1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

11 Dhjetor 2003
https://p.dw.com/p/As3Z
Shtetet e Bashkuara të Amerikës përjashtojnë firmat e vendeve kundërshtare të luftës nga kontratat e rëndësishme për rindërtimin e Irakut. Ky përjashtim si dhe dështimi i padisë së serbëve ndaj qeverisë gjermane janë tema qendrore në shtypin e sotëm gjerman.

Për vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës gazeta Handelsblatt e cila botohet në Dyseldorf shkruan:

"Me pak punë por me mund diplomatik presidenti Bush provoi të hap rubinetet për derdhjen e të hollave ndërkombëtare për rindërtimet në Gjirin Persik. Përmes vendimit të fundit amerikan zemërgjerësia e vendeve të lëna jashtë guxon të mbes shumë e përkufizuar. E dëmshme kjo është edhe për thirrjen e presidentit Bush në luftën e përbashkët kundër terrorizmit ndërkombëtarë. Pentagoni ngacmoi sërish plagët e vjetëra të luftës së Irakut çka në të vërtetë i shkakton presidentit Bush autogol klasik", komenton Handelsblatt në numrin e saj të sotëm.

Ndërkaq Frankfurter Rundschau mendon:

"Në logjikën e zëvendësekretarit amerikan të mbrojtjes Paul Volfovitz kjo është përpjekje për nxitjen e gatishmërisë për bashkëpunim të kundërshtarëve të dikurshëm të luftës. Në praktikë ato dënohen ekonomikisht. Bëhet fjalë për hakmarrje të pagdhendur. Por sknadali në të vërtetë nuk ka të bëj me atë se firmat gjermane apo franceze do të jenë aktive vetëm si punëmarrëse nga firmat e mëdha amerikane në Irak por se qeveria amerikane e Bushit po i kryen llogaritë me palën kundërshtuese në kurriz të irakianëve", nënvizon Frankfurter Rundschau.

Ndërsa gazeta e Berlinit Di Welt kujton se edhe Gjermania bën pjesë tek vendet kundërshtare të luftës në Irak:

"Qeveria federale gjithsesi se ka merituar dënimin e tanishëm. Nga ana tjetër mbetet çështje e dyshimtë se a janë të mençura veprimet aktuale amerikane. Aleatët në Irak kanë nevojë për ndihmë. Një përkeqësim i sërishëm në marrdhëniet transatlantike i shkon për shtati vetëm armiqëve të lirisë në Irak. Përndryshe nëse firmat gjermane do të merrnin pjesë në rindërtimin e Irakut atëherë edhe tek ne këtu në Gjermani do të vetëdijësoheshim se në Gjirin Persik është mbrojtur dhe po mbrohet edhe liria jonë", lexojmë në Die Welt.

Një temë tjetër të cilës i kushtohet rëndësi nga të përditshmet gjermane është sot edhe humbja e procesit gjyqësor e një grupi qytetarësh të Serbisë në ish-kryeqytetin Bonn. Bëhet fjalë për padinë e 35 serbëve kundër qeverisë federale gjermane për bashkëpërgjegësi në sulmin ajror të Natos të kryer në vitin 1999 ndaj qytetit Varvarin në Serbi si pasojë e të cilit jetën patën humbur 10 dhe u patën plagosur 17 persona tjerë. Të mbijetuarit dhe pjestarë të familjeve të viktimave kërkojnë nga qeveria gjermane 3,5 milionë euro dëmshpërblim. Sipas trupit gjykues megjithë faktin se dëshmitë e prezantuara nga pala mbrojtëse kanë qenë të llahtarshme, padia nuk ka bazë juridike as në të drejtën gjermane e as në të drejtën ndërkombëtare.

Sot lidhur me këtë ëetzlarer Neue Zeitung shkruan:

"Republika Federale e Gjermanisë, e cila donte të evitonte një tragjedi në Kosovë është bashkëfajtore që jetën humbën edhe njerëz të pafajshëm. Në cilin vend jetojmë në të vërtetë. Çfarë vendi është ky që në vend se të ndihmoj të mbijetuarit dhe viktimat e tragjedisë për një gjë të tillë duhet të dal para gjyqit. Kush frikësohet se me këtë do të krijohej një rast precedent, do të ishte mirë të kujtoj kohën e pasluftës së dytë botërore. Vendi nuk është varfëruar nga dëmshpërblimet që Gjermania i ka paguar viktimave të luftës. Sa i përket dëmshpërblimeve që mund të llogariteshin lidhur me luftën e Kosovës ato nuk do të ishin më shumë se një e njëmijëta e shumës së paguar për luftën e dytë botërore" vjen në përfundim gazeta Wetzlarer Neue Zeitung.