1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

29 Maj 2006

Gazetat e sotme gjermane analizojnë vizitën e Papës Benedikti i 16-të në Poloni si dhe duke marrë shkas nga i riu 16-vjeçar, i cili në gjendje amoku plagosi një sërë njerëzish që ishin mbledhur të shihnin përurimin e stacionit të ri hekurudhor të Berlinit dhe sulmeve me motive raciste trajtojnë gjendjen e sigurisë përpara kampionatit botëror të futbollit në Gjermani.

https://p.dw.com/p/Arpi
Papa Benedikti XVI në Ausshvitc
Papa Benedikti XVI në AusshvitcFotografi: picture-alliance/dpa

"Münchener Merkur" shkruan:

"Benedikti i 16-të u nis për të shkruar histori. Atë e nderon fakti që në Poloni duke treguar respekt për paraardhësin e vet ndoqi me ndërgjegje gjurmët e Papës Gjon Pali i II. Përmes kësaj Benedikti i 16-të dëshmoi edhe nje gjest paqeje, miqësie dhe mirëkuptimi mes popujve. Dhe këtë në një vend në të cilin plagët e historisë duket se e kanë shumë të vështirë të zënë kore. Ky është ndër të tjera edhe shkaku më i rëndësishëm se përse raportet mes Berlinit dhe Varshavës e kanë kaq të vështirë të çtensionohen."

"Badische Neueste Nachrichten" (Karlsruhe) shkruan:

"Me sjelljen e tij të përzemërt dhe plot ndjenjë në Poloni Papa Benedikti i 16-të ka dhënë edhe një kontribut të madh për mirëkuptimin mes gjermanëve dhe polakëve. Ka shance të mira që Papa tani të rrënjoset në ndërgjegjen masive të polakëve si "gjermani i mirë", sikurse e ka thënë aq bukur shkrimtari polak Andrzheji Stasiuk."

"Dresdener Neueste Nachrichten" shkruan:

"Vizita që bëri Papa Benedikti i 16-të në ish-kampin e Ausshvicit është një ndër gjestet dhe fjalët më të guximshme të tij gjatë vizitës në Poloni. Si edhe me vizitën në një sinagogë gjatë festimeve të ditës botërore të rinisë në Gjermani edhe me këtë ai ndërmorri një gjest të qartë. Reagimet tregojnë se gjeste të tilla nuk janë të vetkuptueshme për një Papë, e aq më tepër një gjerman. Gjithsesi Vatikani e ka ende të vështirë të thyejë heshtjen për faktin se ka heshtur gjatë kohës së terrorit nazisit. Jo pak njerëz pritën në Ausshvic që Papa të kërkonte falje për këtë."

"Berliner Morgenpost" shkruan:

"Papa Benedikti i 16-të nuk kishte pse të kishte frikë prej vizitës së tij në Ausshvic, as në rolin e kreut të kishës katolike dhe as si gjerman. Papa Benedikti i 16-të nuk është i pari që ka qenë për vizitë në Ausshvic. Parardhësi i tij Gjon Pali i II ka qenë gjithashtu aty dhe ka ndërmarrë nisma për pajtimin mes hebrejve dhe katolikëve dhe mes gjermanëve dhe polakëve. Benedikti i 16-të mund të bazohet në këtë përvojë dhe ta vazhdojë atë. Me sa duket ai edhe ia ka dalë mbanë kësaj, sepse rreth dy milionë polakë e pritën atë të entuziazmuar dhe i hapën vend në zemrat e tyre sikurse edhe paraardhësit të tij. Dhe sigurit që jo vetëm, sepse Papa Benedikti i 16-të u fliste vazhdimisht në Polonisht."

Kalojmë në temën tjetër:

"Thüringer Allgemeine" (Erfurt) shkruan:

"Një i ri plagosi në gjendje amoku me thikë 36 vetë në Berlin. Sërish organizatorët përgjegjës për çështjet e sigurisë gjatë kampionatit botëror të futbollit dhe politikanët që merren me punët e brendshme dhe rendin u përshkruan nga rrënqethjet, nëse i ka marrë parasysh të gjitha rreziqet që mund të paraqiten. Dikur me sa duket do të kapërcehet kufiri i përgjegjësisë që mund të mbajë dikush dhe i shpenzimeve për masat e sigurisë në rastin e aktiviteve gjigande. Problemi përbën fakti se spektri i atyre që kërkojnë që me aksione të tilla të tërheqin vëmendjen e opinionit të gjerë po zgjerohet. Megjithë seriozitetin e përgatitjeve dhe mobilizimin përsëri mbeten disa rreziqe që askush nuk mund t'i parashikojë."

"Schwarzwälder Bote" (Oberndorf) shkruan:

"Organizatorët e kampionatit botëror të futbollit kanë planifikuar dhe eksperimentuar me skenare të ndryshme rreziqesh. Gjithsesi as ata nuk mund të mbrohen prej surprizave të pakëndshme. Një farë rreziku mbetet. Po këto rreziqe nuk duhet të jenë aq nëpër stadiume, sesa në rrugët që të çojnë në stadiume apo nëpër aktivitetet ku njerëzit do të shohin në rrugë me ekrane gjigandë ndeshjet. Në raste të tilla nuk gjendet shpëtim sado e madhe që të jetë prania e policisë. Gjithsesi edhe në qoftë kështu, këtyre debateve duhet t'u jepet shpejt fund, sepse ato vetëm sa shkaktojnë edhe më tepër pasiguri."