1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

Elert Ajazaj23 Tetor 2004

Politikanët dhe shoqatat për mbrojtjen e mjedisit në Gjermani e kanë përshëndetur dje njëzëri ratifikimin e Protokollit të Kiotos nga dhoma e ulët e parlamentit rus, Duma. Ministri gjerman i mjedisit Jürgen Trittin tha, se me këtë vendim është afruar shumë pranë hyrja në fuqi e protokollit.

https://p.dw.com/p/Ary5
Pamje nga takimi për klimën në Kioto më 1997
Pamje nga takimi për klimën në Kioto më 1997Fotografi: AP

Lidhur me vendimin e djeshëm të Dumës ruse gazeta Frankfurter Allgemene Zeitung komenton:

Të shumtë janë ata për të cilët ky ishte lajmi më i mirë i ditës: Rusia ratifikon Protokollin e Kiotos. Më në fund! Në këtë mënyrë vetëangazhimet dhe deklaratat ku shprehet vullneti për të pakësuar sasinë e çliruar të dioksidit të karbonit janë kthyer në detyrim marrëveshjeje, e cila përfshin në mbarë botën më shumë se gjysmën e emetuesve. Sigurisht thënia e ish-ministrit rus të mjedisit Danilov-Daniljan të bën të mendohesh: Aspekti ekologjik "nuk ka luajtur as rolin më të vogël" në vendimin e sapomarrë. E di edhe gomari që me ratifikimin e dokumentit Putini ka bërë një pazar të mirë. Me anë të tij ai mori nga Bashkimi Evropian mbështetjen për pranimin e Rusisë në Organizatën Botërore të Tregtisë, dhe përveç kësaj Rusisë i buzëqesh një shumë disa miliardëshe nga tregtia e të drejtave të emetimit me Perëndimin. Të paktën për aq kohë sa industria ruse të mos e ketë marrë veten nga kolapsi Kiotoja i sjell Rusisë vetëm avantazhe. Nëse Rusia do të ndjejë detyrimin e respektimit të kësaj marrëveshjeje edhe kur t'i ketë arritur vetë kufijtë e çlirimit të dioksidit të karbonit, të përcaktuara në marrëveshje, mbetet të shihet më vonë. Tani për tani përmirësimi i klimës pasqyrohet vetëm në sferën politike, zhvillimet e motit mbeten të paprekura nga kjo.

Në gazetën Mannheimer Morgen lexojmë po për të njëjtën temë:

"Për arsye se vende si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat janë gjoja
bashkëpërgjegjëse për ngrohjen e Tokës, refuzojnë të marrin pjesë në procesin e Kiotos, pas pesë, dhjetë vjetësh bilanci për klimën nuk do të jetë fort i mirë. Por për çastin e tanishëm është më me rëndësi fakti që të ketë njëherë një marrëveshje detyruese. Bashkësia ndërkombëtare e pranon që klima ndodhet në rrezik dhe po premton që ta ndalojë këtë zhvillim të rrezikshëm. Ky është një sinjal para së gjithash për ato vende që janë në prag të industrializimit, të cilat synojnë që një ditë të ngasin dhe prodhojnë po aq shumë automjete sa edhe Amerika.

Po për këtë temë gazeta Nürnberger Nachrichten shkruan:

Të paktën tani po bëhet pjesë e marrëveshjes edhe Rusia duke hapur rrugën: Marrëveshja e vitit 1997 mund të hyjë së shpejti në fuqi duke pasur karakter detyrues ndërkombëtar. Ky është një hap i rëndësishëm, e megjithatë gjysmak. Nga njëra anë sepse ndotësit më të mëdhenj, përveç Shteteve të Bashkuara të Amerikës Australia dhe edhe vendi në rritje Kina, mbeten jashtë saj. Dhe nga ana tjetër sepse objektivat e reduktimit të çlirimit të dioksidit të karbonit janë vendosur të ulta. Ulja e synuar e gazeve që shkaktojnë efektin serë as që do ta frenojë shndërrimin e klimës që kërcënon, por në rastin më të mirë vetëm sa do ta ngadalësojë.

Ndërrojmë temë.

Se si qëndronte nga fundi puna me sanksionet kundër Irakut të Sadam Huseinit është e njohur: Regjimi i sanksioneve ishte në një shkallë të lartë poroz, po shpërbëhej, thyhej në në masë të madhe. Një raport paraprak, i përgatitur nën drejtimin e ish-guvernatorit të Bankës Qendrore të Shteteve të Bashkuara Volcker për Organizatën e Kombeve të Bashkuara hedh dritë tani edhe mbi programin e OKB-së "Naftë për Ushqime". Nuk teprohet po të mbërrish në përfundimin se ky program e ktheu korrupsionin në përsosmëri. Madje mund të përfytyrosh që ai u shpik vetëm për pasurimin e diktatorit, të firmave të huaja, të tregtarëve të sajuar si dhe të zyrtarëve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Kur tani Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara Anan thotë, se përfundimet në të cilat mbërrin hetimi i dëmtojnë Kombet e Bashkuara, atëherë ky është kulmi i minimizimit. Mijëra firma kanë bërë tregti me Sadamin, kanë fituar miliarda duke mbushur nga ana tjetër arkat e tij; për çfarë qëllimi mendoni? Kush i sheh me skepticizëm Kombet e Bashkuara për arsye se ato shumë shpesh nuk i përmbushin premtimet e dhëna nuk do të bindet për të kundërtën nga raporti i Volckerit.