Pasqyra e shtypit gjerman | Studimi në Gjermani | DW | 26.05.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit gjerman

Vizita e Papës gjerman në Poloni është në qendër të vëmendjes së shtypit të sotëm gjerman, sidomos për shkak të marrëdhënieve gjermano-polako që edhe 60 vjet pas përfundimit të Luftës së II botërore vazhdojnë të jenë të ngarkuara. Gazetat nxjerrin në pah vështirësitë që lidhen me vizitën e Papës në kampin e Ausschwicit dhe trajtojnë edhe deklaratat, se Papa po shkon në Poloni në radhë të parë si katolik.

Papa për vizitë në Poloni

Papa për vizitë në Poloni

"Mannheimer Morgen" shkruan:

"Polakët e pritën me entuziazëm Papën Benedikti i 16-të. Deklaratat se ai ka ardhur në Poloni në radhë të parë si katolik, dëgjohen si justifikim për një vizitë më tepër fetare sesa politike. Për këtë flet edhe deklarata e vetë Papës se po bën një udhëtim në gjurmët e paradhësit të tij, papës Gjon Pali i II. Po pikërisht këto gjurmë të çojnë tek historia më e re e marrëdhënieve mes Gjermanisë dhe Polonisë. Deri tani Papa Benedikti i 16-të vetëm sa i ka parakaluar me makinë monumentet e rezistencës në geton e Varshavës. Të shpresojmë se ai nuk do ta kalojë vizitën vetëm duke folur me fjalë të përgjithshme, sepse pajtimi është i mundur vetëm pasi sqarohet e kaluara. Për të ardhmen e Gjermanisë, të Polonisë e madje të të gjithë Evropës ky do të ishte një sinjal pozitiv."


Gazeta "Badische Neueste Nachrichten" (Karlsruhe) trajton vizitën e Papës në Ausshvitc:

"Me vizitën në Ausschwitz Papën e pret një detyrë e vështirë. Vizita në ish-kampin e përqëndrimit në Ausschwitc u përfshi në programin e vizitës me dëshirën e vetë Papës. Në asnjë vend tjetër të botës Papa nuk shihet kaq shumë si gjerman sa në Poloni. Në Poloni janë ende shumë të gjalla kujtimet për tmerret e pushtuesve nazistë. Në këtë mënyrë vizita e Joseph Ratzigerit në Ausschvitc do të marrë një rëndësi të trefishtë për pajtimin mes hebrejve dhe katolikëve, mes gjermanëve dhe hebrejve dhe mes gjermanëve dhe polakëve."

Gazeta "Lausitzer Rundschau" e krahason vizitën e Papës me vizitën e Willy Brandit në Poloni:

"Sigurisht që vizita e Papës do të jetë me rëndësi të madhe për marrëdhëniet gjermano-polake. Sikurse vizita e dikurshme e Willy Brandit kjo vizitë do të jetë një provë tjetër për të parë se sa të forta janë urat që janë ngritur mbi varret e dikurshme të së kaluarës. Me vizitën e Papës Poloninë nuk e viziton vetëm një gjerman, por edhe kryebariu i katolikëve. Për këtë polakët do ta dëgjojnë dhe vështrojnë me vëmendje Benediktin. Papa do ta ketë të vështirë në Ausschwitz jo vetëm si gjerman, por edhe për faktin se kisha katolike nuk e ka kaluar ende periudhën e faljes që në kohën që në Ausschwitz bëheshin krime, kthente kokën mënjëanë."

Kalojmë tani në një temë tjetër. Duke marrë shkas nga nderimi i kryeministrit të Luksemburgut Zhan Klode Junker me çmimin Karl gazeta "Darmstädter Echo" vlerëson rolin dhe kontributin e tij për Bashkimin Evropian:

"Junkeri deklaroi se Evropa ka humbur busullën. Për këtë tani është edhe më tepër e rëndësishme që politikanët largpamës dhe të aftë të dalin në radhët e para dhe t'i japin një drejtim kësaj bashkësie, e cila është më tepër se sa shuma e interesave kombëtare. Kryeministri i Dukatit të Madh të Luksemburgut i ka aftësitë në këtë drejtim. Ai është presidenti i fshehtë i BE-së, një post që pritet të krijohet pas miratimit të kushtetutës së përbashkët evropiane."

Së fundi citojmë nga gazeta "Saarbrücker Zeitung" e cila trajton deklarata e fundit të Bin Ladenit në lidhje me pafajësinë e të burgosurve të Guantanamos:

"Kryeterroristi e di mirë sesa i gatshëm është kampi islamik për të besuar deklaratat dhe anekdotat për gjoja padrejtësitë e SHBA-ve kundrejt vëllezërve të besimit mysliman. Për këtë Bin Ladeni deklaron se të burgosurit e Guantanamos janë "të pafajshëm" dhe nuk kanë asnjë lidhje të drejtpërdrejtë me atentatet e 11. shtatorit. Në këto rrethana SHBA-të do të bënin mirë që këta të burgosur t'ua linte në dorë organeve të drejtësisë që të gjykonin për fajësinë, pafajësinë apo vazhdimin e masës së arrestit. Në rast të kundërt Shtëpia e Bardhë vazhdon të japë shkas për t'u sulmuar, ndër të tjera edhe prej polemikës mjeshtërore të Osma Bin Ladenit."

  • Data 26.05.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arpl
  • Data 26.05.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arpl