1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

1 Tetor 2004
https://p.dw.com/p/AryL
Chirac dhe Schröder gjatë takimit në Strasburg
Chirac dhe Schröder gjatë takimit në StrasburgFotografi: AP

Në qendër të mediave gjermane është sot vendimi i parlamentit gjerman që personat dhe familjet që nuk kanë fëmijë duhet të paguajnë një kuotizacion më të lartë për sigurimin për përkujdesjen në rast nevoje shëndetsore ose pleqërie. Tema të tjera janë dueli televiziv mes Bushit dhe Kerryt si dhe ideja e presidentit francez Chirac për të organizuar në Francë një referendum në lidhje me anëtarësimin e Turqisë në BE.

Ndalemi në temën e parë. Duke filluar nga muaji janar familjet dhe personat pa fëmijë në Gjermani duhet të paguajnë në arkat e sigurimeve 0,25% më tepër se deri tani. Në lidhje me këtë në gazetën "Die Welt" lexojmë:

"Deputetët e partisë ekologjike votuan pro këtij ligji vetëm duke skërmitur dhëmbët, sepse kishin frikë se deri më 1. janar nuk do të arrihej dot asnjë zgjidhje për këtë problem. Sipas ligjit gjerman një gjë e tillë do të thoshte se që prej 1. janarit shoqëritë e sigurimit nuk mund të mblidhnin më kuota për përkujdesjen në rast nevoje shëndetsore ose pleqërie. Ekologjistët dëshironin në fakt një reformë financiare gjithëpërfshirëse, sepse arkat e shoqërive të sigurimit për përkujdesjen në rast nevoje shëndetsore ose pleqërie mendohet se deri në vitin 2007 do të jenë zbrazur."


Po për të njejtën temë në gazetën "Financial Times Deutschland" lexojmë:

"Me ligjin për sigurimet për përkujdesjen në rast nevoje shëndetsore ose pleqërie qeveria federale po përpiqet të përmbushë vendimin e Gjykatës Kushtetuese gjermane, për t'u dhënë në këtë mes një status më të mirë familjeve që kanë fëmijë, të cilët mund të përkujdesen për prindërit në rast sëmundjeje apo pleqërie. Për personat që duhet të paguajnë më tepër në arkat e sigurimeve kjo do të thotë çdo muaj deri në rreth 8,70 euro më tepër. Ekspertët e partisë demokristiane gjermane CDU e quajtën konceptin e ri të qeverisë si antikushtetues dhe të dyshimtë. Ndër të tjera sipas tyre ky ligj bën që të trajtohen njëlloj si ai që ka një fëmijë edhe ata që kanë dhjetë. Në këtë mënyrë ligji nuk u përgjigjet direktivave të Gjykatës Kushtetuese."


Kalojmë në temën tjetër, referendumin që do të zhvillohet në Francë në lidhje me anëtarësimin e Turqisë në BE. Për këtë referendum presidenti francez Jacques Chirack informoi së fundi kancelarin gjerman Gerhard Schrëder gjatë një takimi në Strasburg. Në lidhje me këtë në gazetën "Handeslblatt" lexojmë:


"Presidenti Chirac si edhe kancelari Schrëder janë pro anëtarësimit të Turqisë në BE në rast se vendi i plotëson të gjitha kushtet. Chirac-u tha se "mund t'i qetësojë francezët në këtë mes, sepse ata do të ketë të drejtë të thonë përmes votës fjalën e tyre pro ose kundër anëtarësimit të Turqisë në BE." Schrëderi e quajti idenë e Chirac-ut 'të kuptueshme', duke shtuar se në Gjermani referendumet janë të ndaluara me kushtetutë. Gjithsesi me po-në e tij ndaj anëtarësimit të Ankarasë në BE Chirac-u është i vetëm në radhët e partisë së tij. Po ashtu sipas të dhënave të sondazheve edhe shumica e francezëve janë kundër që ta shohin Turqinë anëtare të BE-së."

Ndërrojmë temë. Gazeta "Frankfurter Rundschau" trajton në numrin e saj të sotëm duelin mes kandidatëve për postin e presidentit amerikan. Citojmë:

"Një herë për një herë gjendja në garën elektorale duket se është 1:0 për John Kerry-n. Pavarësisht nëse Kerry ka votuar në senat pro apo kundër luftës në Irak, lufta e Irakut është lufta e Bush-it. Dhe bilanci i saj është tronditës. Duke u përpjekur t'i minimizojë problemet që janë tepër të hapura, Bush-i lë edhe më tepër hapsirë për ta sulmuar. Pikërisht kjo ishte pika ku e sulmoi Kerry. Dhe Bush-i nuk kishte se si t'i përgjigjej dhe përsëriti sikur të thoshte ndonjë psallm fjalët që i ka thënë shpesh deri tani, ec përpara dhe mos u lëkund. Çështja është nëse Kerry ka arritur të bindë edhe zgjedhësit e pavendosur, që në SHBA ka nevojë për një ndryshim kursi dhe ai është njeriu i përshtatshëm për ta bërë këtë. Në rast se telespektatorët kanë arritur të kuptojnë vetëm se Kerry ka një talent të madh retorik, atëhere, demokrati nuk ka fituar shumë."