1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

24 Maj 2006

Nga temat që trajton shtypi i sotëm gjerman përzgjodhëm disa artikuj që lidhen me vizitën e kancelares gjermane Angela Merkel në Kinë si dhe me shpalljen antikushtetuese të përgjimit në shkallë të gjërë prej organeve të policisë gjermane.

https://p.dw.com/p/Arpn

Në lidhje me vizitën e Merkelit në Kinë gazeta "Abendzeitung" (Mynih) shkruan:

"Që në vizitat e saj në Uashington dhe në Moskë mënyra objektive e sjelljes së kancelares Merkel dallonte qartë prej stilit të parardhësit të saj, që shoqërohej me rrahje shpatullash, dhe buzëqeshje si ato që këmbehen mes miqsh. Angela Merkel prezantohet me një ton të saktë, me një buzëqeshje sa të mençur aq edhe enigmatike dhe asnjëherë si lajkatare që bën lobing për ekonominë gjermane. Edhe në Kinë ajo foli qartë, si për shkeljet e të drejtave të njeriut ashtu edhe për piraterinë e prodhimeve të markave ndërkombëtare. Takimi i saj me peshkopin katolik në Shanghai ishte dëshmi e përkrahjes së lirisë së fesë dhe besimit. Pushtetarët e Pekinit u treguan të përmbajtur duke përdorur maskën e mikpritësve të qeshur. Gjithsesi fshehtazi ata duhet të jenë habitur pak për zonjën e hekurt nga Gjermania."


Gazeta "Märkische Oderzeitung" (Frankfurt/Oder) është skeptike nëse vendet perëndimore mund të arrijnë vërtet që me apelet dhe vizitat e tyre ta detyrojnë Kinën që të respektojë të drejtat e njeriut apo të ndalojë piraterinë e produkteve:

"Si mund të afrohesh me një shtet që synon të bëhet fuqi botërore dhe ka në dispozicion një treg gjigand dhe një rritje ekonomike tëpër të shpejtë? Kancelarja Merkel u përpoq ta bënte këtë gjë në Pekin përmes një përzierjeje kritike të kujdesshme dhe gatishmëri demonstrative për të kooperuar. Kina është tepër e rëndësishme për t'u sjellë ndaj saj pa maturi. Dhe parë edhe objektivisht Gjermania si fuqi e mesme nuk ka në dorë instrumenta për të ushtruar presion ndaj sundimtarëve të Pekinit. Kësaj madje nuk ia del dot as superfuqia Amerikë. Kush dëshiron të vazhdojë të ketë marrëdhënie me Kinën duhet të kapërcejë kafshata të hidhura, ndër to bëjnë pjesë edhe shtypja e të drejtave të njeriut apo pirateria e produkteve."

Nisur nga raporti i fundit i "Amnesty International" ku përveç shteteve jodemokratike kritikohen edhe shtetet perendimore për masat e marra në disa vende perendimore për përgjimet masive pas atentateve të 11- shtatorit 2001 në Nju-Jork si dhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese gjermane kundër mbledhjes së të dhënave në rast se nuk ka dyshime konkrete gazetat gjermane e trajtojnë gjërësisht këtë temë. "Landeszeitung" që botohet në Lyneburg shkruan:

"Përgjimi masiv u bllokua prej vetos së gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët u shprehën kundër dhe i vunë fre mbledhjes në shkallë të gjerë të të dhënave për personat për të cilët nuk ka dyshime konkrete për rrezik. Një gjë e tillë do të gërryente nën pretekstin e luftës kundër terrorit parimet themelore të demokracisë. Domosdoshmërinë e kontrollit nga ana e Gjykatës Kushtetuese e mbështet edhe raporti vjetor i AI. Në këtë raport thuhet se në emër të luftës kundër terrorit të drejtat e njeriut relativizohen edhe në kontinentin që i fali botës demokracinë, në Evropë."

"Allgemeine Zeitung" (Mainz) shkruan: "Sado i madh që të jetë kërcënimi për shtetin dhe shoqërinë, lufta kundër tij duhet bërë mbi bazën e kushtetutës, sepse vetëm kështu shteti ligjor mund të garantojë legjitimitetin e vet. Futja në përdorim e përgjimeve në shkallë të gjërë pas atentateve te 11. shtatorit u konsiderua prej Gjykatës Kushtetuese gjermane si e pajustifikueshme, sepse rasti i kërcënimit është tepër i përgjithshëm. Sipas gjykatësve në Karlsruhe qëllimi nuk i justifikon të gjitha mjetet."

Taz (Berlin) shkruan:

"Çfarë gabimi gjigand! Pas zhgënjimit politik dhe kriminalo-policor, sepse përgjimi në shkallë të gjërë nuk solli ndonjë rezultat konkret, kjo masë u konsiderua tani edhe si antikushtetuese prej Gjykatës Kushtetuese gjermane. Ndoshta gjykatësit e patën të lehtë marrjen e këtij vendimi, sepse ai lidhet me një masë të organeve të policisë, e cila jo vetëm është e pavlefshme, por edhe e dëmshme. Kjo masë nuk ishte përcaktuar si duhet, ishte tepër afatgjatë dhe angazhonte shumë punonjës, të cilët mungonin në fronte të tjera. Në këtë mënyrë përgjimi në shkallë të gjërë në vend që ta rriste ishte një pengesë për sigurinë e brendshme."