1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

21 Prill 2004

Komentet e gazetave të sotme gjermane i kushtohen paralajmërimit të kryeministrit britanik Toni Bler për mbajtjen e një referendumi lidhur me kushtetutën evropiane si edhe me vendimin e gjykatës kushtetuese lidhur me taksën ekologjike.

https://p.dw.com/p/As0t

Gazeta "Handelsblatt" e Dyseldorfit vëren lidhur me referendumin e paralajmëruar në Angli:
"Me këtë Toni Bler i ka dhënë vetes pak kohë, pasi Britania e Madhe do t'a shtyjë referendumin deri vitin tjetër. Ndërsa reagimet në disa vende, kanë të bëjnë më shumë me frikën e këtyre politikanëve para popujve të vet. Përfundimi është se Evropa duhet të bëjë më shumë bindëse përsa i përket kushtetutës ashtu si e bën këtë edhe për fusha të tjera"- shkruan Handelsblatt.

Ndërsa gazeta gjermane "Frankfurter Allgemeine Zeitung" është e interesuar të nxjerrë motivet e kryeministrit britanik për një hap të tillë:

"Papritur Toni Bler heq dorë nga opinioni i tij i mbrojtur prej vitesh, se kushtetuta evropiane nuk do të sjellë ndonjë ndryshim të madh për Britaninë e madhe, kështu që nuk paraqitet ndonjë arsye as për t'u shqetësuar shumë dhe as për të qenë i gatshëm për të votuar pro kushtetutës"- shkruan Frankfurter Allgemeine Zeitung. Ai nuk mund ti bëjë ballë populizmit të euroskeptikëve, dhe duket qartë se Toni Blerin e udhëheq vetëm instikti i mbijetesës së tij politike. "

Ndërsa gazeta "Reutlinger General Anzeiger" analizon:
"Bleri tanimë i luan të gjitha kartat. Pas rritjes së kundërshtimit në popull për mbështetjen e Blerit në luftën ndaj Irakut, tanimë kryeministri anglez synon që me referendumin të shpëtojë veten e tij- politikisht kjo një lëvizje e zgjuar shahu."

Skeptike tregohet edhe gazeta "Ruhr Nachrichten" nga Dortmundi:

"Mund të ndodhë që në fund të mbesë me duar bosh jo vetëm Toni Bler por edhe një Evropë formalisht e bashkuar e me rregulla të përbashkëta, por politikisht e paaftë dhe në skenën botërore e parëndësishme.
Pra vetëm këtë nuk presim nga e ardhmja e Evropës. Duket se është e nevojshme akoma për të bërë shumë punë bindëse."

Tema tjetër që preokupon sot shtypin gjerman është vendimi i gjykatës kushtetuese gjermane se taksa ekologjike në Gjermani pajtohet me kushtetutën e vendit.

Gazeta "Kölner Stadt Anzeiger" sqaron:
"Vendimi i gjykatës kushtetuese do të thotë se politika e tatimeve në Gjermani ka një zonë mjaft të lirë veprimi;

Lidhur me këtë temë gazeta "Leipziger Zeitung" shkruan:

"Qeveria gjermane brohoret për një sukses të plotë. Në të vërtetë procesi para gjykatës kushtetutese ishte një arsye më shumë për t'u shqetësuar. Kaosi i tanishëm lidhur me tatimet e taksën ekologjike si thelë mbi bisht nuk ka ç'të ngatërrohet më shumë."

Ndërsa "Frankfurter Rundschau" tregon kontuinitetin e vendimit gjyqësor të gjykatës gjermane.

"Taksa ekologjike nuk është gjë tjetër veçse një lloj takse për konsumatorin. Kur qeveria e Kolit në vitet 90-të ngriti taksën mbi vlerën e shtuar, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit të pensioneve, atëherë ky hap pajtohej me kushtetutën. Përse duhet që disa vite më pas një hap pak a shumë i njëjtë ligjor të jetë antikushtetutues.

Gazeta gjermane "Thüringer Allgemeine" nga Erfurti e sheh projektin e taksës ekologjike të dështuar që në fillim.
"Pas fazave të tatimeve nga viti 1999 deri në 2003 nuk po i jepet zgjedhësve ndonjë provë bindëse për suksesin e pritur. Kriza ekonomike me rritje të papunësisë dhe presioni për luhatjen në sigurimin e pensioneve kanë fshirë çdo lloj rritjeje para se kjo të bëhej e kapshme."