1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

DW2 Maj 2006

Nisur prej demonstratave të 1 Majit gazetat gjermane trajtojnë gjendjen në tregun gjerman të punës dhe problemet e globalizimit për ekonominë dhe shoqërinë gjermane.

https://p.dw.com/p/Arq9
Demostratë e 1 majit në Magdeburg kundër reformave të qeverisë
Demostratë e 1 majit në Magdeburg kundër reformave të qeverisëFotografi: picture-alliance/dpa

Citojmë fillimisht nga gazeta "Märkische Allgemeine" që botohet në Pocdam:

"Edhe në Gjermani po shtohet me shpejtësi numri i atyre që megjithëse kanë punë, janë të varfër. Për këtë është e kuptueshme kërkesat e sindikatave drejtuar në demonstratat e sivjetshme të 1 Majit për përcaktimin e një rroge minimale në Gjermani. Po rroga minimale unike për të gjithë, sikurse kërkon shefi i sidikatës VERDI, Frank Bsirske, nuk është në gjendje të funksionojë. Disa prej sektorëve të ekonomisë dhe të industrisë janë më të prekura prej konkurencës globale se të tjera. Kjo do të thotë që në rast se vendoset një rrogë minimale tepër e lartë, këto firma do ta transferojnë krejtësisht prodhimin në vende të tjera me paga më të ulta. Më afër mendsh do të ishin rroga minimale të diferencuara sipas degëve të veçanta. Në lindje të Gjermanisë paga të tilla aplikohen në sektorin e ndërtimeve. Gjithsesi ato nuk po e përmbushin dot funksionin për të cilin u krijuan, për të shërbyer si limiti më i ulët për pagat në këtë sektor."

Gazeta "Westdeutsche Allgemeine Zeitung" (Essen) shkruan:

Kjo fundjavë tregoi se politikani i majtë Lafontaine nuk e ka shumë gabim me analizën që bën për partinë e vet. Në manifestimet tradicionale të 1 Majit po marrin pjesë jo edhe aq shumë njerëz për shkak se qindra mijëra njerëz po largohen prej sindikatave dhe partisë socialdemokrate. Shumë punëtorë, të papunë apo pensionistë nuk e ndjenë më veten të përfaqësuar prej asnjë partie apo organizate dhe për këtë i drejtohen Partisë së Majtë, e cila mbron interesat e tyre. Klientela pra është e pranishme, por pas mosmarrëveshjeve në gjirin e kësaj partie nuk mund të thuhet nëse kjo klientelë i beson fort Lafontain-it dhe Partisë së Majtë."

Temë tjetër mjaft e trajtuar në shtypin gjerman është vdekja e presidentit të Këshillit qendror të hebrejve në Gjermani, Paul Spiegel.

"Heilbronner Stimme" shkruan:

"Bashkë me vdekjen e Paul Spiegelit vdiq ndoshta edhe një formë e caktuar e përkujtimit të holokaustit, ajo e atyre viktimave që e kanë përjetuar atë në kurrizin e tyre. Ka kohë që bashkësia hebreje ka gjetur sërish vendin e saj në jetën gjermane. Janë ngritur sinagoga të reja dhe numri i besimtarëve po shtohet. Të gjitha këto janë shenja të një normaliteti, edhe pse këtë fjalë mezi guxon ta përdorësh. Pikërisht këtë kërkonte edhe Paul Spiegel dhe paraardhësit e tij Heinz Galinski apo Ignatz Bubis. Fakti që ata ndoshta me paralajmërimet e tyre e kalonin ndonjëherë masën, është pjesë e tragjizimit të figurave të tilla. Gjithsesi brezi i ri i hebrejve do të mendojë më normalisht."

"Braunschweiger Zeitung" shkruan:

"Paul Spiegel synonte vazhdimisht pajtimin. Këtë qëllim ai e arriti. Paul Spiegel ishte një njeri sa këmbëngulës aq edhe modest dhe në këtë drejtim mbetet një shembull. Me këtë stil të tij ai ua lehtësoi barrën gjermanëve, sepse e dinte se mesazhi i tij për shumëkënd është i pakëndshëm. Por trajtimi i së kaluarës ishte për të edhe një detyrim që duhej përmbushur, në mënyrë që tmerret e nazistëve të mos përsëriten. Spiegli kishte një vizion. Ai vetë fliste për një rilindje të hebraizimit në Gjermani. Për këtë qëllim ai edhe u angazhua dhe sot të prek fakti se me çfarë force dhe vetëkuptimi ai e jetonte këtë ëndërr, pa rënë kurrë në pesimizëm."

"Westfälischer Anzeiger" (Hamm) shkruan:

"Paul Spiegel nuk ishte vetëm një njeri që tërhiqte vëmendjen dhe paralajmëronte. Ai ishte edhe një demokrat i bindur, i cili u angazhua energjikisht për të ardhmen e hebrenjve në Gjermani. Ai vetë nuk ia ktheu kurrizin vendlindjes së vet, Gjermanisë, megjithë përjetimet që kishte pasur gjatë holokaustit. Ai ngrinte publikisht zërin dhe angazhohej pa lodhje për bashkëjetesën paqësore të të gjitha grupeve shoqërore në Gjermani. Nisur nga ky angazhim vdekja e Spiegelit përbën një humbje të rëndë për të gjithë demokratët. Sidomos sot kur sulmet ndaj të huajve, si në rastin e fundit në Pocdam, po zënë sërish radhët e kryeartikujve."