Pasqyra e shtypit gjerman | Studimi në Gjermani | DW | 24.05.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit gjerman

Gjermania shkon drejt zgjedhjeve të reja

Ish-kryetari i Partisë Socialdemokrate Gjermane Oskar Lafontaine është larguar pas 39 vjetësh nga kjo parti dhe në zgjedhjet e afërta parlamentare do të kandidojë për një aleancë të re të majtë. Por ai ka thënë se ky hap do të kishte kuptim vetëm në rast se Partia e Socializmit Demokratik dhe "Alternativa Zgjedhore Punë dhe Drejtësi Sociale" i bashkojnë forcat (dy parti këto të skajit të majtë).

Në lidhje me këtë zhvillim gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung komenton:

Që për Schröder-in të mos ketë më nevojë, këtë do të sigurojë edhe Lafontaine. A thua hakmarrësi do të funksionojë si magnet zgjedhjesh në një parti të re të së majtës? Që nga viti 1999 me përjashtim të rasteve të rralla ai është paraqitur si egoman. Për këtë arsye është e kuptushme stepja e Partisë së Socializmit Demokratik që ta mbrehë këtë njeri në qerre - me të nuk e di kurrë se ku përfundon. Një rindërtim, i përfaqësuar nga njerëz elokuentë si Gysi dhe Lafontaine, përtej kufijve të Lindjes, do të ishte fillimisht juridikisht, por në aspektin afatgjat edhe politikisht fundi i Partisë së Socializmit Demokratik siç ekziston ajo tani. Në anën tjetër qëndrojnë mundësitë e përmirësuara për hyrjen në parlament. Dhe për Lafontaine-in shpresa që Schröder-it t'i marrë të paktën mjaftueshëm vota në mënyrë që ky të zbohet nga zyra kancelarore.

Po për të njëjtën çështje në gazetën berlineze Die Welt lexojmë:

Kancelari kërkonte "raporte të qarta" kur bëri thirrje për zgjedhje të reja. Një sukses të parë ai e ka korrur: Oskar Lafontaine
po largohet nga Partia Socialdemokrate dhe shihet qartë se si i përplas këmbët. Por në radhët e Partisë Socialdemokrate kjo nuk shkakton më tronditje. Kur shtëpia digjet nuk ka rëndësi nëse nga përjashta dikush thyen me top futbolli xhamin e dritares së dhomës së ndenjjes. Kancelari kërkoi shtrëngime nga klientela e vet, por ai nuk ishte në gjendje t'i kthente asaj shpërblimin e premtuar, rritje ekonomike dhe vende pune. Oskar Lafontaine mund t'iu ofrojë atyre zgjedhësve socialdemokratë që u ka ardhur në majë të hundës me këtë realitet ëndrra të ëmbla dhe ndjenjën e një epërsie morale. Nëse kanë ekzistuar ndonjëherë, mundësitë e rizgjedhjes së Gerhard Schröder-ir po zvogëlohen me këtë edhe më shumë.

Vazhdojmë me gazetë Süddeutsche Zeitung, e cila botohet në Mynih:

Gjasat për ndërrim partie në masë në radhët e funksionarëve socialdemokratë janë në fakt të pakta. Në Partinë Socialdemokrate, në të gjithë krahët e saj, me kalimin e viteve Lafontaine-i është kthyer në një person të padëshiruar. Të zhgënjyerit e shumtë prej tij nuk do të kthehen në njerëz që e presin me padurim. Por në rast se Lafontaine do të paraqitej si kandidati kryesor në Perëndim i një aleance të ndërtuar në çfarëdolloj forme, ai do të jetë në gjendje që prej një suksesi pa bukë si ai i Alternativës Zgjedhore Punë dhe Drejtësi Sociale në landin Renania Veriore Vestafalia t'i shkaktojë një hemoragji të ndjeshme Partisë Socialdemokrate, e cila edhe kështu ka humbur shumë gjak. Lafontaine do të ishte figura kristalizuese që mungonte deri tani, e cila do ta sulmonte SPD-në nga krahu i majtë.

Pa u shkëputur tepër nga tema shfletojmë në gazetën e Hamburgut Die Zeit:

Humbja e koalicionit kuqegjelbër do të ishte shumë më tepër sesa ndarja e së majtës parlamentare nga pushteti. Tërheqja e brezit që i vuri vulën e vet në të gjitha fushat kësaj shoqërie që nga viti 1968 dhe që askund tjetër nuk ishte kaq i suksesshëm sa në Gjermani ka filluar. Procesi që në universitete, gjykata penale ose në medie ndodh për arsye moshe, kryhet në politike me anë të moszgjedhjes. Nuk është ngrysje në pushtet si në fazën përfundimtare të Helmut Kohl-it, është thuajse një largim i vullnetshëm me dinjitet. Për orientimin shoqëror të Republikës Federale Gjermane ky ndërrim brezash është më i thellë sesa vetëm një ndërrim qeverie.

  • Data 24.05.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArvP
  • Data 24.05.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArvP