Pasqyra e shtypit gjerman | Studimi në Gjermani | DW | 19.05.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit gjerman

default

Gazetat gjermane trajtojnë sot problemet e bashkësisë ndërkombëtare në Afganistan, sidomos në sfondin e një elementi të ri që nuk ekzistonte më parë: një lidhje të ngushtë mes talebanëve dhe Irakut. Temë tjetër që i kushton vëmendje shtypi i sotëm gjerman është miratimi prej Bundestagut i ligjit kundër diskriminimit si dhe pamundësia e qytetarëve të thjeshtë për të gjetur bileta për ndeshjet për kampionatin botëror të futbollit.

"Wiesbadener Kurier" shkruan:

"Angazhimi i perëndimit në Afganistan po shndërrohet në luftë kundër mullinjve të erës. Paratë, mbështetja morale dhe politike nuk mjaftojnë për të kapërcyer problemet dhe forcat që sundojnë në vend. Askush nuk dëshiron të dorëzohet por gjendja aktuale e bunacës nuk mund të ruhet përgjithmonë. Pasojë fatale do të ishte që i gjithë angazhimi shpejt a vonë të rezultojë si i kotë. Këto s'janë perspektiva të mira për ushtarët gjermanë të trupës së ISAF-it, të cilëve në këto kushte u duhet ta zgjerojnë veprimtarinë e tyre nëpër zona tepër të rrezikshme."


"Frankfurter Allgemeine Zeitung" shkruan:

"Në Afganistan kemi tani diçka që nuk ekzistonte më parë: një lidhje të ngushtë mes talebanëve dhe Irakut. Aktivistë muslimanë që erdhën në Mesopotami për të marrë pjesë në luftën e shenjtë kundër pushtuesve amerikanë dhe britanikë, janë kthyer ndoshta në Afganistan ku po përforcojnë radhët e talebanëve në pakësim e sipër. Në këtë mënyrë mund të shpjegohen rastet e fundit të incidenteve në jug të Afganistanit, ku gjetën vdekjen më tepër se njëqind vetë. Në Kandahar pati përleshje gjatë të cilave amerikanët përdorën edhe aviacionin. Këto përleshje ishin më të ashprat që prej përmbysjes së regjimit të talebanëve dhe të Mulla Omarit në fund të vitit 2001 dhe u shoqëruan me humbje të shumta për ushtrinë e re afgane."


Temë tjetër që i kushton vëmendje shtypi i sotëm gjerman është miratimi i ligjit kundër diskriminimit në Gjermani me të cilin bashkohen sot edhe përfaqësuesit e unionit demokristian që deri dje nuk bën pjesë tek ithtarët e këtij ligji. Shkak për këtë ndryshim në qëndrim janë edhe rastet e fundit të qëndrimeve raciste në Gjermani.

Gazeta "Tagesspiegel" (Berlin) shkruan:

"Jam pro me gjithë zemër, kështu shprehet kancelarja Angela Merkel, në lidhje me ligjin kundër diskriminimit. Çudi e madhe. Deri dje prej gojës së saj nuk kishim dëgjuar publikisht fjalë të tilla. Merkeli duhej të ishte hedhur shumë më herët në ofensivë dhe të shpjegonte, se përse papritur kjo temë që shërbente si krijuese e identitit të demokristianëve, tani trajtohet ndryshe nga ç'trajtohej gjatë fushatës elektorale."


Gazeta "Neue Westfälische" (Bielefeld) përqëndrohet në rastet e ksenofobisë nëpër stadiumet gjermane:

"Në lidhje me futbollin mund të thuhet se është fakt që në adresë të Federatës gjermane të Futbollit vijnë gjithnjë e më tepër lajme për fyerje dhe ngacmime ndaj lojtarëve me ngjyrë në stadiumet në Gjermaninë lindore. Raste të tilla dhe të ngjashme duhen diskutuar publikisht dhe duhet të shoqërohen me pasoja të ashpra ndaj atyre që mbajnë qëndrime të tilla. Sidomos këtë vit që në Gjermani zhvillohet kampionati botëror i futbollit."


Gazeta "Süddeutsche Zeitung" (Mynih) trajton shancet e qytetarëve të thjeshtë për të gjetur ndonjë biletë për ndeshjet e botërorit në Gjermani:

"Presioni i komercializimit nuk ka qenë kurrë më i dhunshëm dhe shancet e qytetarëve të thjeshtë për të gjetur një biletë për stadium kurrë më të vogla se sa për kampionatin e sivjetshëm të futbollit. Ky kampionat do të zhvillohet si ndonjë aktivitet me dyer të mbyllura. Nëpër shkallët e stadiumeve në vendet më të mira do të ulen mijëra VIP-a. Tamam si në vitin 2002 gjatë botërorit në Azi apo në vitin 1989 në Francë, kur kapiteni i kombëtares franceze, Didier Dechamps shfrynte me fjalët: "Kur dal në fushë në tribunë më shohin sytë tipa të veshur me kostume të zeza, sikur të kenë ardhur për ndonjë varrim."

  • Data 19.05.2006
  • Autor Pandeli Pani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arps
  • Data 19.05.2006
  • Autor Pandeli Pani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arps