1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

Martin Muno29 Mars 2004

Në qendër të vëmendjes së komentatorëve qëndron sot grindja për shtimin e orëve të punës në Gjermani.

https://p.dw.com/p/As1Z
Të papunë duke priturpërpara një qendre të Zyrës së Punës në Berlin
Të papunë duke priturpërpara një qendre të Zyrës së Punës në BerlinFotografi: AP

Lidhur me nismën e landeve gjermane për të shtuar orët e punës së nëpunësve të tyre, berlinezja Tagesspiegel shkruan:

"Diskutuesi politik, gjerman është djalë i fortë me reflkekse të vjetra dhe kjo është diçka e keqe. Ndaj shprehjes "kohë pune" kafshojnë shpejt punëdhënës, sindikalistë, qeveritarë dhe opozitarë - sikur të mos ishte zhvilluar kurrë debati për reformat."

Në një vend tjetër shkruhet:

"Patjetër që ka dallim nëse është fjala që një infermiere e paguar keq, e cila e rrit e vetme fëmijën me probleme përkujdesjeje, duhet të punojë disa orë në javë më shumë për po aq para, apo për një njeri me ambicje profesionale në gjendje të mirë financiare, për të cilin ky fakt nuk ka aq shumë rëndësi."

Gazeta Neue Westfälische e Bielefeldit vëren:

"Vetëm pak vite më parë shkurtimi i kohës së punës konsiderohej si mjet i përshtatshëm në luftën kundër papunësisë. Tani prirja po tregon në kahun e kundërt. Punëdhënësit, kreu i kristiansocialëve Edmund Stoiber, kandidati për president i bashkimit kristiandemokrat-kristiansocial Horst Köhler dhe Partia Liberale shohin tek zgjatja e kohës së punës ilaçin për të gjitha, kundër dobësisë në rritjen ekonomike, zhvendosjes së vendeve të punës jashtë vendit si dhe kundër shkurtimit të vendeve të punës në Gjermani."

Ngjashëm gjykon edhe gazeta Fuldaer Zeitung:

"Zëdhënësi i sindikatës së punonjësve të shërbimit publik Verdi ka të drejtë kur paralajmëron se java 40-orëshe pa kompensim në pagë do të thotë "faktikisht ulje page". Pikërisht këtu është edhe synimi. Faktori punë duhet të bëhet më i lirë në mënyrë që prodhimet dhe shërbimet gjermane të mos e humbasin aftësinë e tyre për të konkurruar."

Përkundrazi kritikë e ashpër vjen nga gazeta Hamburger Morgenpost:

"Romakët kanë luajtur mendsh. Për sa budallenj na kujtojnë ne Stoiberi me shokë që duan të na mbushin mendjen se duhet të punojmë pesë deri shtatë orë në javë më shumë pa pagesë në mënyrë që të ruhet aftësia e Gjermanisë për të konkuruar dhe kështu edhe vendet tona të punës? Për çfarë arsyeje është Gjermania ende kampione bote në eksport: për arsye të mungesës së aftësisë për të konkurruar, apo sepse ne punojmë tepër pak? Aspak, pasi rëndësi kanë efikasiteti dhe cilësia e punës. Dhe cilësia ka çmimin e vet. Atje duhet kërkuar problemi."

Gazeta Ostsee-Zeitung, cila botohet në Rostock përmbledh:

"Natyrisht që do të kishte qenë më mirë sikur llogaria e bërë të dilte dhe orët e shkurtuara të punës të sillnin më shumë vende pune. Por përvoja ka treguar se pothuajse nuk ka pasur më shumë marrje në punë. Edhe zgjatja në parim e kohës së punës nuk përbën zgjidhje për më shumë vende pune. Metoda e artë nuk ekziston. Kur bëhet fjalë për ruajtjen e vendeve të punës dhe të aftësisë për të konkurruar duhet të bëhet i mundur një model punësimi fleksibël midis sindikatave dhe sipërmarrësve. Pikërisht në landet e reja të lindjes ekzistojnë mjaft shembuj për rregullime të tilla."

Në planin e llomotitjes së përgjithshme për krizë gazeta Handelsblatt paralajmëron:

"Pa diskutim, rreziqet për përmirësimin e konjunkturës janë shtuar. Para së gjithash rritja drastike e çmimeve të naftës dhe të lëndëve të para përbën një ngarkesë serioze. Përveç kësaj tregu i dobët i punës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës lë vend për dyshime nëse bumi do të zgjasë atje shumë. Por në Gjermani ka edhe një rrezik konjunkture krejt të ndryshëm. Në vend mbizotëron një atmosferë e keqe, gati për tek psikiatri. Tre vjet krizë e kanë çuar Gjermaninë në depresion manikal."

Në përfundim një vështrim në gazetën Financial Times Deutschland, e cila ndjek të njëjtën vijë:

"Rreziku më i madh qëndron në mundësinë që nga pështjellimi i madh gjermanët të fillojnë ngadalë të besojnë se vendi i tyre është i destinuar të bjerë ekonomikisht dhe të reagojnë në mënyrën përkatëse. Pra sikur të ishte urtësi ekonomike të hiqje dorë nga të ardhurat dhe shpenzimet. Duke qenë se të ardhurat ranë dukshëm, në fund të vitit të kaluar ra edhe konsumi shumë. Pikërisht ky është problemi më akut i konjunkturës; dhe me ngarkesat e reja gjendja vetëm sa do të përkeqësohet."