1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

31 Maj 2006
https://p.dw.com/p/Arpg

Në qendër të shtypit të sotëm gjerman është vendimi i ministrave të ekonomisë të BE-së për liberalizimin e tregut të shërbimeve në radhët e BE-së si dhe refuzimi i Këshillit të Qytetit të Dyseldorfit për të nderuar me çmimin Heine të këtij qyteti shkrimtarin austriak Peter Handke, i cili ka dalë hapur si simpatizant i dikatorit Miloshevic.


Mendimi dominues i shtypit gjerman është se megjithë gëzimin dhe entuziazmin që përhapin ministrat e ekonomisë të BE-së ky është i ekzagjeruar:

"Reutlinger General-Anzeiger" shkruan:

"Sipas këndvështrimit të BE-së kompromisi i arritur për liberalizimin e tregut të shërbimeve në radhët e BE-së duhet vlerësuar si një gur themelor i rëndësishëm. Shkak për këtë kompromis nuk është ndonjë çudi në tregun e punës, që do të sjellë rritjen e vendeve të punës. Më e rëndësishme duket për momentin që pas muajsh të tërë rreziku për të rënë në krizë identiteti, BE-ja duhet të tregonte sërish se është e aftë për të vepruar dhe funksionuar. E rëndësishme sipas këndvështrimit gjerman është që në rregulloren e re të BE-së shërbimet duhet të ofrohen sipas kushteve dhe çmimeve në fuqi të çdo vendi dhe jo si parashikohej në fillim, sipas çmimeve të vendit ku ka të rregjistruar aktivitetin kjo apo ajo firmë."

Edhe gazeta "Neue Osnabrückener Zeitung" është skeptike në lidhje me të mirat e kompromisit për liberalizimin e tregut të shërbimeve në radhët e vendeve të BE-së duke theksuar se përmes kësaj rregulloreje nuk do të bien as barrierat burokratike:

"Ideja per vendet e punës që mendohet se do të sjellë me vete ky kompromis janë vetë një shpresë. Kompromisi nuk parashikon as pakësimin e veprimeve burokratike. Ata që duan të ofrojnë shërbimet në një vend tjetër duhet të bazohen në rregullat e këtij vendi. Një gjë e tillë është pengesë edhe për firmat gjermane në rast se ato duan të shtrijne veprimtarinë edhe në vende të tjera të BE-së për shkak të përjashtimeve të ndryshme që përmban kjo rregullore. Për këtë vlera e kësaj marrëveshjeje reduktohet vetëm në faktin që me miratimin e saj dëshmohet se BE-ja është e aftë për të vepruar dhe funksionuar dhe nuk u jepet më material në dorëve skeptikëve të BE-së."

Edhe sipas mendimit të "Märkische Allgemeine" (Potsdam) kompromisi për liberalizimin e tregut të shërbimeve në radhët e vendeve të BE-së është:

"Një kompromis tipik evropian i shoqëruar me shumë përjashtime. Kështu kemi të bëjmë më tepër me çështje lobingu se sa me një gjykim logjik, kur arkitektët apo këshilltarët ekonomikë duhet t'i nënshtrohen konkurrencës ndërkombëtare, ndërkohë që noterët mund të vazhdojnë të punojnë nën hijen mbrojtëse të qeverive të çdo vendi."

Gazetat gjermane analizojnë edhe vendimin e Këshilli i Qytetit të Dyseldorfit, i cili e refuzoi propozimin e jurisë përkatëse që me çmimin Heine të këtij qyteti të nderohej shkrimtari austriak Peter Handke.

Gazeta "Braunschweiger Zeitung" është e mendimit se në këtë rast nuk kemi të bëjmë me cenzurë, sepse:

"Çmimi Heine lidhet me motive politike. Me të synohet të nderohen personalitete që kanë korrur merita në fushën e mbrojtes së të drejtave themelore të njeriut si dhe të mirëkuptimit mes popujve. Në këtë mes ideja për t'ia akorduar këtë çmim një simpatizanti të dikatorit Miloshevic është tërësisht e pakuptueshme. Askush nuk mund ta marrë dot me mend, se çfarë e shtyu jurinë që të bënte atë propozim përveç dëshirës së thjeshtë për të provokuar. Fakti që Këshilli i Qytetit të Dyseldorfit ia refuzoi jurisë miratimin e këtij çmimi nuk ka të bëjë me shtypjen e lirisë artistike apo me cenzurë."

Gazeta "Badische Neueste Nachrichten" (Karlsruhe) edhe pse është dakord që përzgjedhja e Handkes nuk ishte zgjedhja e duhur, nuk e gjen me vend vendimin e Këshillit të Qytetit të Dyseldorfit:

"Me përzgjedhjen pikërisht të këtij poeti digresiv juria nuk dëshmoi as shije dhe as nuhatje e instikt. Nga ana tjetër rasti i Handkes shtron për diskutim edhe çështje parimore dhe me pasoja të mëdha në lidhje me parimin e jurive, sepse ai që i lejon një jurie si ajo për çmimin Heine që të marrë një vendim të pavarur, duhet edhe ta respektojë në fund atë."