1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

9 Janar 2004
https://p.dw.com/p/As37
Shifrat e fundit nga tregu i punës, vendimi i Bankës Qendrore Evropiane për të mos e ndryshuar normës kryesore të interesit dhe skandali për mishin e paanalizuar të gjedhit për sëmundjen BSE, ose të "lopës së çmendur" prokupojnë sot komentatorët e të përditshmeve gjermane.

Numri i të papunëve në Gjermani vazhdon të rritet, megjithëse jo aq shumë sa ç'ishte parashikuar disa javë më parë. Lidhur me këtë gazeta e Dyseldorfit Handelsblatt shkruan:

"Arsyeja për mosarritjen e rekordit të papunësisë siç parashikohej ende disa muaj më parë nga ekspertët është regjimi më i rreptë i zyrave të punës. Megjithatë kjo nuk ndryshon gjë në faktin që tregu është në gjendjen më të keqe që prej ekzistencës së Republikës Federale Gjermane. Së shpejti shifrat mund të bëhen edhe më negative, pasi së shpejti do të përfundojë kryqëzata e drejtorit të Agjencisë Federale të Punës Gerster kundër "papunësisë në dukje".

Gazeta Bonner General-Anzeiger i referohet riemërtimit të Entit Federal të Punës në Agjencisë Federale të Punës kur shkruan:

"Fatkeqësisht realiteti në tregun gjerman të punës është larg korrigjimeve të tilla kozmetike. Shifrat e papunësisë janë siç ishin edhe përpara riemërtimit: shumë të larta. A ka perspektivë përmirësimi: këtë vit jo. Përmirësime në tregun e punës gjatë vitit 2004 nuk do të ketë; përveç atyrë të kushtëzuara nga stinët. Kësaj i shtohet pasiguria lidhur me politikën e ardhshme në fushat e shëndetësisë dhe të pensioneve. E në të tilla kushte edhe prirja e konsumatorëve për të blerë mallra mbetet e dobët."

Më optimiste shprehet në këtë kuadër gazeta Financial Times Deutschland:

"Strategë partishë vini re! Në qoftë se vazhdon kjo tendencë në tregun e punës, atëherë më e vonëta pas dy muajsh do të kemi një surprizë të vogël, numri i të papunëve do të bjerë nën vlerën e vitit të kaluar. Përvoja e vendeve të tjera tregon që një hov ekonomik mund të japë shumë shpejt në marrëdhëniet e thjeshta të punësimit, siç janë të ashtuquajturat minijobs. Në etapën e dytë do të rriten edhe ofertat e rregullta për punë, ato të kualifikuara. Pra në përgjithësi hovi në tregun e punës mund të jetë më i theksuar sesa të bëjnë të kujtosh rregullat e vjetëra."

Vendimin e Bankës Qendrore Evropiane dhe frikën e eksportuesve gjermanë nga një monedhë euro tepër e fortë e komenton gazeta Süddeutsche Zeitung e Mynihut:

"Vetëm në katër javët e kaluara dhe vetëm me pesë për qind është rritur euroja mbi nivelin e hyrjes në qarkullim në vitin 1999. Atëherë askush nuk do të ishte kujtuar të ankohej për një euro të fortë. Evropianët kanë edhe sot arsye të rrijnë të qetë. Euroja është shtrenjtuar kryesisht ndaj dollarit amerikan, në krahasim me të gjitha monedhat e tjera të rëndësishme si stërlinën ose jenin rritja ka mbetur mjaft e kufizuar. Por vetëm rreth dhjetë për qind e eksporteve gjermane shkojnë në hapësirën e dollarit."

Gazeta berlineze Die Welt shkruan:

"Së paku statistika për Gjermaninë tregon suksese të konsiderueshme në eksport vitin e kaluar, megjithëse në atë kohë pati zënë fill ai zhvillim kursit, i cili për shumë njerëz është shqetësues. Që prej vitesh bëhet thirrje për ulje të normve të interesit, por këto kanë vetëm atëherë kuptim kur i jepen impulse të reja një tregu monetar që stepet. Ato nuk ndikojnë në raste prirjesh të qarta të tregut, siç vëzhgohen tani."

Lidhur me skandalin më të ri të "lopës së çmendur" në Stuttgarter Nachrichten lexojmë:

"Sërish po bëhet e qartë që besimi në cilësinë e prodhimeve tona ushqimore nuk duron dot as një për mijë fije dyshimi. Kush e sillet pa kujdes me këtë të mirë, rrezikon më shumë sesa vetëm një rast ligjor prove. Në përfundim besimi në njërin prej ushqimeve tona bazë, i ndërtuar me mund mund të shkatërrohej jo vetëm me pakujdesi por mbi të gjitha për një kohë të gjatë."

Ngjashëm shkruan gazeta Kölnische Rundschau:

"Në rast se numri i gjedhëve të testuar nuk rritet shumë, nga këndvështrimi mjeksor dëmi mund të jetë i kufizuar. Një përqindje provash për sëmundjen BSE prej 99,95 për qind është e admirueshme, por politikisht çdo gabim është i tepërt. Filizi i besimit të konsumatorëve dhe siguria e ushqimeve janë rritur me vështirësi. Që tani të mbingarkoheshin nga pakujdesia ose qëllimisht me pleh, kjo nuk duhet pranuar."