Pasqyra e shtypit gjerman | Studimi në Gjermani | DW | 23.02.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit gjerman

Temat e kësaj pasqyre shtypi janë përfundimi i zgjedhjeve në Iran, atentati me vetëvrasje në Jeruzalem dhe diskutimi mbi anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Evropian.

Lidhur me fitoren e konservatorëve në zgjedhjet parlamentare në Iran lexojmë në gazetën Westfälischer Anzeiger :

"Këshilli mbikqyrës, i vetmi pushtet i vërtetë i vendit, njofton me cinizëm për përmbushje të detyrës: përfundimi i një eksperimenti, të cilin ai e duroi pa dëshirë kur nëpërmjet presidentit të shtetit Chatami u premtua njëfarë demokracie, plan që dështoi për shkak të fuqisë së madhe të mullahëve. Megjithatë kthimi prapa nuk do të bëjë tituj lajmesh, pasi ata që shkruajnë me kenaqësi për këto me kohë janë bërë pjesë e viktimave të lirisë gjoja të re, të cilëve u është mbyllur goja."

Gazeta Tagesspiegel e Berlinit shton:

"Nëse kërkohet diçka pozitive në këtë mes atëherë ajo është kjo: Loja disavjeçare me të fshehur e titulluar "Kush e ka vërtet pushtetin në këtë shtet?" përfundoi. Reformatorët janë larguar tashmë dhe hapin pamjen për të parë atë që Irani nuk ka reshtur së qëni edhe nën drejtimin e Chatamit: një shtet i cili e mbështet organizatën terroriste Hisbollah me armë dhe para prej 100 milionë dollarësh të përllogaritur çdo vit; një shtet që bashkëpunon me grupet terroriste palestineze dhe që vazhdimisht përpiqet të pengojë paqen në Lindjen e Afërme; një shtet që është fare pranë ndërtimit të bombës bërthamore dhe që për këtë arsye duhet kontrolluar imtësisht."

Nga ana tjetër gazeta Rheinpfalz mbërrin në këtë përfundim:

"Megjithë ripushtimin e parlamentit konservatorët nuk do të kenë hapësirë të pakufizuar manovrimi. Fuqia e reformatorëve qëndron në mospjesëmarrjen e gjysmës së zgjedhësve iranianë në votime dhe e 70 për qind të popullsisë së kryeqytetit Teheran, sepse ata nuk presin më asgjë prej parlamentit. Ky është një grup i madh, i cili kërkon ndryshime dhe që nuk mund të injorohet as nga një shumicë konservatore në parlament."

Atentatin e fundit me vetëvrasje ndaj një autobusi të mbushur plot të një linje në Jeruzalem e komenton gazeta Dresdner Neueste Nachrichten :

"Atentati shkatërrimtar mbështet ata izraelitë për të cilët muri ndarës me territoret palestineze duhet të jetë edhe më i lartë e më i gjatë. Kur shikon të vdekurit dhe të plagosurit lind një reagim i kuptueshëm; por vetëm në pamje të parë. Pajisjet kufizuese shkaktojnë probleme të reja pa i zgjidhur ato të vjetra. Për palestinezët e përjashtuar me anë të murit jeta hidhet edhe më e vështirë. Rezervuari i terroristëve të mundshëm rritet. Fatkeqësisht në procesin e stabilizimit të Lindjes së Afërme, pasi për proces paqeje ka kohë që nuk mund të bëhet fjalë, që prej disa kohësh bëhet një hap përpara dhe dy hapa prapa."

Gazeta Märkische Allgemeine që botohet në Potsdam vëren:

"Në seancën e dëgjimit përpara Gjykatës Ndërkombëtare e cila fillon sot izraelitët do të argumentojnë se gardhi i sigurisë do të ndihmojë në shmangjen e atentateve të tilla, por, dhe kjo nuk duhet harruar përballë pamjeve të tmerrshme nga Jeruzalemi, më i diskutueshëm sesa gardhi vetë është rrjedha e tij. Për kilometra të tërë ai hyn në territor palestinez dhe i del përpara marrëveshjes përfundimtare për kufirin, e cila mund të vuloset vetëm në një marrëveshje paqeje."

Me marrjen e qëndrimit të presidentit gjerman Johannes Rau lidhur me përpjekjet e Turqisë për anëtarësi në Bashkimin Evropian merret gazeta Süddeutsche Zeitung : "Më për të ardhur keq në ndërhyrjet e presidentit është toni i tyre bazë negativ. Asnjë fjalë miratimi për hapat e deritashëm të Turqisë. Asnjë fjalë inkurajuese, që së paku qeveria në Ankara gjendet në udhën e duhur. Vetëm se në këtë mënyrë presidenti u jep një tingëllim të dyshimtë shprehjeve të tij edhe në kuadër të politikës së brendshme. Johannes Raut, për të cilin integrimi i turqve në Gjermani përbën pa dyshim një preokupim, do t'i shkonte shumë më tepër një mesazh pozitiv në lidhjen e këtij integrimi me evropianizimin e Turqisë."

  • Data 23.02.2004
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/As2D
  • Data 23.02.2004
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/As2D