1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

10 Shtator 2004

Temë qendrore në të përditshmet gjermane është këtë të premte terrorizmi ndërkombëtar.

https://p.dw.com/p/AryY


Süddeutsche Zeitung provon të zbulojë aktorët dhe ata të cilët qëndrojnë pas sulmit terrorist në Indonezi dhe komenton:

"është alarmuese rritja e ndikimit arab në Azinë juglindore: pothuajse të gjitha grupet radikale islamike në rajon kanë padronët e tyre në Lindjen e Mesme. Predispozita per aleancat e tilla të kobshme janë shpesh njerëz të cilët kanë studiar në vendet arabe. Pjesa më e madhe e tyre vijnë nga shtresa e mesme e arsimuar e Azisë juglindore, pastaj nga qytetet apo fshatrat e varfëra. Qeveria e druajtur në Xhakartë do të duhetj të mobilizojë edhe shumë forca për t`iu kundërvënë këtij kërcënimi", lexojmë në Süddeutsche Zeitung.

Me këtë temë sot mirret edhe gazeta Landeszeitung nga Lüneburgu. Në të shkruhet:

"Dhe përsëri mbin fara e mbjellur gjatë kryqëzatës së administatës së Bushit në Irak. Dhe kjo dyfish: sulmi ndaj ambasadës australiane është një mësim që nxorrën luftëtarët islamik nga ndikimi në zgjedhje përmes terrorit në Spanjë. Më 9 tetor pritet që fati i ish-kryeministrit spanjoll Hose Maria Aznar ta përcjell edhe homologun e tij australian Xhon Havard i cili poashtu konsiderohet si vazal besnik i presidentit amerikan Xhorxh Bush. Paralajmërimet e Moskës se në të ardhmen do të ndërrmarrë sulme shfarosëse kundër terroristëve në mbarë botën pason shembullin kundër të drejtës ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës", thuhet ndër të tjera në Landeszeitung.

Kremlini zyrtar përsëriti qëndrimin se drama e pengjeve në Kaukaz justifikon të drejtën për sulme parandaluese. Gazeta Die Welt tërheq vërejtjen në dy adresa:

"Nga njëra anë tek rusët që terrorin mos ta marrin pretekst për të justifikuar ndërhyrjet ushtarake në jugun e trazuar, në mënyrë që sërish në të dyja anët e kufirit të qëndrojnë ushtarët rus. Nga ana tjetër tek përendimi i cili me zgjerimin e Natos i ka ngushtuar gëzofin ariut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës të cilat kanë filluar sërish në Azinë qendrore me lojën e madhe të vjetër. Gjendja mes Rusisë dhe perëndimit
është e padefinuar andaj edhe e mbushur me konflikt. Terroristët janë mjaft inteligjent që të shfrytëzojnë këtë situatë", nënvizon gazeta Die Welt.

Ndërkaq e përditshmja tjetër Main-Post e cila botohet në Würzburg lidhur me këtë çështje shkruan:

"Pse pas masakrës së Beslanës Moska nuk guxon të ndërrmarrë atë që ndërrmorri Uashingtoni pas sulmeve të 11 shtatorit?. Sepse ky do të ishte një qorrsokak, këtu si atje. Një demokraci e qëndrueshme si ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është futur në zigzage. Në kampet si Guantenamo dhe Abu Graib janë mbajtur dhe po mbahen njerëzit pa kurfarë të drejtash. Në këtë mënyrë mund të paramendohet se çfarë do të kërcënonte botën sikur shtetet autokrate si Rusia dhe përfundimisht diktaturat do të fillonin gjahun ndaj atyre që i kanë shpallur terroristë", thuhet në Main-Post.

Me gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung kalojmë në një temë ekonomike gjermane. Ministri gjerman i ekonomisë, socialdemokrati Volfgang Klement në debatin për buxhetin e ka sqaruar si të përfunduar definitivisht amullinë konjunkturale. Lidhur me këtë gazeta nënvizon:

"Një rritje prej dy përqind nuk mjafton në tregun gjerman për rigjallërimin e nevojshëm të vendeve të punës. Poashtu ndikimi i reformave të qeverisë kuq e gjelbër të cilat direkt apo indirekt kanë për qëllim hapjen e vendeve të reja të punës do të jetë shumë i ngadalshëm. Ndoshta optimizmi i ministrit Klement bazohet në sigurinë që qeveria federale do ta përhap aq shumë tregun e dytë të punës të financuar nga shteti në mënyrë që të tregojë rezultate suksesi edhe atje ku nuk ka nevojë", lexojmë në Frankfurter Allgemeine Zeitung.