1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

1 Dhjetor 2004
https://p.dw.com/p/Arxm

Gazetat e sotme gjermane trajtojnë gjërësisht problemin e përhapjes së SIDË-s jo vetëm në vendet e varfra, por edhe në vendet e zhvilluara ekonomikisht, ku prezervativët i gjen në çdo cep.

Në lidhje me këtë temë në gazetën "Neue Presse" që botohet në Hanover lexojmë:

"Normalisht në Gjermani nuk ka pse njerëzit të infektohen prej marrëdhënieve seksuale. Gjermania nuk është Sudani i Jugut apo Ruanda e Veriut, ku përdhunimet masive të grave dhe tö vajzave refugjate janë në rend të ditës. Po ashtu Gjermania nuk është vend i Evropës Lindore, ku shumë femra janë të detyruara të ushtrojnë prostitucionin. Në vend po kthehet sërish mendjelehtësia e brezit të dikurshëm dhe të rinjtë nuk e vrasin më mendjen që të jenë të kujdesshëm kur kryejnë marrëdhënie seksuale. Pamjet e të sëmurëve të shndërruar prej sëmundjes në kufoma i takojnë së kaluarës. Fjala SIDË nuk tingëllon më e tmerrshme, dhe pikërisht kjo është e tmerrshmja."

Gazeta "Mannheimer Morgen" e vë theksin tek femrat që janë viktimat kryesore të kësaj sëmundjeje:

"Në luftë kundër SIDË-s femrat mund të luanin një rol kyç. Por deri tani ato janë shumë larg prej një roli të tillë, sepse në shumë vende të botës ato nuk gëzojnë asnjë të drejtë. Informacionet dhe trajtimi mjeksor janë privilegje të meshkujve. Ndryshe është puna me femrat e shkolluara. Ato martohen më vonë, bien më rrallë pre e dhunës dhe nuk bien aq shpesh në varfëri apo prostitucion. Femrat e shkolluara do të ishin multiplikatoret më të mira në luftë kundër sidës, sepse ato do t'ua transmetonin dijet e tyre brezave të ardhshëm. Fushatat e shtrenjta informative kundër SIDË-s nuk janë më të mjaftueshme.

Një temë tjetër e shtypit gjerman janë konsultimet e ambasadorëve të vendeve të BE-së në Bruksel që po përgatisin projektin e dokumentit përfundimtar për takimin e nivelit të lartë të BE-së që zhvillohet pas dy javësh. Lidhur me këtë në gazetën "Rheinische Post" që botohet në Dysseldorf lexojmë:

"Më 16. dhjetor do të vendoset nëse BE-ja do të fillojë bisedimet për anëtarësim me Turqinë. BE-ja do ta bëjë këtë, por po-në për fillimin e bisedimeve do ta lidhë me shumë kushte dhe me pengesa. Pra nuk do të jetë një 'po' miqësore, pa kufizime dhe e parevokueshme. Për çështjet vendimtare pas fillimit të biseidmeve si dhe qëllimet e tyre do të duhet të përgjigjen vetë shefat e qeverive dhe të shteteve të BE-së. Dhe pas kësaj do të shihet nëse Turqia do t'i pranojë ato. Termi "partneritet i privilegjuar" nuk do të dalë në skenë, por me siguri formulime që nuk e përjashtojnë një gjë të tillë që në fillim. Deri tani në historinë e BE-së nuk ka pasur ende një rast të tillë, që një e treta e vendeve të kërkojë ndërprerjen e bisedimeve. BE-ja po punon për krijimin e një freni në rast nevoje. Disa vende kërkojnë që turqve të mos u jepet asnjëherë e drejta e punës në vendet e BE-së. Gjermania mendon se synimi i bisedimeve duhet të jetë anëtarësimi i Turqisë. Franca dhe Austria kërkojnë alternativa ndaj anëtarësimit me të drejta të plota. Pra grindjet brënda BE-së mund të quhen të paraprogramuara."

Problem tjetër i ndjeshëm që trajton shtypi i sotëm gjerman është edhe ai i stanjacionit ekonomik që po vazhdon në Gjermani, edhe pse në fillim të vitit 2004 u duk se konjuktura po shënonte rritje. Në gazetën "Rheinische Post" lidhur me këtë lexojmë:

"Qeveria gjermane filloi me reformat, tarifat e rrogave nuk shënuan ndonjë rritje të jashtëzakonshme, koncerne të tilla si Siemensi apo Daimler-Chrysler i ulën në mënyrë drastike kostot. Përse Gjermania vazhdon të mbetet prapa? OECD-ja bën përgjegjës për këtë euron, e cila është mjaft e fuqishme dhe lë gjurmë të forta frenuese në konjunkturë. Ekonomisë gjermane iu desh që në fillim të vitit 2002 të përballonte një rritje të vlerës së euros prej 60%. Në rast se ajo do të vazhdojë të mbetet konkurruese në tregjet botërore, duhet që këto rritje të fuqishme të çmimit ta kompensojë me ulje radikale të shpenzimeve. Alternativa do të ishte tregu i brendshëm. Por këtu dalin në pah dobësitë e ekonomisë gjermane. Investimet e brendëshme dhe themelimi i firmave të reja janë të pakta për shkak të pengesave burokratike dhe kostove të larta të prodhimit. Por një ekonomi e orientuar nga eksporti nuk mund t'ia mbalë mbanë për një kohë të gjatë, kur euroja është kaq e fortë."