1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

9 Dhjetor 2003
https://p.dw.com/p/As3c
Temë qendrore në shtypin e sotëm gjerman është rrjedha e zgjedhjeve parlamentare në Rusi. Një temë tjetër është edhe shkurtimi i planifikuar i numrit të ushtarëve gjerman në kuadër të trupave paqëruajtëse në Ballkan. Për zgjedhjet parlamentare në Rusi gazeta Süddeutsche Zeitung e cila botohet në Mynih shkruan: "Natyrisht se presidenti Putin nuk është i vetëm, në pushtetin që ka në dorë në vendin më të madh të botës. Pas personit të presidentit qëndron pushteti i një dinastie të oficerëve të dikurshëm të shërbimit të fshehtë shtetëror rus KGB apo teknokratëve. Presidenti dhe ky ekip i orientuar drejt pushtetit të lartë, në vitin 2000 kanë prezantuar një program reformash i cili në fund të nxjerr një Rusi të fortë, të konsoliduar si politikisht ashtu dhe ekonomikisht e ushtarakisht. Andaj edhe kësaj radhe fitores sa triumfale aq të dyshimtë të partive të afërta me presidentin, do t`i mungojnë kundërpeshat dhe korrektorët e programit të reformave: fal manipulimeve të shtetit në fushatën elektorale janë goditur rëndë komunistët si forca më e fortë opozitare ndërkohë që liberalët nuk kanë arritur as të kalojnë pragun zgjedhor për tu futur në parlament" thekson Süddeutsche Zeitung. Ndërkaq gazeta Bonner GENERAL-ANZEIGER nga ana tjetër mirret kryesisht me reagimet e perëndimit: "Perëndimi reagon me mëdyshje dhe jo gjithnjë konsekuent kur ai mbron si viktima të një "totalitarizmi" të ri, si komunistët e vjetër ashtu dhe oligarkët që në kohën e Jelcinit e dinin se çka do të thotë sigurimi i pushtetit mbi mediat dhe resurset e vendit. Shumë i besojnë Putinit. Disa dyshojnë që ai mund të përballoj ngasjen e pushtetit. Megjithatë një gjë dihet: një Rusi e fortë, stabile dhe e hapur ndaj botës do të ishte fatmirësi për të gjithë", mund të lexohet në GENERAL-ANZEIGER. Gazeta STUTTGARTER NACHRICHTEN ndërkaq i vlerëson pozitivisht zgjedhjet në Rusi: "Demokraci në rusisht: jo vetëm aktualisht por edhe për një kohë të gjatë rusët nuk kanë alternativë tjetër reale në vend të Putinit. Shefi i Kremlinit reagon i pakontestuar dhe sovran edhe për faktin se disponon një zhdërvjelltësi që nuk lejon krahasime negative me një tribu popullor apo një car. Kështu mund të konkludohet: në Rusi mbetet gjithçka ashtu siç është. Bota, përkundër kritikave të vëzhguesëve të zgjedhjeve duhet ta kenë këtë parasysh", shkruan STUTTGARTER NACHRICHTEN. Me gazetën Berliner Zeitung ndërrojmë temë dhe kalojmë në rajaon. Forcat paqëruajtëse ndërkombëtare në Kosovë përgatiten për "shkurtimin drastik" të numrit të pjestarëve të tyre në Kosovë, lexojmë në gazetën "Berliner Zeitung" e cila thirret në burime të Bundesvehrit gjerman pas vizitës që ministri gjerman i mbrojtjes Peter Struck zhvilloi në Ballkan. Sipas së përditshmes së kryeqytetit Berlin, vetëm numri i ushtarëve gjermanë nga 3400 sa ndodhen aktualisht do të mund të pakësohet në 1500. Aktualisht në përbërje të Kforit ndodhen 17,500 ushtarë nga gjithsejt 34 vende të ndryshme të botës. Megjithatë këto shkurtime nuk mund të priten deri në fund të vitit 2004, shkruan gazeta. Deri atëherë komanda e Kforit do të veproj në bazë të udhëzimeve përkatëse. "Vetëm pas zgjedhjeve në Kosovë që do të mbahen në vjeshtën e vitit 2004 do të mund të vlerësohet saktë se a ka arritur rajoni stabilitetin e nevojshëm politik, citon Berliner Zeitung komandantin e Kforit, gjeneralin gjerman Holger Kamerhof. Deri atëherë sipas Kamerhof duhet të qartësohet se a janë plotësuar kushtet që më tepër përgjegësi të kalohen tek policia e Unmikut dhe policia vendore e Shërbimit Policor të Kosovës. Pjestarët e forcave paqëruajtëse përveç se kryejnë detyrat e zakonshme ushtarake kontrollojnë edhe kufirin me Serbinë, Maqedoninë dhe Shqipërinë si dhe mbrojnë pakicën serbe nga sulmet e shqiptarëve të kosovës, theksohet në gazetë. Ministri Struk gjatë vizitës së tij në Kosovë ka theksuar se Kfori në Kosovë duhet të jetë i angazhuar edhe për një kohë të gjatë. Megjithatë njerëzit në rajon nuk guxojnë të mendojnë se ne atje do të qëndrojmë me dekada", citon Berliner Zeitung minisrin gjerman të mbrojtjes Peter Struck.