1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

Gerhard M. Friese19 Maj 2004

Dështimi i Lajpcigut si kandidat për Lojërat verore olimpike të vitit 2012 është temë qendrore në të përditshmet gjermane. Komiteti Ndërkombëtar Olimpik përmendi vetem emrat e atyre qyteteve, që janë tani zyrtarisht kandidate për Lojërat Olimpike 2012. Për fat të keq Lajpzigu nuk bën pjesë ndër to.

https://p.dw.com/p/As0T

Lidhur me këtë LEIPZIGER VOLKSZEITUNG shkruan:

"Vendimi që i dha fund shpresës së Lajpcigut për lojërat olimpike shtron pyetje të cilat nuk guxojnë të mbesin pa përgjegje. Për presidentin e Komitetit Ndërkombëtar Olimpik Zhak Rogge papritmas Lajpcigu është qytet i vogël për organizimin e këtyre lojërave. Nëse kjo është e saktë atëherë nuk është dashur që Lajpcigu të futet fare në listën e kandidatëve. Hamburgu me siguri se do të kishte gjasa më të mira", thekson Leipziger Volkszeitung.

Me Lajpcigun dhe lojërat olimpike mirren sot edhe gazetat tjera gjermane. Në OSTTHÜRINGER ZEITUNG e cila botohet në Gera thuhet:

"Tek ngjarjet e mëdha si lojërat olimpike bëhet fjalë poashtu për renomenë e një qeverie botërore sportive e cila kënaqet vetëm me metropolet milionëshe. Shefi i Komitetit Ndërkombëtar Olimpik u soll vrazhdë me konkurrentin gjerman kur pyeti me habi pse nuk është dërguar në garë qyteti i Hamburgut. Vendosja për Lajpcigun do të thoshte heqje dorë nga spektakli i madh olimpik tradicional në metropolet e botës. Se a do të ishte kjo më mirë për lojërat dhe sportin nuk mund të thuhet tash. Për Komitetin Ndërkombëtar Olimpik kjo do të thoshte një lloj mbetjeje nën hije", nënvizon Ostthüringer Zeitung.

Ndërkaq gazeta KÖLNER STADT-ANZEIGER thekson përgjegjësinë e politikanëve:

"Vendimi i Komitetit Ndërkombëtar Olimpik është katastrofal jo vetëm për faktin se Gjermania është e njohur si eksperte për organizimin e aktiviteteve të mëdha. Njëjtë rëndë peshon edhe pranimi i konkurentit gjerman se është zënë në befasi me vleërsimin e kritereve. Kjo mund të quhet si një dënim për udhëheqjen e sportit gjerman por të paktën edhe si një tërheqje veshi për ato pikëpamje politike të cilat këtë detyrë siç duket e kuptojnë si të lehtë", thuhet në Kölner Stadt-Anzeiger.

Gazeta MÄRKISCHE ALLGEMEINE e cila botohet në Potsdam supozon se ka munguar mbështetja tek popullata gjermane.

"Një shkak për dështimin është për më tepër që siç duket gjermanët nuk janë në gjendje që njëherë të realizojnë diçka bashkarisht. Sa i përket patriotizmit gjermanët nuk arritën ta kalojnë shumështetshmërinë e përfunduar politikisht nga Bizmarku. Xhelozirat frenuan idenë themelore të "një familjeje" me të cilën Lajpcigu donte të shkonte përpara. Në Lozanë dje përfundimisht nuk vendosi vetëm një komjuter i paemocione", thekson Märkische Allgemeine.

Ngjashëm komenton gazeta PFORZHEIMER ZEITUNG:

"Faleminderit Komitetit ndërkombëtar olimpik. Ju i keni kursyer taksapaguesëve gjerman një shumë të mirë të të hollave për një konkurim të paperspektivë që prej fillimit. Pikërisht si e kumtoi vendimin presidenti i Komitetit Zhak Rogge, pa shqetësim ashtu do të duhej të pranohej ai në Gjermani. Thënë sinqerisht: konkurimi nuk ka ngjallur kurfarë shprese jashtë kufinjëve të qytetit Lajpcig. Konkurimi i Lajpcigut nuk ishte asnjëherë temë bisede", lexojmë në Pforzhemier Zeitung.

Lehtësim vërehet në STUTTGARTER NACHRICHTEN:

"Një çështje tjetër është se a ka në të vërtetë kuptim që Lajpcigu apo një qytet tjetër gjerman të konkuroj për një kohe të caktuar tek Komiteti Ndërkombëtar Olimpik. Gjermanai ndodhet para një kthese të madhe politike, ekonomike dhe shoqërore. Ngecjet në reforma në shumë pjesë të saj nuk janë zgjedhur ende. Poashtu edhe sporti duhet të ripozicionohet si nga përmbajtja ashtu dhe nga struktura. Andaj humbja e Lajpcigur nuk është mirë të inskenohet si dramë gjermane: njeriu duhet të guxoj të humb ndonjëherë", konkludon gazeta Stuttgarter Nachrichten.