1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

DW (ad)17 Qershor 2004

E ardhmja e politikës të Britanisë së Madhe ndaj BE, atentati në veri të Afganistanit kundër automjetit të ekipit gjerman të rindërtimit dhe barazimi 1:1 i Gjermanisë me Hollandën në kampionatin evropian të futbollit

https://p.dw.com/p/Arzt

Gazeta gjermane DI CAJT (DIE ZEIT) parashikon se partia antievropiane, triumfuese në zgjedhjet e fundit për Evropën në Britaninë e Madhe, UKIP do të zhduket së shpejti nga skena politike:


"Kundërshtimi i projektit evropian në Britaninë e Madhe ushqehet nga shumë burime: ekzistojnë rezerva ekologjike, të majta si dhe konservatore tradicionale ndaj një integrimi të mëtejshëm evropian; para së gjithash ekziston një patriotizëm i fortë anglez, i cili kundërshton me vendosmëri cdo ide për ta hedhur në koshin e mbeturinave të historisë shtetin nacional. Tek UKIP-i, këto qarqe gjetën një ventil për pakënaqësinë e tyre: ato janë lodhur nga grindjet e pafundme për hapa të reja integrimi; ata nuk besojnë se në plan afatgjatë, vetot në politikën e taksave, të emigrimit, atë sociale dhe të mbrojtjes do ta bejne të dështojë dinamika centralizuese që vjen nga Brukseli. Prandaj, me një dalje nga Bashkimi Evropian ata duan të heqin një vijë nën të gjitha këto."

Më tej, në gazetën DIE ZEIT tërhiqet vëmendja:

"Njëkohësisht nuk duhet mbivlerësuar rëndësia e një zgjedhjeje proteste antievropiane. UKIP do të mbetet në fund një minoritet. Kjo parti do të zhduket sërish nga skena politike, si një protestë "single issue", për një cështje të vetme. Aq më tepër kur detyrimi për të mbajtur referendume, si për euro-n, ashtu edhe për kushtetutën, për të cilat u ndje e shtyrë klasa politike e Britanisë së Madhe, ia ka hequr thumbin temës evropiane. Pa popullin, nuk lëviz asgjë."


Dhe më tej:

"Në fund britanikët mendohet se prishjen me Evropën do ta shmangin edhe vetëm nga interesi pragmatik vetjak. Kjo është përvijuar tashmë në pozicionin e konservatorëve. Ata duan të mbeten në Bashkimin Evropian, megjithatë kushtet e marrëveshjet për këtë ata kërkojnë t'i diskutojnë nga e para. Pas kësaj është ideja se është më mirë të shmanget shkëputja. Nuk dihet se si do të zhvillohet Bashkimi Evropian. Në fund, faktorë ekonomikë në cështjen e bashkimit monetar mund të detyrojnë të ndryshohet mendja. Deri tani nuk ka të dhëna se ekonomia e Britanisë së Madhe po vuan jashtë zonës së Euros. Madje e kundërta. Nëse kjo do të rezultojë ndryshe, pragmatizmi i shëndetshëm i britanikëve do të bëjë që edhe këtu të ndërrohet mendja."

Në veri të Afganistanit, në Kundus janë vrarë në një atentat ndaj një automjeti të ekipit gjerman të rindërtimit katër afganë. Këtë e merr si shkas gazeta SYDDOJCE CAJTUNG (SÜDDEUTSCHE ZEITUNG) që botohet në Mynih për të tërhequr vëmendjen për gjendjen e përgjithshme të rrezikut:


"Që nga jugu i vendit, ku janë riorganizuar talibanët, mungesa e stabilitetit është përhapur edhe drejt veriut. Edhe shkaktarët e atentateve të Kundusit duhen kërkuar shumë më tepër në qarqet e talibanëve se sa në bandat lokale - në fund të fundit, ushtria gjermane me mirësjellje nuk u përzie në grindjet rajonale të wor-lordëve, lordëve të luftës, dhe baronëve të drogës. Talibanët ndjekin tani kudo në vend një koncept të vetin. Për ta bërë të pamundur qeverisjen e Afganistanit. Nëse Natoja përgjegjëse për stabilizimin synon ta pengojë këtë, ajo duhet të ofrojë në mënyrë masive trupa dhe materiale. Edhe në Berlin duhet të kuptohet se nuk bën shumë dobi që trupat gjermane të stacionohen vetëm në pjesë relativisht të sigurta në vend. Edhe atje, vetvetiu gjendja do të bëhet e pasigurtë."


Ndërsa tani një koment për barazimin 1:1 të ekipit kombëtar gjerman të futbollit kundër Hollandës. Gazeta BERLINER KURIR (BERLINER KURIER) vendos një lidhje midis sportit dhe politikës:

"Entuziazmuese: gati 26 milionë vetë në vendin tonë e panë ndeshjen e futbollit kundër Hollandës. Trishtuese: vetëm 26 milionë njerëz në vendin tonë morën pjesë në zgjedhjet për Evropën. Kjo na thotë: politikanët duhet të mësojnë nga futbolli. Të mësojnë si kapërcehen krizat. Me një drejtues të guximshëm ekipi. Me forcë luftarake. Me aftësi për reforma. Me kalim të shpejtë nga mbrojtja në sulm. Gerhard Shrëderi duhet ta dinte këtë. Tani ai i përmbahet me kokëfortësi taktikës së tij për ta punuar me parmendë shtetin social. Kjo vjen erë dështim që pa filluar mirë zgjedhjet parlamentare."