Pasqyra e shtypit gjerman | Studimi në Gjermani | DW | 11.03.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit gjerman

Gazetat gjermane mirren sot kryesisht me programin bërthamor të Iranit, skandalin e korrupcionit gjatë ndërtimit të stadiumit futbollistik në Mynih si dhe deklaratat e fundit të kandidatit të opozitës gjermane Horst Këhler për postin e presidentit të ardhshëm gjerman.

Foto të marra nga sateliti të një centrali bërthamor iranian

Foto të marra nga sateliti të një centrali bërthamor iranian

Fillimisht për Iranin. Lidhur me akuzat e perëndimit se Republika islamike nuk ka vënë tërsisht jashtë përdorimit programin e saj bërthamor, gazeta FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG shkruan:

"Berlini, Parisi dhe Londra duan të dëshmojnë në rastin e Iranit se armatosja nukleare e një vendi në zhvillim mund të evitohet edhe pa rrëzimin e sunduesit të atij vendi me dhunë nga pushteti. Por fatkeqësisht Teherani zyrtar nuk po sillet ashtu siç shkruhet në broshurat e hulumtimeve për paqë. Udhëheqja iraniane, kjo po bëhet gjithnjë e më e qartë, ka lëshuar pe për inspektimet vetëm për të evituar masat më të ashpëra të bashkësisë ndërkombëtare. Në të vërtetë udhëheqja në Teheran nuk e sheh as në ëndërr që të heq dorë nga programi i saj bërthamor", lexojmë në FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG.

Ngjashëm argumentohet edhe në gazetën GENERAL-ANZEIGER e cila botohet në ish-kryeqytetin gjerman Bonn:

"Shenjat janë gjithnjë e më të dukshme se udhëheqja religjioze e Iranit edhe më tej përpiqet për një bombë atomike. Në vjeshtën e kaluar ajo lejoi inspektimet e pakufizuara të Entit Ndërkombëtar për Energji Bërthamore por prej zgjedhjeve të manipuluara parlamentare qëndrimi i saj ka ndërruar sërisht" vlerëson GENERAL-ANZEIGER.

Nga ana tjetër SÜDDEUTSCHE ZEITUNG e Mynihut pikërisht pas zgjedhjeve parlamentare sheh mundësinë për zhvillime të reja në Iran:

"Në të vërtetë në Iran pikërisht tani mund të ketë ardhur koha për lëshime në politikën e jashtme. Konservatorët, tani edhe më të fuqishëm pas zgjedhjeve, guxojnë për dallim nga reformatorët që të bëjnë lëshime ndaj perëndimit pa patur frikë se do të kritikohen nga skena e djathtë politike se po tradhtojnë Islamin", konkludon SÜDDEUTSCHE ZEITUNG.

Ndërkaq gazeta FRANKFURTER RUNDSCHAU analizon politikën e perëndimit:

"Në shikim të parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërcënojnë me kamxhik ndërkohë që evropianët e mbajnë me premtime regjimin e mullave. Megjithatë rolet tani janë të harmonizuara më mirë sesa në kohën e "dialogut kritik". Pas përpjekjeve mashtruese të Teheranit evropianët janë bërë më skeptikë", lexojmë në FRANKFURTER RUNDSCHAU.

Vazhdojmë me një temë gjermane, konkretisht me skandalin e korrupcionit në kuadër të ndërtimeve të stadiumit futbollistik të Mynihut, për të cilin janë arrestuar presidenti i klubit futbollistik 1860 Mynih, Karl-Hajnc Vildmozer dhe djali i tij. Lidhur me këtë e përditshmja DIE WELT shkruan:

"Korrupcioni është i gjithëpranishëm... Dhënja dhe marrja në disfavor dhe dëmtim të palës së tretë është shndërruar në një sport të përhapur i cili ka ithtarët e tij në të gjitha profesionet dhe shtresat e popullsisë", nënvizon DIE WELT.

Ndërkaq DER TAGESSPIEGEL e Berlinit nga ky skandal llogarit me pasoja në konkurimin për lojërat olimpike të vitit 2012:

"Ndërkohë që në Gjermani afera e korrupcionit për stadionit e lojërave olimpike shihet si skandal i Mynihut, jashtë vendit shihet si një skandal gjerman. Gjasat e Lajpcigut që në maj të fitoj raundin e parë eliminues për lojërat olimpike janë ulur në minimum" thekson DER TAGESSPIEGEL.

Ndërrojmë temë. Lidhur me ofenzivën mediale të kandidatit të opozitës Këhler për postin e presidentit të ardhshëm gjerman në PFORZHEIMER ZEITUNG thuhet:

"Ajo çka tani e dallon qartë atë prej paraardhësitë është pavarësia e tij: edhe pse është antarë i Unionit Kristian-Demokrat Këhler nuk i ndalon vetes që në paraqitjen e parë të lavdëroj planet e qeverisë kuq e gjelbër për reformat. Ky është një hap me të vërtetë i guximshëm, pothuajse i paturpshëm. Para së gjithash kundrejt atyre që atë e bën kandidat për president. Kjo dëshmon se Këhler nuk merr në konsideratë taktika partiake", sqaron PFORZHEIMER ZEITUNG.

Ndërsa gazeta BRAUNSCHWEIGER ZEITUNG i rekomandon 61 vjeçarit të tregohet i përmbajtur:

"Këhler tregohet simpatik për sinqeritetin e tij por fjalimet berlineze të stilit Roman Hercog apo Johanes Rau janë të hershme për të. Gulçet që ai kritikon në politikë e prekin edhe atë: ai ngutet prej bisede në bisedë edhe pse do të ketë mjaft kohë për të folur në postin e lartë për të cilin aktualisht përpiqet", lexojmë në BRAUNSCHWEIGER ZEITUNG.

  • Data 11.03.2004
  • Autor Michael Wehling
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/As1t
  • Data 11.03.2004
  • Autor Michael Wehling
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/As1t