1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

Auron DODI4 Mars 2004

Përgjimi i banesave në Gjermani dhe krahasime të kundërshtarëve Bush dhe Kerri në SHBA janë në qendër të shtypit gjerman sot

https://p.dw.com/p/As1z
Fotografi: AP

Sulmi i madh i përgjimeve bëhet i vogël: Gjykata kushtetutese Gjermane e shpalli përgjimin akustik të banesave në pjesën më të madhe si antikushtetues dhe kërkon që deri në mesin e vitit 2005 të jetë ndryshuar ligji përkatës në fuqi. Në komentet e gazetave të sotme gjermane sot ne gjejmë shumë mirëkuptim për këtë hap, si për shembull në gazetën FRANKFURTER RUNDSHAU (FRANKFURTER RUNDSCHAU):

"Banesa është e pacënueshme, është urdhëri (i gjykatësve) i përmbledhur,pjesa tjetër në tekstin e vendimit të tyre, rreth 98,9 përqind të Nenit 13 bën fjalë për kufizimin e së drejtës së çmuar për liri. Në këtë drejtim, dhe ky është mesazhi negativ, nuk ndryshoi gjë as vendimi i Gjykatës Kushtetuese për përgjimin e personave të dyshuar. Shumica e gjykatësve të senatit të parë të Gjykatës Kushtetuese nuk arriti dot deri në një dënim për shkeljen e kushtetutës, hap për të cilin votuan pro gjashtë vjet më parë deputetë konservatorë unionistë, të socialdemokratëve dhe deputetë liberalë të FDP-së. Në bazë të vendimit të Gjykatës, antikushtetues nuk është vetë neni 13, i cili e ka degraduar mbrojtjen e sferës intime në një mall për shitje. Por vetëm formulimi konkret (i legjitimimit të kësaj shkeljeje) në Kodin Penal. Ky formulim, dhe kjo të gëzon, do t'u rëndojë jo pak ligjvënësve."


Gazeta EKSPRES (EXPRESS) që botohet në Këln shkruan:

"Për ish-ministren federale të drejtësisë, Zabine Lojthojzer Shnarrenberger, vendimi i fundit i gjykatësve të Karlsruhes do të ketë qenë një kënaqësi. Për shkak të protestës kundër ligjit të përgjimit ajo dha dorëheqjen që në vitin 1995 dhe së bashku me dy miq të saj liberalë luftoi kundër këtij ligji me një ankesë në Gjykatën Kushtetuese. Atëherë ajo korri nga shumica e kolegëve të saj politikanë në rastin më të mirë buzëqeshje keqardhjeje. Sot del në pah se trioja e qëndrueshme liberale kishte të drejtë me angazhimin e saj për shtetin juridik."

Gazeta ZYDDOJCE CAJTUNG(SÜDDEUTSCHE ZEITUNG) shkruan për vendimin nga Karlsruhe:

"Më në fund Gjykata po përpiqet t'i mësojë politikës dhe ekzekutivit sërish vlerën e të drejtave bazë. Ajo e bën këtë në shembullin e pacënueshmërisë së banesës, duke konfirmuar se ekziston një sferë e paprekshme bazë e jetës private, të cilën shteti duhet ta respektojë. Vendimi i Gjykatës eleminon një paragjykim të rëndësishëm politik: që duhen pakësuar të drejtat bazë të njeriut për të luftuar shkeljet penale. Ai drejtohet kundër tendencës politike të kohës dhe kundër tendencave të të gjitha ligjeve më të reja të sigurisë. Ai është një imperativ i shtetit juridik."

Ja edhe një vështrim në gazetën e Bonit GENERAL ANCAJGER (GENERAL-ANZEIGER):

"Fitimtari i vërtetë është shteti juridik. Senatit të parë (të Gjykatës Kushtetuese) iu desh të vendoste për dy çështje juridike: për mbrojtjen e publikut kryesisht nga krimi i organizuar dhe për mbrojtjen parimore të sferës private, në të cilën fjala e shqiptuar brenda katër mureve të shtëpisë tënde, të mbetet e padëgjuar nga të tjerët. Vërtet që paragrafi i parë i Nenit 13 të Kushtetutës së Gjermanisë thotë se "banesa është e pacënueshme", por me sa duket kushtet për këtë cënim janë të caktueshme. Gjykatësit kushtetues gjermanë e vendosën lejimin e përgjimit vetëm kur akti i personit të dyshuar plotëson kushtet për t'u dënuar me më shumë se pesë vjet heqje lirie. Këtu tani futen disa vepra të deritashme penale, si për shembull falsifikimi i çeqeve bankare."


Gazeta MITTELBAJERISHE CAJTUNG (MITTELBAYERISCHE ZEITUNG) që del në Regensburg i kushton vëmendje vendimit për kandidaturën presidenciale të demokratëve amerikanë:

" Midis Bushit dhe Kerrit kërcënon të shpërthejë një luftë e polarizimit ekstrem: banori rustikal i Teksasit përballë patricit fin të Bregdetit Lindor, njeriu i shoqërueshëm me këmbë të shkurtra, i cili e përcjell me ndërgjegje imazhin e tij provincial përballë qytetarit kozmopolit, i cili e kaloi pjesën më të madhe të rinisë së tij në Evropë, propaganduesi i neokonservatorizmit përbalë liberalit me gjurmë socialdemokrate. Asnjë regjizor hollivudi nuk mund të inskenonte ndonjë duel më spektakolar."

Gazeta MAIN-POST që del në Vyrcburg e sheh këtë cështje nga një kënd tjetër:

'Kerri me siguri që nuk është kandidati më sharmant dhe tërheqës nga të gjithë kandidatët. Megjithatë, tek ai janë koncentruar disa pluse përballë kundërshtarëve të tij brendapartiakë: ai është ish-ushtarak si Vesli Klark, liberal dhe i orientuar në vlerat sociale si Xhon Eduards dhe një luftëtar i pakompromis si Houard Din, Kerri konsiderohet si i hapur ndaj botës dhe me përvojë në politikën e jashtme. Në këtë mënyrë ai duket sfiduesi ideal, i cili mund ta tematizojë politikën e jashtme amerikane, "të paarsyeshme dhe arrogante", sic e ka cilësuar ai, njësoj si detyrimin patriotik për ta mbrojtur Amerikën nga terrorizmi dhe reformën e sistemeve sociale"