1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

3 Maj 2005

Debati mbi kritikat ndaj kapitalizmit në Gjermani, konferenca ndërkombëtare për armët bërthamore dhe vizita e kancelarit gjerman në Turqi janë sot temat kryesore që trajton shtypi gjerman.

https://p.dw.com/p/Arvh
Kancelari gjerman,Gerhard Shrëder sot viziton Turqinë
Kancelari gjerman,Gerhard Shrëder sot viziton TurqinëFotografi: AP

Kryetari i Socialdemokratëve, Franc Myntefering, ka hapur para disa kohësh në Gjermani një debat që njihet me emrin: Kritika ndaj kapitalizmit. Kjo frazë u lakua shumë shpesh në demonstratat e të djelës me rastin e 1. Majit, ditës ndërkombëtare të puntorëve. Folësit në demonstrata kritikuan ashpër rritjen e globalizimit, që i ka bërë sipërmarrjet të fiksohen nga nxjerrja e fitimit dhe që të mos merren më me problemet sociale të puntorëve dhe të papunëve.

Në gazetën «Westdeutsche Zeitung» e cila botohet në Düsseldorf lidhur me këtë debat lexojmë:

"Fushatat funksionojnë si ndejat e grillit. Së pari duhet ndezur thëngjillin për të ndezur flakën. Kjo ishte motoja me të cilën shefi i socialdemokratëve Franc Myntefering drejtoi debatin mbi kapitalizmin. Kur flaka të jetë përhapur mirë, herë pas here duhet hedhur thëngjill sërish. Për këtë në fushatë përkujdesen diskutantët. Disa prej tyre, të cilët me dëshirë do të shuanin zjarrin, këtë e provojnë në vend të ujit me vaj dhe çuditen pastaj me flakët e rrezikshme të zjarrit. Presidenti i punëdhënësve Dieter Hundt, për të cilin ky diskutim "të çon të vjellurat, sapo ka bërë një përpjekje të tillë të pasukses për të shuar këto flakë", nënvizon gazeta «Westdeutsche Zeitung».


Ndërkaq në «Die Tagespost» të Würzburgut po për të njëjtën temë lexojmë:

"Vija aktuale e Mynteferingut i përngjuan një skenari për aksidentin më të madh që mund të mirret me mend, për një disfatë në zgjedhjet e landit të Nordhajnvestfalisë dhe një dështim të qeverisë në federatë, që në tetor të vitit të ardhshëm apo edhe më herët. Atëherë kryetari i socialdemokratëve duhet të shpëtoj partinë e tij nga rënja në harresë. Këtë ai më së miri mund ta bëj nëse e bën të qartë se ende ka avokat edhe për njerëzit e vegjël... Nëse për çdo rast në federatë vie deri tek ndërrimi i qeverisë atëherë koalicioni zi e verdhë duhet të jetë gati për tu ballafaquar me protesta anembanë vendit. Partia Socialdemokrate ndoshta po e ndihmon këtë", shkruan «Die Tagespost».


Në Nju Jork filloi dje konferenca e vendeve nënshkruese të marrëveshjes kundër përhapjes së armeve bërthamore. Konferenca do të zgjas deri në fund të majit dhe në rend të ditës do të jetë shqyrtimi i çështjes së zbatimit të marrëveshjes për ndalimin e shpërndarjes së armëve të këtij lloji. Lidhur me këtë gazeta «Märkische Oderzeitung» shkruan:

"Pikëpamjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që vendet si Irani t`i përjashtojnë parimisht nga përdorimi i energjisë bërthamore janë jo të afta për konsensus. Kjo do të thellonte edhe më shumë kategorizimin aktual. Ekzistojnë fuqitë zyrtare bërthamore të cilat hulumtojnë për armë të reja të këtij lloji. Ekzistojnë edhe fuqitë jozyrtare bëthamore të cilat nuk janë fare pjesë e konventës për ndalimin e armëve bërthamore. Në këtë mënyrë do të ketë vende që do të guxojnë të përdorin energjinë bërthamore dhe vende që do të përjashtohen nga kjo e drejtë. Për shkak se pajtimi rreth kësaj çështje nuk duket në horizont, konventa ndodhet para një kolapsi. Po të mirren parasysh ndryshimet në rrafshin e sigurisë ndërkombëtare atëherë pasojat do të ishin fatale. Pastaj nuk do të bëhet fjalë vetëm për shtimin e numrit të shteteve që do të posedojnë armë të shkatërrimit në masë. Për më tepër grupet terroriste do të kenë mundësi që më lehtë të arrijnë deri tek armët e këtij lloji. Ky që tani është një vizion horrori", thekson «Märkische Oderzeitung».

Ndqërrojmë temë. Kancelari gjerman Gerhard Shërder fillon sot një vizitë në Turqi. Lidhur me këtë gazeta «Landeszeitung» thekson:

"Gerhard Shrëder gjatë vizitës së tij në Turqi do të lëviz tërë kohën nëpër fusha të minuara. Krenaria e tepruar nacionale, ndryshimi i historisë dhe frika quhen masat shpërthyese të cilat kërcënojnë të zgjojnë sërish euforinë e fjetur të turqëve për Bashkimin Evropian gjatë misionin të kancelarit gjerman në Turqi. Një çështje tjetër që mund të ngarkoj këtë vizitë është edhe debati i hapur së fundi për gjenocidin ndaj armenëve. Propozimi i Ankarasë që ngjarjet e para 90 viteve të shqyrtohen nga një komision historik, për dallim nga deklaratat e Shrëderit shkojnë në drejtim tjetër. Gjatë muajve të kaluar është parë qartë se Ankaraja ka vepruar që të varros besueshmërinë e të gjitha atyre burimeve që dëshmonin për gjenocidin e kryer ndaj armenëve. Në këtë mes nuk është puna tek mungesa e fakteve. Problemi qëndron tek pjekuria e nevojshme për të pranuar të kaluarën. Këtë pjekuri Turqia mund ta përpunoj paralelisht me negociatat për pranim në Bashkimin Evropian. Miqtë e mirë duhet ta ndihmojnë Turqinë në këtë ruugë me fjalë të qarta" lexojmë në «Landeszeitung».