadhënjej ndaj shumicës së izraelitëve të cilët janë për një kolonializim të palestinezëve".

Ndërkaq gazeta Pforzhemier Zeitung temë qendrore sot ka krizën në Irak:

"Qëllim kryesor i presidentit amerikan Xhorxh Bush ishte shkatërrimi personal i Sadam Hyseinit dhe demokratizimi i vendit mes Eufratit dhe Tigritit. Presidenti Bush deri më sot ka dështuar në të dy pikët. Në Irak askush nuk flet për një ent kalimtar, një qeveri të përkohshme e cila do të mirrte përsipër udhëheqjen e popullit irakian. Kush duhet ta drejtoj vendin. Pas përfundimit të luftës popullata civile ndodhet në një luftë të re, kundër terrorit dhe pritave. Por nga kjo dilemë vendi nuk do të çlirohej edhe sikur amerikanët të tërhiqeshin menjëherë prej Irakut. Për më tepër ngjashëm si në Vjetnam Iraku kërcënohet nga një kaos i brendshëm afatgjatë politik", nënvizon gazeta e Pforzheimit.

Kalojmë në një temë gjermane.

Zëvendësshefi i grupit parlamentar të Unionit Kristiandemokrat - kristiansocial Friderich Merz ka prezantuar së fundi një program për thjeshtësimin radikal të ligjit të taksave. Berliner Zeitung përshndet konceptin e ri:

"Zëvendësshefi i grupit parlamentar të Unionit prezantoi më në fund një koncept i cili në të vërtetë meriton të quhet me emrin "reformë". Ai është i përshtatshëm të përkujdeset për transparencë, të evitoj padrejtësitë dhe në fund ti jap hov ekonomisë gjermane. Sikur ministri Eichel të përpunonte me kohë një koncept të tillë, me siguri se socialdemokratët sot do ti kishin punët më mirë", vlerëson Berliner Zeitung e cila botohet në kryeqytetin gjerman.

Ndërkaq po për të njëjtën çështje Reutlinger General-Anzeiger mendon:

"Kaq i suksesshëm mund të jetë kopjimi: zëvendësshefi i grupit parlamentar të Unionit gjerman në opozitë, Friedrich Merz me konceptin e tij për taksat prezanton një program i cili në formë të ngjashme ka vite që përfaqësohet nga liberalët apo eksperti taksave Paul Kirschhof. Fakti që Friedrich Merz duartrokitet për koncepte të vjetëra tregon se sa shumë kanë ndryshuar gjërat: shoqëria e konsensusit e ka kuptuar se pa përtritje rrezikon të copëtohet", konkludon Reutlinger General-Anzeiger.

Nga ana tjetër gazeta Handelsblatt e cila botohet në Dyseldorf tërheq vërejtjen që mos të teprohet me optimizëm:

"Politikisht qëndron vetëm rreziku që koncepti fillimisht të gjej përkrahjen e përgjithshme. Megjithatë me të filluar që ai të kthehet në projektligje do të këndellemi. Poashtu edhe nga ekonomia së shpejti Merz do të përballet me kundërshtitë e para. Shoqëritë e kapitalit aktualisht paguajnë 38 përqind taksa. Sipas planit të Friedrich Merz ato në të ardhmen do të paguajnë 36 përqind pra 2 përqind më pak por për këtë si dëmshpërblim duhet të pranojnë një të drejtë krejtësisht të re për bilanzin e tatimit. Pas duartrokitjeve të para më së voni kur të arrihet tek kjo pikë ekonomia do të heq dorë nga Friedrich Merz për ti dhënë sërish mbështetjen ministrit të financave Hans Eichel".