1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

3 Dhjetor 2003
https://p.dw.com/p/As3n
Vizita e kancelarit gjerman në Kinë është në qendër të shtypit të sotëm gjerman. Ndër pikat më të kritikueshme të vizitës së Gerhard Schrëderit në Kinë janë bisedimet për teknologjinë e përdorimit të energjisë bërthamore.

Në lidhje me këtë gazeta "Kieler Nachrichten" shkruan:

"Eshtë për t'u çuditur që pikërisht kjo qeveri gjermane e cila propagandon me forcë se do të kishte hequr dorë më mirë sot se sa nesër prej energjisë atomike, dëshiron që t'ua shesë kinezëve fabrikën e plutonit në Hanau. Pikërisht Kina, e cila ka etje për pushtet në një rajon gjeostrategjik tepër të paqëndrueshëm pritet të marrë pajisje dhe fabrika me të cilat mund të prodhohen edhe elementët bazë për ndërtimin e bombave atomike. Në rast se kjo është rruga e re që ndjek Gjermania në politikën e saj të jashtme, njeriu duhet të ketë frikë.

Me nota kritike shprehet edhe "Frankfurter Rundschau":

"Me teknologjinë e fabrikës në Hanau Kinës i jepet mundësia që të prodhojë sasi të tilla plutoni që mund të përdoren edhe për armë atomike. Dhe këtu është pika problemore. Sikurse edhe në vendet e tjera që janë fuqi atomike edhe në sektorin e teknologjisë bërthamore kinez nuk ekziston një vijë e qartë ndarëse mes sektorit civil dhe atij ushtarak. Do të ishte mendjelehtësi të besoje se bashkë me tekonologjinë bërthamore Gjermania do të eksportonte në Kinë edhe rregulloret se për cilin sektor lejohet të përdoren prodhimet e kësaj fabrike."

Gazeta "Handelsblatt" shpreh rezervat e saj në lidhje me propozimin e Shrëderit për të abroguar embargon e armëve që ka vendosur BE ndaj Kinës. Nga ky artikull citojmë:

"Një proverb i lashtë kinez thotë: "Kush do të kalërojë një tigër, duhet të mendojë fillimisht se ku do të arrijë të zberesë prej tigrit". Duket se kancelari gjerman, i cili është një udhëtar i apasionuar pas Kinës, nuk i njeh të tilla këshilla që ofrojnë proverbat kinezë. Ndryshe kancelari gjerman nuk kishte pse të shprehej pa nevojë dhe pa u menduar gjatë për abrogimin e embargos së armëve që ka vendosur BE ndaj Kinës."

Kurse ne gazeten Netzeitung theksohet se megjithëse se presidenti tajvanez Chen Shui-Bian kishte kërcënuar se do të organizonte një referendum për pavarësinë e Tajvanit prej Kinës, kancelari gjerman Gerhard Schrëder shprehu gjatë një diskutimi me studentë kinezë mirëkuptim për qëndrimin e Kinës kundrejt Tajvanit. Kina është angazhuar gjithmonë për njësinë e vendit tha Shrëderi. Sipas tij Kina është një vend i vetëm dhe duhet të mbetet i tillë. Gjermania do të vazhdojë të mbështesë politikën e një Kine - u shpreh Shrëder. Ne kemi përvojë se çdo të thotë ndarje e një vendi - u shpreh Shrëder dhe prej kësaj përvoje buron edhe qëndrimi ynë.

Gazeta "Tageszeitung" kritikon qëndrimin e kancelarit në lidhje me të drejtat e njeriut në Kinë. Nga njëra anë mbështetet zhvillimi ekonomik i Kinës, nga ana tjetër shkurtohen fondet për thellimin e dialogut kinezo-gjerman në fushën e drejtësisë. Citojmë:

Qeveria gjermane do të bënte mirë që të mbështeste edhe zhvillimin në fushën e drejtësisë. Dialogu që zhvillon Shrëderi nuk është i zhveshur prej hipokrizisë. Ai është krenar që investimet gjermane në Kinë janë dyfishuar duke kapur shifrën e 14 miliardë eurove. Nga ana tjetër buxheti për procesin e dialogut në fushën e drejtësisë sa vjene ulet. Schrëderi po bën në Kinë shumë për ekonominë, mirë e bën, por ai s'po bën sa duhet për të drejtat e njeriut.