1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

3 Maj 2006

Lirimi i dy gjermanëve të marrë peng në Irak si dhe kompromisi mes dy partive të mëdha gjermane që qeverisin vendin në koalicion, në lidhje me taksimin e super të pasurve si dhe parave për prindërit që bëhen me fëmijë, janë temat që dominojnë shtypin e sotëm gjerman.

https://p.dw.com/p/Arq8
Gjermanët Rene Bräunlich dhe Thomas Nitzschke të marrë peng në Irak
Gjermanët Rene Bräunlich dhe Thomas Nitzschke të marrë peng në IrakFotografi: picture-alliance/ dpa/dpaweb

Fillimisht ndalemi në artikujt që merren me lirimin e dy inxhinierëve të marrë peng në Irak.

"Rhein-Neckar-Zeitung" (Heidelberg) shkruan:

"Edhe një herë punët shkuan mirë. Pas 13 javësh Thomas Nitzschke dhe Rene Bräunlich janë sërish të lirë. Sikurse edhe në rastin e gjermanëve të tjerë të marrë peng, edhe martirizimi i tyre mori fund, pas pagimit të një shume të madhe parash. Por kjo nuk duhet të na bëjë të harrojmë se marrja peng është një çështje për jetë a vdekje. Shpeshherë ajo përfundon në mënyrë të përgjakshme dhe shteti nuk është gjithmonë në gjendje që ta blejë me para, lirinë dhe paprekshmërinë e njeriut."

"Westdeutsche Allgemeine Zeitung" (Essen)

"Pas disa muajsh frike të afërmit dhe miqtë mund të marrin sërish frymë lirisht. Qeverisë gjermane i takojnë falenderimet që u shpëtoi jetën dy gjermanëve. Tani kanë ardhur momentet e festës dhe gëzimit. Por shumë shpejt do të shtrohet pyetja, se si firma i dërgoi inxhinierët në një rajon ku sundon terrori dhe ku kishte edhe më parë kidnapime dhe vrasje. Pas përfundimit të kësaj drame duhet analizuar sfondi i saj dhe duhen nxjerrë pasoja."


"Kieler Nachrichten" shkruan:

"Çështja e gjermanëve të marrë peng në Irak kishte rënë në qetësi. Ndoshta ky ishte një parakusht i mirë për lirimin e dy inxhinierëve. Kindapunesit nuk kishin mundësi ta ngrinin më tej shumën që kërkonin për lirimin e tyre. Parakushti i dytë i mirë ishte edhe urtësia e MPJ Steinmeyer në veprimet e tij në këtë ngjarje. Atij i takon merita themelore që kidnapimi nuk u kthye në një dramë të politikës së jashtme gjermane. Një gjë e tillë nuk është e vetkuptueshme. Në momentin që dy gjermanët u rrëmbyen Steinmeyeri kishte vetëm disa javë që kishte marrë këtë post, dhe i ishte dashur të merrej edhe me dy raste të tjera kindnapimesh."

Kalojmë në temën tjetër taksa për super të pasurit si dhe ndihma financiare për prindërit që bëhen me fëmijë.

"Thüringer Allgemeine" (Erfurt) shkruan:

"Të gjithë i përfitojnë të gjitha. Dhe fatura përfundon në fund tek taksapaguesit. Me kompromisin e arritur për taksën për të pasurit dhe ndihmat për prindërit koalicioni i madh tregoi edhe një herë, se nuk e ka aq hallin tek inovacionet, se sa për të mbijetuar vetë. Ai që ka shpresa se bashkë me koalicionin e madh do të vijnë edhe ndryshime të thella, do të zhgënjehet. Shpresat për përmirësime janë të pakta. Edhe në lidhje me reformën në sektorin e sigurimeve shëndetsore mund të pritet në radhë të parë një gjë, taksa më të larta."

"Der neue Tag" (Weiden) shkruan:

"E ashtuquajtura taksë për super të pasurit i ngjan më tepër një ilaçi qetësues për elektoratin socialdemokrat. Kjo është një lloj barazimi social për kërkesat e politikës reformatore të Shrëderit dhe moshës 67-vjeçare për daljen në pension të Myntefering. Në vend që t'i hyjnë thellësisht strukturës dhe të fillojnë me reduktimin e shpenzimeve, koalicioni i madh mjaftohet me një taksë për supër të pasurit, një masë kjo e sipërfaqshme dhe populiste, vlera e së cilës nga pikëpamja ekonomike është tejet e dyshimtë."

"Lübecker Nachrichten" shkruan:

"Në rastin e taksës për supër të pasurit duket se kompromisi politik mes partive në koalicion është më i rëndësishëm sesa një zgjidhje ligjore e pastër dhe e praktikueshme. Kemi të bëjmë me një ligj, që vetë hartuesit e tij e konsiderojnë të dyshimtë nga pikëpamja kushtetuese. Meqënëse bashke me miratimin e ligjit, miratohet edhe ideja që ky ka nevojë për përpunime të mëtejshme, mendohet se disi do t'i dilet në krye. Njëkohësisht qeveria kërkon që qytetarët të kenë besim tek ajo se do të luftojë burokracinë. Vërtet? Edhe ligji për mbështetjen ekonomike të prindërve, sipas së cilit ata do të kenë të drejtë për një kohë më të gjatë për të qëndruar në shtëpi për të rritur fëmijët duke u mbështetur finaciarisht prej shtetit të kujton më tepër ligje ekonomike të ndonjë magjistareje. Si është e mundur që të shpenzohen më tepër para dhe të mos ketë shtrenjtim. Për atë që do të studiojë se përse financat e shtetit kanë dalë nga kontrrolli, koalicioni po jep shembuj demonstrimi."