1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

4 Nëntor 2003
https://p.dw.com/p/As4Z

Debati në vazhdim mbi reformat në Gjermani preokupon komentatorët e shtypit gjerman të ditës. Dy aspekte qëndrojnë në plan të parë: e ardhmja e pensioneve dhe qëndrimi refuzues i bashkimit kristiandemokrat-kristiansocial ndaj reformës fiskale të planifikuar nga qeveria. Një përmbledhje nga Ulrike Quast.

Gazeta Frankfurter Rundschau mendon:

"Në një krizë të vërtetë ekonomike, viktimë e së cilës po bien shumë persona të aftë për punë, mund të jetë në të njëjtën kohë e drejtë që si përjashtim për një vit të kërkosh nga pensionistët pensione të pandryshuara. Megjithatë kjo politikë bëhet tejet problematike kur ngatërrohen sipas nevojës veprimet josistematike të kursimit me reformën themeltare. Një gjë e tillë ka ndikim të kundërt jo vetëm tek gatishmëria sigurisht ekzistuese e të moshuarve që për arsye solidarizimi të pranojnë edhe ata shkurtime në të ardhurat."

E përditshmja Die Welt shkruan:

"Sigurimi i kohës së pleqërisë ka rrëshqitur në një pozicion të pafavorshëm, të rrezikshëm. Që prej më shumë se 20 vjetësh parashikuesit paralajmërojnë për pasojat dramatike e megjithatë me reformën e pensioneve të vitit 2001 koalicioni qeverisës vazhdon t'u hedhë hi syve shtetasve. Qeveria sugjeroi se me pak sigurim privat dhe me ulje minimale të nivelit të pensioneve kontributet për pensionet mund të bëhen të qëndrueshme për dhjetëvjeçarë të tërë, por konstrukti prej gënjeshtrash u rrëzua më shpejt sesa ç'pritej. Kusuret i paguajnë tani të moshuarit. Në vend që t'u jepet fund arnimeve ka përsëri vetëm përpjekje për të qetësuar njerëzit."

Gazeta e Dyseldorfit Handelsblatt komenton:

"Për një kurs të suksesshëm konsolidimi në Gjermani duhet që së pari qeveria t'i japë fund "politikës së saj të paqëndrueshme financiare, të reagimit vetëm kur çohet zëri" ndërsa opozita manovrave të saj taktike. Nevojitet një strategji afatgjatë për një shtet, i cili shpenzon dhe rishpërndan ndjeshëm më pak se gjysmën e prodhimit ekonomik vjetor. Për këtë duhen hequr brenda një afati të përcaktuar qartë të gjitha subvencionet dhe përfitimet fiskale."

Një vështrim në gazetën Darmstädter Echo:

"Një gjë sa vjen e bëhet më e qartë: Nën presionin e mungesës së miliarda eurove në buxhet dhe e shtyrë nga fjala e nderit e kancelarit për t'i mbajtur me çdo kusht të pandryshuara kontributet shoqërore qeveria Schröder ka kryer një kthesë sa hap e mbyll sytë. Vetëm pesë vite kanë kaluar qëkurse Gerhard Schröder-i e hodhi poshtë faktorin demografik të qeverisë së Kohl-it me argumentin se ngarkesa e lidhur me të - atëherë bëhej fjalë vetëm për uljen e shkallës së rritjes së pensioneve - përbënin padrejtësi të hapur. Sot janë të vetmit pensionistët ata që duhet të paguajnë për moslejimin e rritjes së kontributeve për pensionet shtetërore, gjë që në fakt duhet të ndodhte."

Në gazetën e Mynihut Tageszeitung thuhet:

"Gjendemi në krizën më të madhe të Republikës Federale Gjermane. Njerëzit kanë frikë. Frikë për vendet e punës, pensionet, për sigurinë. Tani nuk kemi nevojë për këshilla dhe komisione, por më në fund për veprim. Përndryshe po marshojmë duke llomotitur drejt ngecjes në vend numëro."

Lidhur me reformën fiskale Mannheimer Morgen konstaton:

"Këtë herë Partia Kristiandemokrate, CDU po lufton me të gjitha forcat dhe kërkon ta realizojë programin përkundër të gjitha kundërshtimeve. Por këtu ka një problem të vogël: CDU-ja është në opozitë dhe këtu i var shpresat tek bllokimi. Reformën fiskale të qeverisë kuqegjelbër ajo do ta refuzojë. Arsyeja: Sepse financimi bëhet me kredi. Por fakti që edhe projektet e veta ndjekin të njëjtën rrugë nuk e rrit shkallën e besimit. Me plane të tilla përmirësohen rezultatet e anketimeve, por a i ndihmohet rimëkëmbjes së ekonomisë?

Në përfundim Ostthüringer Zeitung:

"Vetëm atëherë kur në të drejtën fiskale të jetë kthyer qartësia mund të lindë tek shtetasi ndjenja e drejtësisë. Perspektiva e një sistemi tatimor të thjeshtë dhe të qartë mund të çlirojë energjitë dinamike për të cilat ka nevojë motorri ekonomik. Qeveria dhe opozita nuk duhet të bllokojnë njëra-tjetrën as në afrimin e uljes së taksave dhe as në reformën rrënjësore. Për më shumë të dyja janë pjesë të lidhura."