1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

25 Maj 2006
https://p.dw.com/p/Arpm
Nigerianit i anulohet nënshtetësia gjermane
Nigerianit i anulohet nënshtetësia gjermaneFotografi: picture-alliance / dpa/dpaweb

Një ndër temat kryesore të gazetave të sotme gjermane ështe vendimi i Gjykatës Kushtetuese Gjermane në lidhje me heqjen e nënshtetësisë me iniciativë të organeve shtetërore në rast se personi që ka marrë nënshtetësinë gjermane ka paraqitur dokumenta të fallsifikuara apo fakte të rreme. Mendimi i përgjithshëm është që vendimi i gjykatës është i drejtë. Citojmë fillimisht nga gazeta "Këlner Stadtanzeiger"

"Një herë gjerman - përgjithmonë gjerman. Ky ishte parimi kushtetues në të cilin u mbështet për padijen e tij një qytetar nigerian, i cili kishte marrë nënshtetësinë gjermane përmes mashtrimit të autoriteve. Gjykata Kushtetuese vendosi që në raste të tilla personit mund t'i hiqet nënshtetësia me iniciativë të organeve shtetërore, edhe pse kushtetuta gjermane i ndalon të tilla raste. Një gjykim i tillë është i arsyeshëm. Sikurse gjithkush e kupton që një njeri që e merr nënshtetësinë gjermane duke e kërcënuar nëpunësin me armë, nuk ka të drejtë ta mbajë atë, ashtu është e qartë që në rastet kur një njeri e merr nënshtetësinë përmes mashtrimeve apo duke paguar rryshfete, ky vendim duhet të anulohet."

Gazeta "Westfalenpost" (Hagen) kërkon një qëndrim më rigoroz ndaj atyre që do të kërkojnë në të ardhmen nënshtetësinë gjermane:

"Megjithë liberalizimin e rregullave për marrjen e nënshtetësisë gjermane të huajt që jetojnë në Gjermani nuk vërshuan nëpër zyrat përkatëse për të kërkuar pasaporta gjermane. Nga ana tjetër kërkesat ndaj atyre që duan të marrin nënshtetësinë gjermane janë aq bujare, sa i bëjnë të tepërta mashtrimet. Pra shtohet pyetja se për cilët të huaj pasaporta gjermane është kaq interesante, sa t'i bëjë ata të heqin dorë prej nënshtetësisë së vendit ku kanë lindur? Në këtë rast kishim të bënim me një trafikant drogash që mendonte se me pasaportën gjermane do të kishte përfitime. Prej atyre që kërkojnë të marrin nënshtetësinë gjermane nuk kërkohet shumë. Ata duhet të dinë gjuhën dhe të jenë në gjendje të mbajnë veten dhe familjen. Le të shpresojmë se në të ardhmen do të mbahet një qëndrim më rigoroz, sikurse lë të kuptohet vendimi i gjykatës."

Kalojmë në një temë tjetër, aferën e përgjimit të gazetarëve prej Shërbimit sekret gjerman, BND, dhe konsekuencat prej saj.

"Neue Ruhr/Neue Rhein-Zeitung" (Essen) shkruan:

"Çështja e konsekuencave në radhët e personelit bën pjesë në ritualet e vetëpurifikimit të një demokracie. Por në rast se do të ketë pasoja për ish-presidentin e BND-së Hanning, atëhere të tilla duhet të ketë edhe për ish-koordinatorin dhe pasuesin e tij në këtë post, Uhrlau. Asnjëri prej tyre nuk del dot i larë prej kësaj historie. Në rast se ata nuk kanë ditur vërtet gjë për përgjimin e gazetarëve, atëhere del se organi që ata drejtojnë ka bërë çfarë i ka dashur qejfi. Hanning ishte pro transparencës, por ai nuk ishte presidenti i parë i Shërbimit sekret gjerman të cilit nëpunësit i kishin punuar prapa kurrizit. Konsekuencat duhen nxjerrë në sektorin e punës si dhe tek strukturat. Duhet që brenda BND-së të përmirësohet komunikimi mes sektorëve në mënyrë që drejtoritë e ndryshme të mos zhvillojnë një autonomi të brendshme. Nga ana tjetër edhe parlamenti duhet të mendojë se si do ta ushtrojë në të ardhmen në mënyrë më profesionale kontrrollin e tij ndaj këtij institucioni.

Gazeta "Ostthüringer Zeitung" (Gera) përqëndrohet pikërisht tek kontrrolli i BND-së nga ana e parlamentit:

"Kontrrolli parlamentar nuk duket të jetë shumë i zhvilluar. Nga njëra ana deputetët shumë gjëra nuk i pengojnë dot, sepse ata informohen pas marrjes së masave operative. Nga ana tjetër atyre u mungon ekspertiza, sepse deputetët nuk janë në gjendje të gjykojnë vetë nëse një masë ishte në përputhje me rrethanat apo jo. BND-ja është kundër sqarimeve, sepse një gjë e tillë do t'i çudiste parnerët e saj. Megjithatë botimi i raportit të relatorit special Schäfer në lidhje me aferën e spiunazhit është një hap i drejtë, sepse transparenca ndihmon që konsekuencat të mos ketë formën e gjetjes së kokës së turkut. Po ashtu një gjë e tillë është edhe mënyra më e mirë për t'u sjellë ndaj BND-së, sepse ai që përpiqet t'i mashtrojë kontrollorët e vet duhet të nxirret përpara dritës së prozhektorëve."