1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

3 Gusht 2005

Të përditshmet gjermane sot në qendër të komenteve të tyre kanë gjendjen e krijuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas katastrofës natyrore si dhe ngritjen e çmimeve të derivateve të naftës si pasojë e saj.

https://p.dw.com/p/AruM
Sa më rrallë - aq më mirë!
Sa më rrallë - aq më mirë!Fotografi: AP

Në «Berliner Zeitung» lidhur me gjendjen e krijuar pas uraganit 'Katrina' në Nju Orleans lexojmë:

"Marrë parasysh katastofën natyrore dhe ekceset amerikanët duhet urgjentisht të shtrojnë pyetjen: A është me të vërtetë fitim i lirisë dhe sigurisë siç argumentohet nga lobi i armatimit nëse secili ka të drejtë të ketë një armë dhe mundësinë që atë ta blej në supermarkatin e parë. A mundet kështu një shtet të mbroj sa duhet qytetarët e tij, a mund të reagoj siç duhet në situatat e krizës dhe çka është më e rëndësishmja - të parandaloj ato?. Shoqëria amerikane, më e pasura dhe më e fuqishmja në botë, ka mjaft forcë, aftësi dhe gatishmëri për të tejkaluar problemet aktuale në rajonin e prekur nga katastrofa. Në javët e ardhshme do të debatohet shumë për dështimin skandaloz të autoriteteve lokale dhe kombëtare dhe me të drejtë presidenti Bush do të ndodhet në qendër të këtij debati. Megjithatë e gjithë kjo nuk do të shëroj traumat e Nju Orleansit. Ato janë të thella si ato të 11 shtatorit 2001. Me një ndryshim, kësaj radhe nuk ka kush të fajësohet për këtë. Armiku nuk ndodhet në Tora Bora. Amerikanët duhet të konfrontohen me vetveten", komenton «Berliner Zeitung».

Ndërkaq «Südkurier» e Konstancës shkruan:

"Edhe kjo është Amerikë: Superfuqia botërore nuk është në gjendje të ballafaqohet me pasojat e katastrofës siç është 'Katrina'. Kush sheh pamjet e Nju Orleansit të përmbytur në ujë mbetet gojëhapur. Para sysh dalin skena kiameti. Turbullt ato të kujtojnë ferrin e 11 shtatorit. Por kësaj radhe nuk është goditur qendra e financave - Nju Jorku. Tani është juglindja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe njerëzit e prekur atje nga uragani, shumicën e rasteve janë zezakë, të varfër dhe të parëndësishëm për elitën politike të vendit. Si mund të sqarohet ndryshe që presidentit Bush ju deshën dy ditë pushim në fermën e tij para se të prononcohet zyrtarisht. Por kur bëhët fjalë se a ka nevojë Amerika për ndihmë nuk bën të mendohet për ideologjinë. Këtu kërkohet solidariteti me njerëzit. Dhe atë me një komb që është gjithmonë i gatshëm të ndihmoj njerëzit e prekur nga katastrofat natyrore. Ndryshe prej Bangladeshit apo vendeve të prekura nga Cunami Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë më tepër nevojë për ndihmë të shpejtë teknike përmes ekipeve shpëtimtare dhe solidaritetin e botës sesa për mbështetje financiare", theksohet ndër të tjera në «Südkurier».

Kalojmë në «Süddeutsche Zeitung» të Mynihut e cila në numrin e saj të sotëm vëmendje të veçantë i kushton ngritjes së çmimeve të derivateve të naftës:

"Eshtë fushatë elektorale dhe disa politikanë janë impresionuar nga fushata e gazetës Bild-Zeitung e cila i bën thirrje popullit për mësymje ndaj rezervave kombëtare të derivateve të naftës. 'Kancelar tund derivatet e lira të naftës këtu' është thirrja që disave ju mjegullon arsyen. Përndryshe ata nuk do ta peshonin seriozisht që për shkak të konsumit gjermanoperëndimor të plaçkisin rezervat e parapara për gjendje lufte dhe katastrofe. Se çka është katastrofa njerëzit e provojnë në jug të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një katastrofë politike për dallim do të ishte nëse qytetarët e vendeve të industrializuara nuk do të përgatiten që derivate të naftës do të ketë më pak dhe do të jenë më të shtrenjta", nënvizon «Süddeutsche Zeitung».

Ndërkaq në «Neues Deutschland» të Berlinit po për këtë temë lexojmë:

"Se çfarë pasojash fatale mund të ketë varësia nga nafta shihet këtyre ditëve në listën e çmimeve nëpër pikat e karburanteve. Koncernet e mëdha janë duke shfrytëzuar pasojat e uraganit 'Katrina' për të përfituar ekstra nga prodhimet e tyre. Qeveria gjermane kuq e gjelbër rri e bën sehir sepse ka besim të madh tek taksat milardëshe të konsumit dhe kjo nuk do të ndryshoj as me një ndërrim të mundshëm të qeverisë. Konsumatorit i mbetet tani vetëm që mos të ndez makinën shumë shpesh dhe të ndërroj makinën e madhe më një më të vogël", thuhet ndër të tjera në të përditshmen berlineze
«Neues Deutschland».