1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

DW14 Qershor 2006
https://p.dw.com/p/ArpR

Vizita e papritur e presidentit amerikan Bush në Irak komentohet sot prej shtypit gjerman. Ja se ç'shkruan në lidhje me këtë vizitë "Ostsee-Zeitung" (Rostok):

"Vizita e Bushit në Bagdad dhe takimi me kryeministrin Nuri al-Maliqi ishte inskenuar në mënyrë perfekt e dhe mjaft të efekshtme për mediat. Por ajo nuk u zhvillua në rrethana aq të vështira sa vizita e tij në nëntor 2003. Asokohe Bushi u premtoi ushtarëve se do të qëndronin aty deri sa të ishte kryer puna. Tani një gjë e tillë nuk është më kaq e sigurt. Në SHBA Bushi po përballet me rënien e popullaritetit të tij dhe me shtimin e qëndrimit refuzues ndaj angazhimit ushtarak në Irak. Në këtë mes nuk ndryshoi gjë as vrasja e shefit të terrorit al-Sarkavi. Këtyre u shtohen edhe skandalet për torturat, vrasjet dhe para së gjithash më tepër se 6.000 ushtarët amerikanë të vrarë në Irak."

Kurse në gazetën "Märkische Oderzeitung" (Frankfurt/O) lexojmë:

"Në qoftë se Xhorxh Bushi nuk dëshiron të hyjë në histori si presidenti, i cili shkaktoi një dizastër në politikën e jashtme, në Irak duhet të ndodhë shpejt diçka. Dy janë mundësitë ose të vazhdohet me këmbëngulje tollovija, ose tërheqja sa më e shpejtë e trupave. Për opcionin e dytë ka filluar të bëhet propagandë. Pas zgjedhjeve parlamentare dhe krijimit të qeverisë së re Bushi mendon se Iraku është në rrugën më të mirë drejt strukturave demokratike. Gjithsesi mes dukjes dhe realitetit ka në mes një det të tërë. Shiitët, sunitët apo kurdët vazhdojnë t'i zënë pritë njëri-tjetrit dhe llogaria mund të bëhet vetëm pasi amerikanët të jenë larguar prej vendit."

"Schwäbische Zeitung" (Leutkirch) shkruan:

"Lehtësimi i trupave të stërmunduara amerikane në Irak varet prej faktit nëse trupat irakiane do të jenë në gjendje të thyejnë rezistencën në vend dhe t'i venë nën kontroll milicët. Një gje e tillë nuk duket se po ndodh, për këtë Iraku mbetet për presidentin Bush një ëndërr e keqe. Ky ka hyrë aq thellë në qorrsokak sa fati i tij është i lidhur tani ngushtë me atë të kryeministrit të ri irakian. Këtë fakt e thekson edhe vizita e papritur e Bushit në Bagdad. Xhorxh Bushi duhet të bazohet tek suksesi i al-Malikit, pavarësisht nëse ka apo jo besim tek ky i fundit."

Ndërrojmë temë duke shfletuar gazetën "Neue Ruhr/Neue Neckar Zeitung" (Essen) e cila trajton zhvillimet në Lindjen e Mesme, konkretisht marrëdhëniet izraelito-palestineze:

"Kryeministri izraelit Olmert duhet të jetë i interesuar për forcimin e presidentit të moderuar palestinez. Në rast se shenjat nuk të gënjejnë duket se ky ka ndër mend që ta afrojë Abazin në planet e tij për një shtet të përkohshëm palestinez. Kjo do të kërkonte që Olmerti të heqë dorë prej planeve të tij të kritikuara edhe prej aleatëve të vet perendimorë, që pa biseduar me palestinezët t'i transferojë rreth 70.000 hebrenjtë e larguar prej ngulimeve në bregun e Jordanit Perendimor në blloqe të mëdha banimi të mbrojtuara prej murit mbrojtës të ngritur prej Izraelit. Do të ishte tepër shpejt që në këtë situatë të ndërlikuar dhe tepër të rrezishme të ëndërroje për shance për paqen. Aktualisht për palestinezët nuk ka shpresa për një të ardhme më të mirë."

Gazeta "Financial Times Deutschland" (Hamburg) trajton gjendjen në tregjet ndërkombëtare të financave:

"Në tregjet ndërkombëtare të financave duket se ka marrë tërësisht fund gjendja euforike. Kjo frikë nuk mund të shpjegohet nga këndvështrimi i ekonomisë reale. Sigurisht që ka disa tregje që për momentin kanë shkaqe konkrete që të dobësohen. Por prej këtyre zhvillimeve individuale nuk mund të shpjegohet ky dobësim i qartë global që duket në sektorin e finanacave. Tregjeve u ha humbur fantazia dhe rreziku qëndron në atë që prej këtij momenti psikologjik të zhvillohet një mekanizëm vetëforcues. Por përpara se depozituesit dhe aksionerët të fillojnë të përfytrojnë se si fillon të rrëshqasë orteku i rënies së interesave, ata duhet ta kenë të qartë se kjo gjendje e keqe shpirtërore në tregjet e financave nuk mbështetet prej të dhënave konjuturale të mbarë botës."