1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

14 Tetor 2005

Temë qendrore në të përditshmet e sotme gjermane edhe sot është formimi i kabinetit të ri qeveritar gjerman.

https://p.dw.com/p/ArtO

Lidhur me këtë në «Hamburger Abendblatt» lexojmë:

"Se a mund ta ketë bekimin për vendin një koalicion i madh varet nga programi i tij i punës. Se a mund të funksionoj fare një koalicion i madh dhe të kryej punë të arsyeshme, varet prej personelit. Ministri i ardhshëm i financave Peer Stajnbruk gëzon jo vetëm brenda Partisë Socialdemokrate një imazh të veçantë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për shefin e ardhshëm të diplomacisë gjermane Stajnmajer. Emërimi i tij është befasia më e madhe. Lënja mënjanë e Sigmar Gabrielit tregon në mënyrë demonstrative shenja të ndërrimit të gjeneratës brenda socialdemokratëve. Fakti që Franc Myntefering do të jetë zëvendëskancelar është për tu përshendetur. Në këtë mënyrë në të ardhmen kryetarët e tre partive më të mëdha qeveritare do të ulen bashkarisht në tavolinën e kabinetit qeveritar. Kjo që në fillim i jep stabilitet aleancës qeveritare", thuhet ndër të tjera në «Hamburger Abendblatt».


Ndërsa «Mitteldeutsche Zeitung» thekson:

"Fakti që Franc Myntefering e merr vet përsipër ministrinë e punës dhe njëkohësisht do të jetë edhe zëvendëskancelar ishte për tu pritur pas tërheqjes së kancelarit Shrëder. Kush dëshiron të flas nga pozitat e njëjta në një koalicion të madh duhet të ulet bashkarisht me dy kryetarët tjerë, Angela Merkelin dhe Edmund Stojberin në tryezën e kabinetit qeveritar. Me lëvizjet e fundit Peer Stajnbryk, Frank Valter Stajnmajer dhe Volfgang Tiefenzee dominon përshtypja se po bëhen bashkë kompetenca profesionale dhe aftësia grupore. Merkel duhet të ndahet e kënaqur", thuhet ndër të tjera në
«Mitteldeutsche Zeitung».


Kalojmë tani në gazetën «Südkurier» të Konstancës në të cilën lexojmë:

Gerhard Shrëder u lirua nga detyra. Tani ai duhet që gjithçka t'i lë në dorë ushtarit të bindur të partisë Franc Myntefering. Ai është personaliteti i ditës, zëvendëskancelari socialdemokrat në kabinetin e Angela Merkelit. Dhe Myntefering është personi i duhur për negociatat në prag për koalicionin e madh qeveritar. Edhe pse para pak kohe, gjatë një tubimi elektroal dukej i dërrmuar, Myntefering është i pashkatërrueshëm kur bëhet fjalë për Partinë Socialdemokrate. Ai e di mirë: socialdemokratët nuk guxojnë në asnjë mënyrë të shndërrohen në partner junior të Unionit Kristiandemokrat. Ata duhet të bashkëqeverisin në pozita të njëjta. Përndryshe Partia Socialdemokrate humb edhe më shumë profilin e saj socialdemokrat, çka do të dërgonte ujë në mullirin e partisë së re majtiste të Gregor Gyzit dhe Oskar Lafonten. Mynteferingut në këtë mënyrë i shtohen përgjegjësitë. Ai është personi që duhet të përkujdeset për politikën e reformave sipas idealit të Shrëderit", nënvizon gazeta «Südkurier».

Nga ana tjetër «Offenbach-Post» komenton:

"Ekipës së Franc Mynteferingut mund t'i besohet aftësia për reforma dhe bashkëpunimi kosntruktiv me Unionin Kristiandemokrat-Kristiansocial. Por prapëseprapë është një kabinet kalimtar: Mynteferingu lë mbrapa vetes karrierën e tij politike, për të posti i zëvendëskancelarit është përfundim i karrierës e jo ngjitje në politikë. Numri një për kandidaturën e zgjedhjeve të ardhshme të vitit 2009 nuk duket ende" vëren «Offenbach-Post».

Dhe në fund «Mittelbayerische Zeitung» e cila botohet në Regensburg shkruan:

"Eshtë pothuajse e paparafytyrueshme që sot 65 vjeçari Franc Myntefering pas katër vjetësh do të jetë në gjendje të prij si kryekandidat në fushatën elektorale të socialdemokratëve. Dhe a do të jenë Sigmar Gabriel dhe Volfgang Tiefensee ata që në të ardhmen do të zënë vendet e Shrëderit dhe Mynteferingut pritet të shihet më vonë", thekson «Mittelbayerische Zeitung».