1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

30 Qershor 2004
https://p.dw.com/p/Arzh
"Hanxhiu", si i thonë portugezët ish-kryeministrit të tyre do të drejtojë Komisionin e BE-së
"Hanxhiu", si i thonë portugezët ish-kryeministrit të tyre do të drejtojë Komisionin e BE-sëFotografi: dpa

Në qendër të shtypit të sotëm gjerman është shpallja e kandidaturës së kryeministrit portugez Barroso si pasues i presidentit të Komisionit Evropian Romano Prodi si dhe takimi i nivelit të lartë të NATO-s në Stamboll.

Në lidhje me shpalljen e kandidaturës së Barrosos, gazeta e Bonit General Anzeiger shkruan:

"Politikanët e angazhuar për Evropën nuk i donte njeri, ose ata nuk donin ta merrnin përsipër këtë post. Tani i erdhi radha kandidaturës së Hoze Manuel Durao Barrosos, një evropiani nga Portugalia, i cili nuk ka pasur të bëjë deri tani shumë me politikën evropiane. Ai është mik i Amerikës dhe me këtë edhe i Britanisë së Madhe. Ai është konservator dhe me këtë edhe i aftë për të marrë votat e grupimit parlamentar konservator dhe demokristian që dominojnë në Parlamentin Evropian. Po ashtu ai është edhe parakusht që në komisionin e drejtuar prej tij gjermani Günter Verheugen të ngarkohet me postin e një super-komisari dhe për këtë ai mori edhe bekimin e kancelarit gjerman Gerhard Shrëder."

Gazeta Mittelbayerische Zeitung e karakterizon me këto fjalë Barroson:

"Në vendlindjen e tij Barroson e quajnë - hanxhi. Dhe këtë nofkë atij ia kanë ngjitur që përpara pritjes që u bëri ai në ishujt Azore përkrahësve të luftës në Irak. Kryeministri portugez ka një pamje rrumbullake dhe topolake dhe është përfaqësuesi tipik i njerëzve që kryejnë këtë profesion të nderuar: mos ki mendim tëndin, edhe po e pate mos e shpreh, jepi gjithkujt të drejtë dhe nxirr në çdo rast përfitim për veten. Madje 48-vjeçari i shkathët dhe karrierist, para se të bëhej konservator ka qenë maoist. Po kjo i takon së kaluarës."

Kalojmë në temën tjetër. Duke ju referuar vendimeve të samitit të NATO-s në lidhje me Afganistanin gazeta Berliner Zeitung vëren:

"Si në interesin e amerikanëve edhe në atë të evropianëve është që të ndërtojnë në Afganistan një shtet, që dikur të jetë në gjendje t'i mposhtë islamistët me forcat e veta. Të gjitha shtetet e NATO-s ishin të një mendjeje se këtë detyrë duhet ta marrë përsipër një trupë e përbashkët paqeruajtëse. Megjithatë kur edhi puna për ndarjen e detyrave u bë shumë e vështirë për të gjetur një vend që të merrte përsipër përgjegjësinë për drejtimin e kësaj trupe. Ka rreth një vit që përgjegjësinë për misionin ISAF e ka NATO-ja. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s de Scheffer u mori në takimin e Stambollit personalisht kryeministrave të vendeve të NATO-s premtimin se do të dërgojnë më tepër ushtarë dhe disa avionë dhe helikopterë shtesë në Afganistan. Po a do ta mbajnë ata fjalën? NATO-s i mbetet vetëm të shpresojë."


Gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung e vë theksin në sinjalet politike që dërgoi samiti i Stambollit në lidhje me anëtarësimin e Turqisë në BE:

"Ata që në radhët e BE-së janë skeptikë sa i përket anëtarësimit të Turqisë në BE, dhe këta nuk janë pak, nuk guxojnë ta shprehin hapur mendimin e tyre. Qëkurse argumenti gjeografik nuk ka më vlerë, dhe qëkurse pretendimi, se BE me gjithë diversitetin duhet të ketë edhe një shkallë të caktuar homogjeniteti për të qenë i aftë për të vepruar dhe i kuptueshme për qytetarët e tij, konsiderohet si politikisht jo korrekt, duket se të të gjitha pengesat po thërrmohen. E pra duket se Bashkimi Evropian, i cili sapo u zgjerua me 10 anëtarë të rinj dhe të cilit i duhet t'i përballojë një herë këta, po rrëshqet syhapur drejt një aventure tjetër."


Ndërsa komentatorja e gazetes se Berlinit Tageszeitung vë në qëndër të vëmendjes faktin që NATO-ja i shtron vetes gjithmonë detyra të reja, por lë pas vetes fusha me rrënoja, citojmë:

"Luftimi i terrorizimit dhe lufta kundër përhapjes së armëve të shfarosjes në masë konsiderohen në deklaratën e takimit si kërcënime të reja me të cilat duhet të përballet NATO-ja. Aleanca pretendon t'u kundërpërgjigjet të gjitha këtyre kërcënimeve pavarësisht se prej nga vijnë ato. Mirë pra hidhuni. Krijoni një Irak të dytë, të tretë e kështu me radhë. Ndërsa Nato-ja është në kërkim të fushave të reja të veprimit, ajo ka vështirësi të pastrojë fushat me rrënoja që ka lënë pas fitoreve të kaluara. Një shembull mjaft domethënës është Afganistani."