1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

29 Shtator 2004
https://p.dw.com/p/AryO
Atomjetet e blinduara të tipit 'Fuchs'
Atomjetet e blinduara të tipit 'Fuchs'Fotografi: AP

Shtypi gjerman trajton sot problemin e eksportimit të 20 makinave të blinduara të tipit 'Fuchs' për në Irak si dhe planet e partisë demokristiane për reformimin e ligjit që mbron punonjësit prej pushimeve nga puna. Tema të tjera të rëndësishme janë lirimi i dy italianeve që ishin marrë peng në Irak, si dhe kongresi i Partisë laburiste në Brighton.

Në lidhje me eksportimin e 20 automjeteve të blinduar të tipit 'Fuchs' për në Irak gazeta 'Die Welt' shkruan:

"Çfarë po ndodh me politikën e armatimit të qeverisë së social-demokratëve dhe të gjelbërve? A po largohet ajo nga parimet e saj. Eksportimi i 20 auto-blindave për në Irak duhet parë në këtë aspekt. Kuptohet që ato nuk po dërgohen në Irak për t'u përdorur për transportimin e skuadrës së futbollit të Bagdatit, por për trasnportimin e personave të armatosur rëndë, për t'i mbrojtur këta prej snajperistëve apo atentateve me lëndë ekspolozive. Auto-blindat e tipit 'Fuchs' janë aparatura tipike lufte. Në këtë mënyrë qeveria duket se po luan një lojë të dyfishtë. Të njëjtat auto-blinda që Gjermania nuk duhej t'i eksportonte për në Izrael, sepse atje mund të përdoreshin kundër palestinezëve, do të shkojnë tani në Irak."


Kalojmë tani në një temë të politikës së brendshme gjermane. Synimet e partisë demokristiane CDU që në rast se vjen në pushtet do të liberalizojë ligjin që rregullon rastet e pushimeve nga puna në favor të punëdhënësve, për të arritur në këtë mënyrë më tepër vende pune. Në lidhje me këtë gazeta TZ e Mynihut shkruan:

"Pa dyshim Angela Merkel, kryetarja e CDU-së, ka probleme. Për t'ju kundërvënë akuzës së kundërshtarëve të saj, se ajo nuk ka ndonjë program që e dallon shumë prej kursit të reformave të kancelarit Schrëder, Merkeli prezantoi së fundi një kurs radikal, që kapërcen çdo përfytyrim. Të gjithë duhet të punojnë pa limit kohor, punononjësve t'u hiqet e drejta e fjalës në organizimin e punës në ndërmarrje, të shfuqizohet e drejta për punë me orar të reduktuar (part-time). E keqja e të gjitha këtyre ideve të bukura pro punëdhënësve është që ato nuk do të krijojnë vende të reja pune, por vetëm do të shkaktojnë shumë probleme shtesë."

Gazeta "Handelsblatt" që botohet në Dyseldorf shënon se partisë demokristiane CDU dhe simotrës së saj bavareze CSU u mungojnë recetat e përgjithshme shoqërore, politike dhe ekonomike:

"Këto javë vendoset nëse këto parti do të arrijnë diçka me idetë e tyre. Për momentin këto parti po zhvillojnë një prej betejave më të mëdha ideologjike në historinë e partive në Gjermani. Rëndësia e kësaj beteje nuk mund të mbivlerësohet, edhe nëse në pamje të parë duket se bëhet fjalë vetëm për detaje. Gjithsesi tani do të shihet nëse partitë demokristiane do të arrijnë të pozicionohen si një alternativë politike krahas qeverisë aktuale të social-demokratëve dhe ekologjistëve."

Së fundi citojmë diçka nga gazeta FAZ në lidhje me kongresin e Partisë laburiste në Brighton.

"Duket se këtë javë nuk ishte Blair-i që mund të bënte shaka dhe të qeshte, por të tjerët që qeshnin për të. Duartrokitjet për shefin e laburistëve ishin shumë më të pakta se në kongreset e mëparshme, madje u dëgjuan edhe thirrje që e akuzonin kryeministrin britanik se i ka duart të lyera me gjak. I ndërgjegjshëm për këtë atmosferë me të cilën do të përballej Blair-i pranoi si kurrë ndonjëherë hapur përpara partisë se në luftën në Irak ishin bërë gabime. I bindur gjithsesi për mbështetjen që i dha Britania e Madhe presidentit amerikan për luftën në Irak, Blair-i tha, se edhe ai vetë mund të bëjë gabime si çdonjeri tjetër, por se kishte bindjet e veta. "Predikuesit islamikë të urrejtjes", që sipas Blair-it përbëjnë një "perversion të fesë islame" dhe të cilët sot gjenden thuajse në çdo kryeqytet të Evropës, nuk kanë gjë tjetër në mendje vetëm se të shkatërrojnë "mënyrën tonë të jetesës dhe demokracinë" - tha kryeministri britanik.