Pasqyra e shtypit gjerman | Studimi në Gjermani | DW | 30.08.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit gjerman


Komentatorët e gazetave të sotme gjermane bëjnë një bilanc kritik të Lojërave Olimpike në Athinë, pas përfundimit të tyre dje. Tema të tjera janë diskutimet për reformën në tregun e punës në Gjermani dhe mbështetja që ka qeveria gjermane në popull për këtë, si edhe vendimi i PSDGj për t'i mbetur besnike reformës së vendosur të drejtshkrimit të gjermanishtes.

Gazeta WESTDEUTSCHE ZEITUNG që del në Dyseldorf iu kushtohet Lojërave Olimpike, të cilat përfunduan dje me një ceremoni të madhe:

"Kujtimi i Lojërave të bukura të Sidneit rëndonte shumë rëndë tek lojërat e Athinës. Grekët nuk bënë sa duhet për ta shlyer këtë përshtypje. Dhe Greqisë nuk i mbetet gjë tjetër vec emrit mjaft të dëmtuar dhe shpenzimeve prej miliardash për Olimpian, shpenzime që nuk do të mund të rifinancohen kurrë."

Negativ është edhe vlerësimi që bën gazeta DÜSSELDORFER HANDELSBLATT:

"Lojërat e Athinës do të hyjnë në librin e historisë së lojërave olimpike sidoqoftë për shkak të skandaleve të dopingut- një goditje e rreptë pas kritikave të mrekullueshme për Sidnejn 2000. Pastrimi i madh kundër dopingut, që duhej të qe bërë prej kohësh në familjen e madhe olimpike ka si pasojë që Olimpia nuk do të mund tw shitet as përafërsisht me brilancën e Barcelonës, Atlantës ose Sidnejt. Në filmat aktualë publicitarë të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, sjellësit e paqes si Nelson Mandela dhe Kofi Anan ëndërrojnë ende për idenë olimpike, për një botë më të mirë, e cila fillon me Fair Play në sport dhe që nuk lejohet të përfundojë me mashtrim. Për shumë fensa, gara e kombeve pasqyrohet në numrin e medaljeve, të cilin ata e studiojnë plot krenari ose të zhgënjyer. Dhe Athina 2004 tregoi se medaljet olimpike - para së gjithash në disa lloje sporti force - mund të jepen vetëm "pa garanci"."

Në lidhje me temën e reformave në ekonominë gjermane, gazeta Tageszeitung që del në Berlin shkruan:

"Pavarësisht nga protestat kundër reformës në tregun e punës, të njohur me emrin Harc IV, mbështetja për kursin e përgjithshëm të reformave të qeverisë gjermane është shtuar. Ndërkohë janë 46% e gjermanëve që i mbështesin ndryshimet në sistemet sociale dhe në tregun e punës. Por një shumicë prej 49% vazhdon të jetë kundër. Kjo doli në pah në "barometrin politik të ZDF-së", të publikuar së fundi. Në shkurt, reformat i quanin të drejta vetëm 35% e të anketuarve, kurse 55% i quanin ato të gabuara.

Ndërkohë, edhe pikët në anketime për socialdemokratët duket se po shtohen, ndërsa kristjandemokratët dhe kristjansocialët kanë humbur mbështetje. Në anketimin e bërë nga Infratest- Dimap për ARD-në, partitë unioniste humbën përballë anketimeve të fundit, 3 pikë, duke mbërritur në 43%. Partia socialdemokrate shënoi një rritjje të lehtë nga 23 - 25%".

Ndërsa në gazetën FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG lexojmë:

"Kancelari Gerhard Shrëder ka paralajmëruar për një rindarje të vendit në Gjermani Lindore dhe Perëndimore, përballë vazhdimit të protestave kundër reformave të tregut të punës Harc IV. Kundërshtarët e reformave kanë paralajmëruar për datën 2 tetor një manifestim qendror para zyrës kancelarore. "Unë përpiqem të mos lejoj asnjë formë të konfliktit Lindje Perëndim", tha Shrëderi në fundjavë në kuadër të një takimi të partisë socialdemokrate në Berlin. Ka shkas për t'u shqetësuar për një rindarje të Gjermanisë në Lindje dhe Perëndim, një rrezik real për këtë ende nuk ekziston, tha kancelari. Ai theksoi disa herë se nuk do të ketë ndryshime apo shkurtime në kursin e reformave. "


Po në gazetën FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG lexojmë për reformën e drejtshkrimit të gjuhës gjermane:

"Kryesia e Partisë Socialdemokrate Gjermane vendosi të dielën në Berlin që t'i mbetet besnike reformës së drejtshkrimit. Kryetari i PSDGJ,Franc Myntefehring tha: "Pra, le të presim, se kush do të dalë në fund se kishte të drejtë: nëse do të ketë një rregull, ku do të bazohen mesueset dhe mësuesit tanë në të ardhmen, apo nëse do të ketë një mundësi tjetër, të propaganduar nga ata të lindur në jastëkë të ngrohtë, sipas së cilës, reforma duhet korrigjuar edhe njëherë, për shkaqe estetike ose të tjera."
Edhe specialisti i drejtshkrimit nga pjesa gjermanofone e Belgjikës nuk sheh më mundësi për t'u kthyer pas. Drejtshkrimi i vjetër do ta humbasë vlerën e tij definitivisht në vitin 2005, ka deklarua drejtori i sektorit të mësimit në ministrinë e Bashkësisë Gjermanofone, Heinen."

  • Data 30.08.2004
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arye
  • Data 30.08.2004
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arye