1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

19 Korrik 2004
https://p.dw.com/p/ArzK
A do t'i ketë edhe kësaj here me vete palestinezët Arafati?
A do t'i ketë edhe kësaj here me vete palestinezët Arafati?Fotografi: AP

Komentatorët e gazetave gjermane merren sot me zhvillimet në Rripin e Gazës si dhe me debatin për shkurtimin e rrogave dhe zgjatjen e orarit të punës në Gjermani, që është një nga temat më të rëndësishme të politikës së brendshme.

Ndalemi fillimisht në zhvillimet në Lindjen e Mesme, ku presidenti palestinez Jaser Arafat e ndjen veten të konfrontuar me një valë protestash të pashembullta. Në lidhje me këtë gazeta Frankfurter Rundschau është e mendimit:

"Kidnapimet si shenjë proteste ndaj korrupsionit, anarkia si pasojë e sjelljeve arogante, për të gjitha këto është bashkëfajtor edhe kreu i OÇP-së, Jaser Arafat, sepse ai nuk do të heqë dorë në asnjë mënyrë prej pretendimeve për pushtet. Dhe në rast se në fushën politike nuk ka zhvillimeve, në shoqëri plas dikur dhuna. Kriza aktuale gjithsesi ofron mundësinë për t'i vënë sinorin një udhëheqësi guerilas që po plaket dhe nuk ka asnjë lloj vizioni. Diçka po lëviz, por kjo s'do të thotë se Arafati po përmbyset. Po të paktën ndoshta do të krijohet prej kësaj një balancë e re forcash mes tij dhe klikës së vet të korruptuar dhe reformatorëve të etur për demokraci. Arafati nuk po tregon ende asnjë shenjë mirëkuptimi. Por jeta ndëshkon edhe atë që dëgjon me vonesë."

Gazeta Handelsblatt që botohet në Düsseldorf shkruan:

"Arafati mund të përpiqet sërish që ta shmangë shtimin e pakënaqësisë në radhët e popullit duke përdorur taktikën e goditjes. Para katër vjetësh ai e shfrytëzoi Intifadën për të tërhequr vëmendjen prej paaftësisë së tij për ta përmirësuar jetesën e palestinezëve. Lufta kundër pushtuesve izraelitë e forcoi pozicionin e tij brënda radhëve të palestinezëve dhe akuzat për korrupsion kaluan në harresë. Po kësaj radhe Arafati nuk mund të përdorë vetëm këtë ventil, sepse palestinezët janë lodhur tashmë me këtë. Dhe në rast se Arafati nuk do t'u mundësojë një jetë më të mirë, ata do t'i kthejnë përfundimisht shpinën.

Gazeta Die Welt, që botohet në Berlin trajton çështjen e së ardhmes së presidentit palestinez:

"Jaser Arafati është shpallur disa herë si i mbaruar, por sa më tepër shtohej presioni nga jashtë, aq më tepër forcoheshin radhët e palestinezëve përreth tij. Po tani duket se ka ndodhur diçka thelbësore. Duket se vetë palestinezët nuk e pranojnë më despotizimin e tij politik, arrogancën dhe mendjemadhësinë e Arafatit si dhe mungesën e dëshirës për të ndërmarrë reforma. Duket se ëndërra e Arafatit për një shtet të pavarur të Palestinës është shndërruar në një ëndërr të keqe, sepse mes të privilegjuarve të sistemit të Arafatit dhe politikanëve të pushtetshëm reformatorë, tek të cilët masat e palestistinezëve kanë varur shpresat, kërcënon thuajse të shpërthejë një luftë civile. Tani Arafati mund t'u bëjë palestinezëve vetë një shërbim të vetë, të japë dorëheqjen."

Gazeta Leipziger Volkszeitung trajton mosmarrëveshjet mes punëdhënësve dhe sindikatave për zgjatjen e kohës së punës dhe shkurtimin e pagave. Artikullshkruesi ka për këtë një mendim të qartë:

"Oraret e ngurta, se sa duhet të punojë njëri e tjetri gjatë javës, e pengojnë iniciativën e firmave. Më mirë do të ishte që në tarifa të përcaktohej një limit total, pra nga kaq deri në kaq orë pune për të gjitha ndërmarrjet, ndërsa rregullimi konkret i orarit t'i lihej në dorë çdo firme më vete. Po ashtu duhet vepruar edhe në rastin e rrogave. Duhet që në sistemin e pagesave të futet më fort se deri më sot ideja e pagesave në varësi të kontributit të gjithsecilit. Ky sistem duhet të përfshijë edhe manaxherët dhe jo vetëm punonjësit e thjeshtë. Shembulli i manaxherëve të Daimler-Chryslerit, që heqin dorë nga 10% e rrogës tregon se kryesia e këtij koncerni e ka kuptuar këtë parim. Por nga ana tjetër duhet thënë se për kryesinë e koncerneve është shumë më e lehtë ta përballojnë jetën edhe duke hequr dorë nga shtesa e rrogës, se sa për vartësit."